Zgjedhjet, Rama, takim me krerët e PS-së
Rama falënderon kryetarët e PS-së në rrethe. Këta të fundit japin mbështetjen për Ramën në krye të partisë
TIRANË - Rezultati jo i pritshëm dhe i pamjaftueshëm në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk e ka penguar aspak kreun socialist, Edi Rama, që të shprehë mirënjohjen për të gjithë ata që e ndihmuan në këtë garë.
I bindur se ka mundur ta rikthejë PS-në si forcën më të votuar në vend, pavarësisht se një gjë e tillë nuk është reflektuar në mandate, kreu socialist, Edi Rama, ka ftuar dje në një takim informal, krerët e të gjitha degëve të PS-së nëpër rrethe, në një prej lokaleve në periferi të Tiranës, për të cilët ka shtruar një banket.
Në takim, ku kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të partisë, si sekretarët dhe drejtuesit aktualë të grupit parlamentar (sekretarët Kastriot Islami dhe Arta Dade nuk kanë qenë të pranishëm), nuk kanë munguar edhe ata krerë socialistë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë shprehur vlerësimin e tyre kundër kreut socialist, siç është rasti i kryesocialistit të Shkodrës Edip Shiroka.
Për vetë kohën kur edhe është ofruar ky koktej nga shefi i selisë rozë, pra vetëm një ditë para mbajtjes së Asamblesë Kombëtare, mediat kanë qenë shumë të interesuara për të, pavarësisht se ai është zhvilluar pa praninë e tyre.
Burime pranë selisë rozë, por edhe vetë pjesëmarrësit në këtë takim, kanë konfirmuar se gjatë 40 minutave, që takimi ka zgjatur, kryetari i Partisë Socialiste ka mbajtur një fjalë të shkurtër, ku ka falënderuar të pranishmit për gjithë kontributin e tyre në zgjedhjet që sapo lamë pas.
Gjithashtu, mësohet se në fjalën e vet, Rama nuk ka preferuar që të futet në gjykimin në lidhje me zgjedhjet dhe qëndrimet që do të mbajë kjo forcë karshi rezultatit të tyre, duke ia lënë këtë mbledhjes së sotme të asamblesë.
Duke dalë nga korniza e staturës së tij si kryetar partie, Rama është përfshirë më pas në diskutime me të zgjedhurit lokalë, ku ka biseduar edhe për rezultatin dhe, pse jo, edhe për qëndrimet që duhet të mbajë PS-ja në lidhje me këto zgjedhje.
Ndërkohë që, pas takimit, disa nga krerët aktualë të PS-së në rrethe, nuk kanë nguruar të shprehin qëndrimet e tyre pro dhe kundra pozicionit që ka mbajtur Partia Socialiste mbi këtë proces deri më tani.
Kështu, kreu i PS-së së Gjirokastrës, Llazar Deda, ka mbështetur qëndrimin e deritanishëm të kreut të PSSH-së Edi Rama, duke u shprehur njëkohësisht hapur pro qëndrimit të tij në detyrë. Në këtë linjë ka qenë edhe kreu i PS-së së Korçës Spiro Shëngjergji, i cili ka vënë theksin tek nevoja për të vazhduar përpara, duke shmangur përçarjet brenda PS-së.
Ndërkohë, kreu i PS-së së Shkodrës, Edip Shiroka, ka deklaruar edhe një herë para medieve qëndrimin e tij të shprehur disa ditë më parë, për të zhvilluar sa më parë analizën e këtyre zgjedhjeve dhe për të nxjerrë përgjegjësitë për rezultatin e arritur.
Mbështetja
Kreu i PS-së së Gjirokastrës, Llazar Deda, ka mbështetur qëndrimin e deritanishëm të kreut të PSSH-së, Edi Rama, duke u shprehur njëkohësisht hapur pro qëndrimit të tij në detyrë. Në këtë linjë ka qenë edhe kreu i PS-së së Korçës, Spiro Shëngjergji, i cili ka vënë theksin tek nevoja për të vazhduar përpara, duke shmangur përçarjet brenda PS-së