E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, Bicja rrëfehet te Krimet e Rënda

 

Armand Bajrami

Llazar Bicja, i akuzuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda si një nga organizatorët e masakrës së Cerrikut, më 23 maj 1997, ku u vranë gjashtë punonjës policie, mohoi dje në gjykatë në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë ngjarje. Sipas Bices, ish-kryetar i Partisë Socialiste të Cerrikut në këtë vit, akuzat ndaj tij janë absurde dhe paradoksale. Në seancën e djeshme në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të bandës së Cerrikut, ishte planifikuar pyetja e të pandehurit Llazar Bicja. Para se ti nënshtrohej pyetjeve nga palët, Bicja bëri një deklarim të lirë, ku e zhveshi plotësisht veten nga çfarëdolloj përgjegjësie që e lidh me ngjarjen e rëndë të majit 1997 në Cerrik. Bicja tha se nuk ekzistonin asnjë "fije floku" fakte apo prova që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj tij. "Në momentin e ngjarjes, nuk kam qenë as dëshmitar" tha Bicja. Gjithashtu ai vlerësoi përfshirjen e tij në të pandehurit e kësaj dosjeje, si një mënyrë që organi i akuzës ka përdorur për t'i dhënë ngjarjes së masakrës së Cerrikut një sfond politik dhe se ai ishte viktimë e një procesi hetimor të manipuluar nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Në përgjigjet e tij për prokurorët e çështjes, Bicja tha se   ka qenë kryetar i Komitetit të Shpëtimit në Cerrik dhe se një ditë para masakrës kishte qenë në Vlorë, por jo në cilësinë e kreut të Komitetit. Ndërsa në kohën kur ndodhi përballja me armë, mes një grupi të armatosur dhe forcave në policisë në qendër të qytetit të Cerrikut, Bicja tha se kishte qenë në shtëpinë e kryetares së Bashkisë. Pasi kishte dërguar bashkëshorten e tij te lokali i tyre, tek sheshi i qytetit, Bicja kishte shkuar në Bashki, sepse kishim një mbledhje të këshillit. Aty ata janë lajmëruar nga sekretari i institucionit se qyteti ishte rrethuar nga tanke. Në vijim Bicja kishte shkuar në shtëpinë e Kryetares së Bashkisë, ku ishte ndenjur gjatë kohës që ndodhi përballja e armatosur. Po sipas Bices, ai nuk kishte parë persona të armatosur në rrugë, pasi kishte ikur nga banesa e kryebashkiakes. Nga të pandehurit në proces, Bicja tha se njihte Meti Bozin, si anëtar të Këshillit Bashkiak, Skender Canin, si drejtor të postës së lagjes dhe Roland Xhepexhiun, si qytetar të Cerrikut, por mohoi të ishte takuar apo të kishte folur me ta ditën e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›