Ditari ironik i Lekë Tasit
Piktori Lekë Tasi boton ditarin e rrallë nga vitet e internimit, ‘70-‘80-të, “Grabjani rrëzë kodrave”. Kalvari i familjes Tasi që përndiqet për dytën herë. Në një libër voluminoz për herë të parë vjen si në një skicë surealistë atmosfera, vendi dhe personazhet që ka jetuar piktori në vitet e internimit, së bashku me familjen e tij. Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve, po kërkon e zbulon në analizat e tij të gjata, të kujdesshme, të thella, e të hollësishme psikologjike, politike, filozofike rrënjët e fshehta që i motivojnë
Sapo të marrësh në dorë librin e Lekë Tasit, “Grabjani rrëzë kodrave”, nuk i shmangesh dot kopertinës - është nga ato raste që duhet të vëresh imët mbi të.
Piktori ka zgjedhur të verdhën e verës së zhuritur për të mbizotëruar - na ngjan me një fshat, ku njerëzit e vizatuar nuk janë fshatarë, siç duken në të veshur, duket më shumë si pazar njerëzish që rrinë në qendër, dhe në prag dere. Nga vizatimet e ndërtesave kuptojmë menjëherë se i takojnë diktaturës - dhe poshtë titullit zbret fjalia, skena, personazhe, historia nga fshati i internimit. Nuk është roman, as libër me tregime - por një ditar i mbajtur prej piktorit Lekë Tasi kur familja e tij përndiqet për së dyti, duke u izoluar për 15 vjet në internim, në Lushnje në fshatin Grabjani.
Shënimet e piktorit i ngjajnë realisht një vizatimi, skicë sureale të asaj kohe kur vuante persekutimin. Duhet lajmëruar lexuesi se nuk do të përballet me ndonjë kiamet të madh torturash - ashtu si kemi dëgjuar nga rrëfimet e shumë atyre që vuajtën nga diktatura. Jo për të mos ju dhënë rëndësi atyre, por për të marrë vesh ndoshta në një rrëfim të një natyre tjetër, krejt të thjeshtë se çfarë ishte zymtësia e asaj kohe, për të kuptuar sjelljen njerëzore në kushte oruelluane.
Në fshatin që të gjithë e quanin Sektor, ku apeli bëhej çdo mbrëmje, në muzg - ju vu përballë parulla “Të jetojmë si në rrethim” - kjo ishte vëmendja e parë që mori Lekë Tasi duke zbritur në faqet e ditarit se si filloi punë në brigadën më të largët. Janë episode origjinale nga vitet e zymta të internimit, të sjella si dëshmi kronikave që asnjë nuk e ka shkruar deri tani me këtë thjeshtësi dhe realizëm. Nëse të gjitha shënimet e ardhura nga diktatura na mbushin me mllefe, dhe na rrënojnë ndërgjegjen - për atë kohë ku injoranca dhe mediokriteti ishin përzier me frikën dhe terrorin e shkaktuar nga regjimi,- ky ditar shpërthen në një këndvështrim më të afërt me realitetin e gjallë, ku absurdi dhe ironia i shkojnë më shumë për ta besuar si të vërtetë. Ky libër mund të lexohet pa shumë “dhimbje koke”, pa rëndesë psikologjike, por tamam si një pasqyrë ku për të rinjtë mund të gjejnë shëmbëllimin e atij asgjësimi të dëshmive që janë ndërmarrë deri tani, politikisht, për t’u zhdukur. Ajo për çfarë na tërheq vëmendjen, duke i dhënë plotësisht të drejtë Petro Zhejit, që ka bërë parathënien e librit, është fakti se askush nga të dënuarit nuk e di veten fajtor, duke mos e konsideruar këtë si padrejtësi që qeveriste vendin, ku pushteti i diktaturës nuk kishte kufi mbi shqiptarët. Lekë Tasi nuk na zbeh atmosferën në asnjë faqe, përkundrazi shkrin gjithë botën e tij të brendshme, ndërgjegjen e tij, psikologjinë, mentalitetin - aq sa koha i lejonte për t’i hapur sytë, po ashtu na shfaq pa lëkundje ndjesitë njerëzore përballë veseve që ushqente diktatura. Përballë Lekës që nuk ka pretenduar si duket të “denoncojë”, por thjesht të tregojë atë çfarë sheh, pa revoltë, pa rebelizëm - kuptojmë pasojën psikologjike. Lekë Tasi është nga ata dëshmitarë të kësaj epoke që fisnikërinë e ruan ende. Ashtu siç e dëshmojnë dhe faqet e ditarit të tij - ku revolta më së shumti na vjen si reagim shpirtëror kundrejt vuajtjes, drejtësisë dhe punës deri tek sjelljet më të rëndomta siç janë radhët në dyqan, apeli etj. Libri tregon vuajtjet, por jo vetëm për të. Autori i përket një familjeje që është përndjekur gjatë tërë periudhës komuniste. Katër pjesëtarë të saj; Koço Tasi, i ati i autorit, Akile Tasi, i ungji, Napoleoni dhe Tefta respektivisht, vëllai dhe motra e tij, hoqën burg dhe i dyti, xhaxhai vdiq atje dhe nuk dihet varri. Në 1975 nis për familjen një përndjekje e dytë; internimi, që e izoloi për 15 vjet. Duke hyrë në ditarin e Lekë Tasit, padyshim kupton jo vetëm 10 vjet kohë, duke shmangur monotoninë, por marrim informacionin e gjallë, real të shumë shqiptarëve, që shpesh ua dimë historinë, në kushte krejt të tjera mbijetese. Gjithashtu, Tasi i ka kushtuar rëndësi vendit, por edhe përshkrimit të tipave të ndryshëm bashkë me historitë e tyre. Një interes të veçantë paraqet kalvari i jetës së Teftës, motrës së autorit, një dëshmi e rrallë kjo, në mos unike në detajimin e saj. “Janë shkruar edhe të tjera dëshmi letrare mbi vuajtjet e popullit tonë në komunizëm. Po ky tregim i gjatë, në trajtë ditari, ka diçka të veçantë. Autori është dhe vetë një nga personazhet e shumta që na përshkruan, që vuan edhe ai si shumë e shumë të tjerë dënimin e padrejtë të një internimi çnjerëzor që kapërcen kufinjtë e çdo imagjinate të mundshme dhe që jepet me një kthjelltësi e konkretësi të mahnitshme në një varg skenash e episodesh rrëqethëse, me të gjitha ngjyrat e mugëta të një ferri dantesk. Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve po kërkon e zbulon, në analizat e tij të gjata, të kujdesshme, të thella, e të hollësishme psikologjike, politike, filozofike rrënjët e fshehta që i motivojnë. Dhe, falë një stili të shtruar e të qetë si ai i një shkencëtari që heton me durim, kërrusur në laborator mbi mikroskopin e tij, viruset e sëmundjes, e bën edhe lexonjësin të kuptojë, të shohë, të prekë, të marrë pjesë shpirtërisht në gjithçka”, - shkruan Petro Zheji në parathënien e botimit “Grabjani rrëzë kodrave”. Më poshtë po japim një fragment nga ditari që mban datën 1 prill 1981, kohë që përkon me kulmin e qëndrimit në internim, kur vetëm pas pesë vitesh do të riktheheshin familjarisht në Tiranë,më 1990. Ndërsa shënimet e fundit në ditar shkojnë deri më 26 maj 1986.