E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, BE: Shqipëria tani në pozitë më të mirë

 

Aristir Lumezi

Bashkimi Evropian kërkon leximin me kujdes të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri. Një ditë pas publikimit të vlerësimeve përfundimtare të OSBE/ODIHR-it mbi procesin zgjedhor në Shqipëri, BE vlerëson paraprakisht se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt integrimit, por thekson se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të lexohet me kujdes.
I pyetur nëse pas leximit të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të favorshme ose jo në rrugën e saj drejt BE-së, Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, vendi i të cilit mban presidencën e Bashkimit Evropian, u përgjigj dje se bazuar në raportin e OSBE/ODHIR-it, që ai kishte marrë lidhur me zgjedhjet, Shqipëria tani është në një pozitë më të mirë. Deklarata e ministrit suedez u mbështet dhe nga komisioneri evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili shtoi se raporti duhet lexuar me kujdes deri në fund. “Më është dashur të merrem me Afganistanin dhe nga kjo pasdite do merrem dhe me dosjen e Shqipërisë”, u shpreh Rehn. Këto deklarata, zyrtarët e BE-së, i dhanë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku Ballkani nuk ishte i përfshirë në axhendën e bisedimeve.
Rekomandimet
Raporti përfundimtar i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it ka lënë për politikën shqiptare një sërë rekomandimesh që kanë të bëjnë më shumë me vullnetin e tyre politik për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. Në radhë të parë, raporti u rekomandon partive politike që të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, krahasuar me privilegjet e gjera që ata gëzojnë sipas ligjit. Sipas tij, ato duhet të kryejnë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme për interesit të përgjithshëm të Shqipërisë. Për një nga defektet e zgjedhjeve të 28 qershorit, braktisjen e qendrave të numërimit OSBE-ODIHR, rekomandon që të përmirësohet kodi zgjedhor në këtë pikë. “Ndërsa ruan transparencën dhe përfshirjen e formimit dhe funksionimit të administratës zgjedhore, Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që të eliminojë çdo mundësi për abuzim dhe bllokimin e procesit nga partitë politike. Në veçanti, duhet të ketë mekanizma efektivë për të mbushur boshllëqet në administratën zgjedhore, në rast se partitë nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë propozimet brenda afateve të përcaktuara. Mekanizma të tillë duhet të zbatohen pa vonesë, në kohën e përshtatshme”, thuhet në rekomandimet e raportit. Për të ndihmuar këtë pikë të procesit, raporti i kërkon partive politike që të veprojnë në kohë për zëvendësimin e komisionerëve. “Me qëllim për të siguruar pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit të ulët. Zëvendësimi duhet të lejohet vetëm për arsye të veçanta të shprehura qartë në ligj”, thuhet në raport. Në rekomandimet e tyre, vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it, kërkojnë të përcaktohet mirë në kodin zgjedhor rastet e klasifikimit të fletëve të votimit. “Kodi Zgjedhor duhet të shprehë qartë se cilat kushte duhet të plotësohen për një kuti votimi, nëse nuk duhet të përfshihet në numërim, edhe pse ishte klasifikuar si e rregullt pas pranimit të kërkesës. Të gjitha rastet e tilla duhet të raportohen menjëherë në KQZ. Mund të këshillohet përpunimi i mëtejshëm i kutive të tilla të votimit, në bazë të një vendimi të KQZ-së”, thuhet në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it.

Rekomandimet e OSBE-ODIHR

    Ndërsa ruan transparencën dhe përfshirjen e formimit dhe funksionimit të administratës zgjedhore, Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që të eliminojë çdo mundësi për abuzim dhe bllokimin e procesit nga partitë politike.

    Me qëllim për të siguruar pavarësinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë në mënyrë arbitrare anëtarët e komisioneve të nivelit të ulët. Zëvendësimi duhet të lejohet vetëm për arsye të veçanta të shprehura qartë në ligj.

    KQZ-ja duhet të përdorë më shumë autoritetin e saj të gjerë, sipas Kodit Zgjedhor, kur kjo është e nevojshme, në veçanti përballë komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët.

    Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë qartë se si ekipet e numërimit dhe KZAZ duhet të trajtojnë kutitë e votimit dhe kutitë me materialet zgjedhore, të cilat janë konsideruar të rregullta gjatë dorëzimit nga KZAZ, por që kanë rezultuar më vonë me probleme serioze që tregojnë shkelje apo parregullsi.

   Kodi Zgjedhor duhet të shprehë qartë se cilat kushte duhet të plotësohen për një kuti votimi, nëse nuk duhet të përfshihet në numërim, edhe pse ishte klasifikuar si e rregullt pas pranimit të kërkesës. Të gjitha rastet e tilla duhet të raportohen menjëherë në KQZ. Mund të këshillohet përpunimi i mëtejshëm i kutive të tilla të votimit, në bazë të një vendimi të KQZ-së.

    Duhet të sigurohet se votuesi të dijë paraprakisht kandidatët    për të cilët do të votojë.

    Dispozitat lidhur me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë elektorale, duhet të ndryshohet ku të përcaktohen qartë kushtet e nevojshme për zgjedhjet e përsëritura.

    Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet me qëllim për të eliminuar
    ndonjë mundësi për abuzim dhe bllokimin e procesit nga partitë politike.

    Çdo rast i presionit mbi administratën, duhet të hetohet në tërësi, dhe autorët t’i çohen drejtësisë në përputhje me ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›