E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis krijimi i federatës së majtë

 

Aristir Lumezi

Të majtët në opozitë nisin përpjekjet për krijimin e federatës. Një kafe në shtëpinë e Myslym Pezës, aty ku heroi i Pezës e pinte me Enver Hoxhën dhe udhëheqësit e ardhshëm komunistë, shërbeu dje për të hedhur piketat e një federate të majtë, e cila do duhet të përgatitet seriozisht për zgjedhjet për pushtetin vendor 2011. Duket se opozitarët kanë lënë pas 28 qershorin dhe po mendojnë për përballjet e ardhshme elektorale, të cilat më shumë se këto të fundit, janë vendimtare për të rigjetur veten. Rama, Gjinushi, Milo, Majko të ulur në një nga tavolinat e oborrit të shtëpisë muze të Pezës, kanë folur gjatë rreth pikëpamjeve të gjithsecilit se si do të arrihet një bashkim i plotë i partive të majta në një formacion. Qëndrimi i socialistëve në Parlament, kur ata të nisin rregullisht opozitën parlamentare, do të deklarohet në emër të së gjithë të majtëve, edhe të atyre që nuk mundën të jenë në kuvendin e ri. Mësohet se secila nga partitë e majta, PS, PSD dhe PDS do të paraqesin secila platforma konkrete për një federatë të majtë. Një nga mendimet e hedhura në tryezën e djeshme ishte ruajtja e pavarësisë strukturore të partive dhe vendimmarrje e përbashkët politike dhe organizative. Pritet që në propozimet që do të paraqesin kryetarët e partive të majta, të gjendet një formulë sa më funksionale dhe e suksesshme për të mundësuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Do të jenë këto zgjedhje që do të venë në provë reale krijimin dhe funksionimin e këtij bashkimi që mesa duket po shprehet vullnet për tu realizuar. Jo rastësisht është gjetur momenti për të hapur një bisedë të tillë, bashkimin e së majtës, pikërisht në vendin ku 67 vjet më parë u mbajt konferenca e Pezës, e cila hodhi tezat e bashkimit të së gjithë shqiptarëve në një front të vetëm kundër pushtuesit të huaj. Dje në Pezë, përveç Edi Ramës, Gjinushit dhe Milos, ishin të pranishëm dhe disa nga përfaqësuesit e lartë të LSI-së që janë larguar tashmë nga kjo parti, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Luan Rama. Përpara se të nisnin ceremonitë festive në këtë ditë, përfaqësuesit e lartë të së majtës, kanë pirë një kafe të gjithë bashkë ku kanë folur për problemet e saj pas zgjedhjeve. Ideja e federatës së majtë u hodh dy vjet më parë nga kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi, por ajo mbeti në letër dhe nuk u konkretizua asnjëherë, për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e socialistëve. Projekti i federatës së majtë i ofruar nga socialdemokratët mbeti në sirtarët e selisë rozë, ndërsa pritet që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, ky projekt të marrë formën e tij të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›