Zgjedhjet Kuci Te pranohet rezultati

Vlerësimet negative për zgjedhjet që u dhanë nga deputetet e Parlamentit Evropian si dhe kontestimi i tyre nga disa subjekte politike, duket se nuk e shqetësojnë Partinë Demokratike të Kosovës.
Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuci ka deklaruar se zgjedhjet kanë lënë hapësirë për përmirësime, por rezultati i tyre duhet të pranohet.
“Këtu ka dy qëllime. I pari, që në zgjedhje duhet të ketë përmirësime, për cka angazhohet edhe PDK. Ndërsa i dyti është ai që humbësit t`i kontestojnë ato”, ka pohuar Kuci.
Duke komentuar idenë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, Kuci ka thënë se i takon PDK-së që si parti fituese të vendosë për llojin e qeverisë. Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se PDK nuk e preferon një qeveri të tillë.
Më tej, Kuci e ka quajtur “logjikë anarkiste” kontestimin e rezultateve, si dhe kontestimin e legjitimitetit të institucioneve që do të krijohen në përfundim të procesit zgjedhor.