E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, Berishës: Të pres në Itali pas fitores së 2009-ës



I qeshur dhe entuziast për të ardhmen shqiptare, i rrethuar nga respekti dhe nderimet e homologut shqiptar që në momentin kur shkeli në “Nënë Tereza”, Silvio Berluskoni shtrëngoi dje duar miqsh dhe foli për projekte madhore mes dy vendeve fqinje. Dhe gjithnjë gati batutën për çdo lëvizje protokollare të orëve të qëndrimit në Tiranë. Jo rrallë “skuqi” në fytyrë qeveritarët shqiptarë me humorin e tij karakteristik që i shkon për shtat vetëm një kavalieri si Silvio Berluskoni. Një përqafim i ngrohtë në prani të kamerave me njërën nga biznesmenet italiane, që dashur pa dashur detyroi Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, që të bëjë të njëjtën gjë si kavalieri me zonjën e bukur italiane, për t’ia lënë vendin çasteve të konferencës së përbashkët për shtyp dhe zgjedhjes së vetë z. Berluskonit për t’iu drejtuar në të shumtën e rasteve me emër, Sali, Kryeministrit të Shqipërisë. Në mënyrë publike, Berluskoni ftoi homologun shqiptar, Sali Berisha, që të vizitojë Italinë vitin e ardhshëm, duke u shprehur i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2009. “I bëj një ftesë publike Kryeministrit Berisha që, pasi të ketë fituar zgjedhjet e ardhshme këtu në Shqipëri, të marrë pjesë në leksionet javore pranë Universitetit të Demokracive dhe Lirisë, që do të hapet në marsin e vitit të ardhshëm, në Itali. Shpreh bindjen se do të jetë një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë leksionin e tij për të kuptuar më mirë se si një popull mund të kalojë nga diktatura e plotë drejt një demokracie të plotë”, - theksoi z. Berluskoni. Në këtë mënyrë, shefi i qeverisë italiane ka shprehur besimin se miku i tij shqiptar do të jetë fitues për një mandat tjetër qeverisës në zgjedhjet e reja parlamentare të 2009-ës.

Avokat për në BE

Italia do të mbështesë fort proceset integruese të vendit tonë në strukturat euroatlantike. Këtë siguri e dha dje Kryeministri italian gjatë konferencës së përbashkët dje në selinë e qeverisë me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha. Silvio Berluskoni garantoi homologun shqiptar se ai do të jetë avokati kryesor i rrugës së vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. “Ne jemi miq të vjetër dhe të tillë do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen. Kur them këtë, kam parasysh që Italia do të vazhdojë të jetë avokatja e parë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha z. Berluskoni. Më tej, ai vuri në dukje se prej vitesh mbështet një politikë e cila kërkon futjen e rajonit të Ballkanit në BE, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’u jepet fund përplasjeve etnike që ekzistojnë në këtë zonë. Duke u ndalur te aspirata euroatlantike e Shqipërisë, Kryeministri Berluskoni vlerësoi sukseset e arritura deri tani nga pala shqiptare. "Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të mbështesë Shqipërinë në momentin që ju do të vendosni të paraqisni kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE", - tha ai. Z. Berluskoni shprehu bindjen se "të gjitha konfliktet e sotme në Ballkan do të marrin fund përgjithmonë vetëm me hyrjen e vendeve ballkanike në familjen e vendeve evropiane". Ai garantoi se "pozicioni i Italisë është tërësisht pozitiv për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE në vitin 2009". Kryeministri Berluskoni u shpreh më tej për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas tij, Italia është një mike shumë e ngushtë e Shqipërisë dhe këtë e ka dëshmuar në këta dhjetëvjeçarë të mundimshëm që kanë karakterizuar jetën shqiptare. “Italia ka qenë gjithmonë një mbështetje e fuqishme e Shqipërisë në këto vite dhe do të vazhdojë të jetë e tillë”, - tha Berluskoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›