E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Rama me ftoi në PS, por do t’i qëndroj larg politikës

 

Pëllumb Xhufi, ish-nënkryetar i LSI-së dhe një ndër figurat kryesore të kësaj force politike, por i larguar prej saj për shkak se nuk ishte dakord që kjo parti të bashkëpunojë në një koalicion qeverisës me PD-në, tha dje se kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka ftuar të bashkëpunojë me këtë parti. I pyetur rreth prezencës së tij dje në festimet e 67 vjetorit të Konferencës së Pezës në krah të drejtuesve socialistë dhe Edi Ramës, Xhufi u shpreh se “ky është një ritual që e bën që prej moshës 8 vjeccare”. “Nuk i jam ndarë festimeve të Konferencës së Pezës që nga mosha 8-vjeçare dhe nuk e kam tradhtuar asnjëherë këtë festë. Kam shkuar qoftë si qytetar e qoftë si politikan. Sot isha si një qytetar që ka respektuar dhe vazhdon të respektojë ngjarjet e rëndësishme të historisë së popullit shqiptar”, u shpreh Xhufi. Ish-nënkryetari i LSI-së tha dje se pas ceremonive u gjend në një kafe miqsh të majtë ku kanë biseduar rreth situatës politike në vend pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Për sa më përket mua personalisht unë do të merrem kryesisht me aktivitetin tim shkencor akademik, por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të jem aktiv në kuptimin e mbrojtjes të pozicioneve të së majtës. Por shokët e mi dhe kolegët e mi, gjithsecili ka të drejtën e tij dhe më duket se është dhe në vijën e drejtë për të gjithë ata që e konsiderojnë veten të majtë”, u shpreh Xhufi. Për ish-nënkryetarin e LSI-së përfshirja e Ilir Metës në qeveri me Berishën është një eksperiment jo normal. “Është një eksperiment i jo natyrshëm dhe jo normal. Kam rezervat e mia, sigurisht që zoti Meta e zotëron politikën e jashtme, nuk mund të them ndonjë gjë në këtë pikëpamje, por pjesëmarrja e LSI-së në qeveri, është një thyerje totale”, u shpreh Xhufi. Por ish-zyrtari i lartë i LSI-së komenton dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. Sa për emrin e Spiro Kserës, që do të mbajë postin e ministrit të Punës, me arsyetimin e kryeministrit se po përfshin në kabinet minoritetin grek, sipas Xhufit, ky është vetëm një absurd tjetër, i qeverisë së re. “Pjesëtar i kësaj qeverie si ministër do të jetë dhe një person, Spiro Ksera, i cili një vit më parë ka marrë pjesë në një miting në Greqi, ku ka kërkuar bashkimin me të ashtuquajturin Vorio-Epirin, pra imagjinoni se çfarë kualitetesh përfshin kjo qeveri”, tha Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›