E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Biberaj: PD ka nevojë për rotacion elitash

Biberaj kërkon zbatimin e parimit "një anëtar një votë". "Elita drejtuese duhet zgjedhur përmes demokracisë direkte"


TIRANË - Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, tregoi qartë se Partia Demokratike, për të qeverisur edhe një mandat tjetër katërvjeçar, u detyrua të kërkonte bashkëpunimin e një partie të majtë, LSI-së.


Aleksandër Biberaj e sheh këtë rezultat si një argument të fortë për t'iu rikthyer strukturave të Partisë Demokratike dhe demokratizimit të brendshëm të saj. Në një prononcim për gazetën "Shekulli", anëtari i kryesisë së PD-së, Biberaj, shprehet se PD-ja ka nevojë për demokratizim dhe reformim të thellë.


Biberaj e nis argumentin e tij me moszbatimin e një pike të rëndësishme të statutit, siç është parimi "një anëtar një votë", një nen ky i statutit, që u përfshi katër vite më parë në Kuvendin e PD-së, por që në asnjë fazë të procesit të rizgjedhjes së strukturave të kësaj partie, nuk u respektua. Zbatimi i këtij parimi, sipas Biberajt, do të ishte mënyra më e mirë për të zgjedhur elitën drejtuese në parti.


"PD-ja ka nevojë për një demokratizim dhe reformim të thellë. Së pari, duhet zbatuar statuti dhe duhen respektuar forumet drejtuese. Ndonëse në statut parashikohet votimi sipas parimit "një anëtar një votë", kjo gjë nuk ka ndodhur deri më sot.


Respektimi i këtij parimi ndihmon në demokratizimin e jetës së brendshme të partisë, nxit konkurrencën e brendshme në parti, si dhe motivon anëtarësinë, e cila nëpërmjet demokracisë direkte do të vendosë vetë për elitën drejtuese të partisë",- tha Biberaj.


Ky i fundit, edhe pse jo më deputet në legjislaturën e ardhshme, është shprehur prej kohësh se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në aktivitetin politik të Partisë Demokratike, duke sjellë propozime konkrete, me qëllim arritjen e synimit aq të mundimshëm për këtë parti, reformimin.


Biberaj u përket atyre zërave në PD, se kjo parti jo vetëm duhet demokratizuar thellësisht, por duhet rishikuar edhe lidershipi i saj, përmes miratimit për herë të parë në këtë parti të kritereve të karrierës.


"Duhen hartuar dhe miratuar kriteret e karrierës në parti, me qëllim që të kemi edhe konkurrencë të brendshme, gjë që do të bënte të mundur edhe rotacionin e elitave në parti. Demokratizimi, reformimi dhe modernizimi i PD-së mbeten sfida të rëndësishme",- tha ai.


Pak ditë më parë, edhe Preç Zogaj, një prej figurave që ka qëndruar gjatë në Partinë Demokratike, e vuri theksin tek situata e brendshme në parti. Në një intervistë të gjatë për gazetën "Shekulli", Zogaj u shpreh ndër të tjera se ky është një moment delikat në PD, pasi, sipas tij, në këtë parti nga njëra anë qëndrojnë injorantët dhe arrogantët dhe në anën tjetër konformistë të shkolluar.


Ndërkohë, procesi i zgjedhjeve të strukturave drejtuese të partisë do të ndodhë vetëm pas legjitimimit të qeverisë së re, dhe mbledhjes së Kuvendit. Partia Demokratike pritet që të mbledhë Kuvendin e saj në fillim të muajit tetor për të rizgjedhur kryetarin aktual të PD-së, Sali Berisha, si dhe Këshillin e ri Kombëtar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›