E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, PD-PS do t’u kthejnë 140 mijë USD partive të vogla



Kodi i ri njeh borxhin e krijuar në bazë të formulës së vjetër

PD, PS, PSD janë debitore, LSI, përfituesja më e madhe

Para zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, partitë e mëdha, PD e PS, duhet të kthejnë borxhin që u kanë partive të vogla. Bashkë me dy partitë e mëdha është debitore dhe PSD-ja, për shkak se nuk justifikoi fondin e dhënë nga KQZ-ja me votat e marra në zgjedhjet vendore të fundit. Kodi i ri njeh borxhin e krijuar në bazë të formulës së vjetër së ndarjes së votave. Kodi i ri Zgjedhor ka ruajtur të njëjtë formulën e shpërndarjeve të fondeve zgjedhore për fushatën zgjedhore, çka do të thotë që ndarja e tyre do të bëhet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2007. Sipas këtij rezultati, partitë e mëdha do të duhet të kthejë një fond jo të pakët që kanë përfituar në këto zgjedhje, pasi nuk i kanë justifikuar më votat e tyre dhe që është 13.665.693 milionë lekë ose rreth 140 mijë dollarë. Përfituesit e këtyre fondeve do të jenë partitë e vogla, ku më shumë do të përfitojë LSI-ja, e cila do t’u “rrëmbejë” partive të mëdha 5.219.118 milionë lekë ose rreth 55 mijë dollarë. Kodi i ri Zgjedhor ka ruajtur të njëjtën formulë për ndarjen e 60 milionë lekëve të fushatës elektorale, njëkohësisht edhe borxhet apo përfitimet. Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një pjesë e partive që nuk justifikuan votat në zgjedhjet lokale të vitit 2007, duhet të kthejnë paratë, ndërsa partitë e tjera që morën më shumë vota në krahasim me vitin 2005, do të përfitojnë pjesë që partitë e tjera do t’i kthejnë.

Partitë në borxh

Sipas raportit të KLSH-së, debitoret më të mëdha janë dy partitë kryesore, PD-ja dhe PS-ja. Partia Demokratike i detyrohet shtetit 5.493.882 milionë lekë ose diku tek 67 mijë dollarë. Partia Socialiste i detyrohet shtetit 5.215.770 ose rreth 55 mijë dollarë. Në listën e debitorëve ndodhen edhe Partia Socialdemokrate me 1.809.099 ose afërsisht 20 mijë dollarë, Partia Aleanca Demokratike i detyrohet shtetit 336.934 ose diku te 4 mijë dollarë dhe Partia Demokracia Sociale i detyrohet buxhetit 810.009 ose afërsisht 9 mijë dollarë. Kthimi i parave është i detyrueshëm, sepse e përcakton ligji i ri elektoral, pasi këto parti kanë marrë rezultate në zgjedhje më pak se në zgjedhjet pararendëse, që i bie 3 korriku i vitit 2005. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në nenin 145, germa "c" të Kodit Zgjedhor të vjetër, i është drejtuar Ministrisë së Financave me shkresën nr. 4488, date 25.6.2007, për zbatimin e detyrimeve të ndërsjella që kanë partitë politike për fondet e shpërndara për fushatën zgjedhore vendore të vitit 2007. Ministria e Financave, me shkresën nr. 4721/1, datë 04.7.2007, ka njoftuar KQZ-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit për ekzekutimin e këtyre detyrimeve. Njëkohësisht, për rregullimin e gjendjes, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit u rekomanduan masa organizative dhe masa për zhdëmtim nga partitë politike.

Partitë përfituese

Një grup partish të vogla që kanë dalë me rezultat më të mirë në zgjedhjet lokale të vitit 2007, do të përfitojnë kompensim, shtesë e përcaktuar sipas formulës ligjore. Partia Republikane do të kompensohet 1.774.303 ose diku tek 19 mijë dollarë, Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut do të kompensohet 721.057 ose diku tek 8 mijë dollarë, Partia Demokristiane do të përfitojë 2.588.771 ose diku tek 28 mijë dollarë, Partia Demokrate e Re do të kompensohet me 2.883.426 ose afërsisht 30 mijë dollarë, Partia Agrare Ambientaliste do të përfitojë 479.018 ose diku tek 5 mijë dollarë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfitojë 5.219.118 ose afër 55 mijë dollarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›