Grinden për paratë vret aksidentalisht vëllain
Policia arreston, Ahmet Vathin, 50 vjeç, me akuzën e vrasjes së të vëllait
TIRANË- Vret vëllanë pas grindjes për paratë, arrestohet nga policia autori i dyshuari i krimit. Zyrdi Vathi, 48 vjeç, me banim rrugën "Kongresi i Manastirit", në Tiranë pranë një tregu të zonës, është qëlluar për vdekje, me mjete të forta, nga vëllai i tij, Ahmet Vathi.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të martes, në kryeqytet, ku pas një sherri me fjalë, që kishte të bënte për çështje parash vëllai i viktimës, Ahmet Vathi, 50 vjeç, dyshohet se e ka qëlluar me levë në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda atij. Burime të policisë thonë se Zyrdi Vathi, ka ndërruar jetë në spital, pas goditjes që ka marrë duke u rrëzuar në një terren me beton duke u dëmtuar me një plagë të rëndë në kokë.
Ai është dërguar në spital ku edhe ka ndërruar jetë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Policia ka mbërritur në spitalin ushtarak e njoftuar nga personeli dhe menjëherë ka nisur hetimet.
Nga veprimet e kryera është mësuar se viktima ka ndërruar jetë për shkak të plagës së rëndë të marrë në kokë, pas rrëshqitjes në shkallë që kishte ardhur si pasojë e goditjeve të të vëllait.
Për këtë shkak policia ka arrestuar Ahmet Vathin 50 vjeç, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia të të vëllait. Nga të dhënat mësohet se dy vëllezërit Vathi, banonin në të njëjtën banesë, dhe shpesh midis tyre ka patur konflikte, kryesisht që kishin të bënin me paratë.
Sipas hetimit të policisë, midis viktimës dhe autorit të ngjarjes, ka nisur një konflikt gojor, brenda në banesën e përbashkët, ku më pas ka përfunduar me përdorimin e mjeteve të forta nga njëri prej vëllezërve dhe për pasojë njëri prej tyre, Zyrdi Vathi, është plagosur rëndë. Gjatë konfliktit me fjalë, dyshohet se Ahmet Vathi, ka marrë një levë duke e qëlluar vëllain e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Viktima, Zyrdi Vathi, nuk ka mundur që t'i shmanget sulmit të vëllait të tij dhe për pasojë ai është goditur disa herë nga vëllai me levë. Megjithëse është dërguar për ndihmë në spital, 48 vjeçari, ka ndërruar jetë.
Ngjarja po hetohet nga oficerët e zyrës së vrasjeve në policinë e kryeqytetit, ku pas marrjes në pyetje të autorit të dyshuar, që është arrestuar, pritet të zbardhen motivet e krimit.