Meta: Raport realist, u mbyll kapitulli i zgjedhjeve problematike
Kryetari i LSI-se Ilir Meta deklaroi se raporti i OSBE-se ishte realist, pasi zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat e realizuara në vend. Sipas tij, ky raport do të thotë për Shqipërinë progres drejt liberalizimit të vizave. “Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit është raporti më pozitiv i bërë deri më sot për zgjedhjet në vendin tonë, duke shënuar në këtë mënyrë dhe mbylljen e kapitullit problematik dhe kontestues të zgjedhjeve në vendin tonë. Ky është një raport realist dhe shumë konstruktiv”, tha Meta. Konkluzionet që këto zgjedhje ishin një progres i prekshëm, për kryetarin e LSI-së janë dhe thelbi i këtij raporti, i cili përfundimisht e largon Shqipërinë nga ai pozicion problematik që ka pasur për zgjedhjet deri tani. “Me këtë rast unë besoj se të gjithë forcat politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë të jenë zgjedhje me standarde të larta demokratike, sikurse ndodhin edhe në vendet e tjetra të Bashkimit Evropian”, tha Meta. kreu i LSI-së u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit ishin në një nivel më të lartë se ato të kaluarat. “Raporti i OSBE-ODIHR-it mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike në Shqipëri. Natyrisht zgjedhjet nuk kanë qenë të standardeve daneze dhe ju i dini vërejtjet tona dhe në veçanti të LSI-së. Ju i dini dhe vërejtjet tona për Kodin Zgjedhor, sikurse jeni të njohur me vërejtjet tona si për Partinë Socialiste dhe për Partinë Demokratike, të cilat u përpoqën të monopolizonin procesin. Por, nuk duhet të harrojmë që të gjithë se si asnjëherë tjetër më parë përgjatë këtyre dy dekadave, edhe Kodi Zgjedhor dhe Reforma elektorale u lanë në dorë të kryetarit të Partisë më të madhe në opozitë, pra praktikisht iu la zotit Rama. Dhe për të gjitha ato mangësi dhe vërejtje që vihen re edhe në raportin e publikuar, duhet të kemi parasysh për vetë Partinë Socialiste ajo është po aq bashkëpërgjegjëse sa PD-ja”, tha Meta.
Kreu i LSI-së foli edhe për bojkotin e PS duke e cilësuar atë si një nismë për çështje personale të lidershipit të kësaj partie.
“Nuk ka asnjë arsye serioze për të justifikuar bojkotin përveç problemeve të brendshme. Ashtu sikurse unë dua të përshëndes dhe deklarimin e Kryeministrit Berisha, që përsëri Reformën e ardhshme elektorale, pra për të përmirësuar gjithçka që nuk shkoi mirë në këto zgjedhje t’i lihet në dorë sërish PS-së si partia e vetme sot në opozitë në parlament. Ndaj do të thosha që kjo është një ftesë shumë konstruktive për bashkëpunim dhe për respektim, por është dhe një mundësi për Partinë Socialiste të përmirësojë ato gabime që bëri dhe me Kodin, që kushtëzoi partitë e tjera që të mos ishin pjesë e administrimit të zgjedhjeve”, tha Meta.