"Arrestoni autorin, në të kundërt vetëgjyqësi"
Të afërmit e viktimës së të dielës pranë doganës kërkojnë drejtësi për të shmangur hakmarrjen ndaj familjes së të dyshuarit
Rrëfimi i të afërmëve të Artan Allushit, për ngjarjen. Një prej të plagosurve të së dielës lë spitalin
TIRANË- Të afërmit e Artan Allushit, të vrarë të dielën në mesditë kërkojnë arrestimin e Bashkim Qefalisë dhe dënimin e tij, në të kundërt, vetëgjyqësia do të jetë e afërt. Ndërkaq lë spitalin, Kujtim Allushi 50 vjeç, një nga të plagosurit e ngjarjes së të dielës pranë Doganës së kryeqytetit, ku mbeti i vrarë nipi i tij, Artan Allushi 26 vjeç dhe u plagos i biri i tij, Nertil Allushi, 22 vjeç.
Sipas burimeve të spitalit ushtarak, Kujtim Allushi, ka lënë pavionin ku qëndronte i shtruar për t'i dhënë lamtumirën nipit të tij, duke qenë se edhe gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e rëndë dhe nuk kishte rrezik për jetën.
Pacienti, sipas mjekëve të spitalit, kishte marrë një plagë të lehtë në krah dhe një në gjoks, duke i shkaktuar atij një gërvishje që fillimisht kishte qenë e rëndë ndërsa gjatë paradites së djeshme 50- vjeçari braktisi spitalin, për t'u gjendur në ceremoninë e varrimit të nipit të tij, Artan Allushi që mbeti i vrarë pasi u qëllua me armë mesditën e të dielës.
Në të kundërt, djali i Kujtimit, Nertili, nuk ka mundur të dalë, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë duke qenë se ka pasur një plagë në këmbë të shkaktuar me armë zjarri.
Familjarët, miqtë dhe shokët e Artan Allushit, i dhanë dje lamtumirën e fundit 26- vjeçarit, në vendlindjen e tij, në Zall- Herr. Ndërkaq edhe dy ditë pas krimit të rëndë, të afërmit e Allushëve nuk e kuptojnë motivin që e ka shtyrë Bashkim Qefalinë, kur ata nuk kishin pasur konflikt me të.
Policia duke iu referuar deklarimeve të të dëmtuarve ka pohuar, se si shkak i krimit të të dielës kanë qenë provokimet e vazhdueshme dhe ngacmimi i Qefalisë ndaj njërës prej vajzave të familjes Allushi.
Ilir Lila, një nga të afërmit e Artanit tregon për "Shekullin", se ata nuk kanë patur konflikt me familjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, madje ata mendojnë se konflikti mund të ketë lindur nga një sherr i momentit. "Me sa jam në dijeni, pak minuta para se të përdorej arma, ka patur një konflikt gojor dhe pastaj, konflikt më pas është mbyllur me vdekjen e Artanit, pas përdorimit të armës,- shprehet Lila.
Ai kërkon që ngjarja zbardhet nga autoritetet me qëllim shmangien e vetëgjyqësisë, duke iu kërkuar autoriteteve korrektesë. Ata pohojnë se më parë ata nuk kanë pasur ndonjë konflikt apo përplasje me familjen e Bashkim Qefalisë apo në mënyrë të drejtpërdrejtë me të, duke mohuar në mënyrë indirekte versionin e policisë se ai kishte ngacmuar dhe provokuar një nga vajzat e familjes Allushi.
Para se të ndodhte vrasja, autori dhe bashkëpunëtorët e tij, ishin konfliktuar me viktimën dhe dy të plagosurit, të cilët ishin qëlluar mes tyre me sende të forta, ku në grindje e sipër Bashkim Qefalia që dyshohet nga Policia si personi që ka kryer krimin ka njerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të palës kundërshtare. Nga të shtënat mbetën të plagosur të tre personat nga fisi Allushi, ku Artani, i cili kishte marrë plagën më të rëndë, ndërroi jetë gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak.
Ndërkohe lidhur me ngjarjen, burime të rezervuara nga Policia e kryeqytetit, pohuan ditën që ndodhi krimi se konflikti midis personave nga fisi Allushi në Zall - Herr dhe 39- vjeçarit Bashkim Qefalia, që Policia e ka shpallur në kërkim si personin që ka kryer vrasjen, dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.
Krimi i dy ditëve më parë mësohet nga burime të Policisë së Tiranës se e ka zanafillën nga një grindje e mëparshme mes palëve, për shkak se Qefalia, kishte ngacmuar herë pas here vajzën e Kujtim Allushit.
Hetimi
Policia identifikoi autorin në vendin e ngjarjes
Pak orë pas ngjarjes, strukturat e hetimit të krimit në Policinë e kryeqytetit, bënë të mundur identifikimin e autorit të krimit, i cili dyshohet të jetë Bashkim Qefalia, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, në komunën Paskuqan. Ndërkohë Policia ka identifikuar dhe dy personat e tjerë, bashkëpunëtorë të Qefalisë, por emra e tyre nuk janë bërë të ditur për shkak të hetimit.
Sapo është bërë i munduar identifikimin i autorët të dyshuar të ngjarjes, Policia e kryeqytetit ka njoftuar zyrtarisht se vë në dispozicion pesë milionë lekë të vjetra për çdo person që do të japë informacion për vendndodhjen e saktë të autorit të dyshuar.
Policia ka garantuar se do të ruhet në mënyrë të plotë anonimati i personit që do të japë informacionin e saktë për vendndodhjen e autorit që dyshohet se qëlloi me pistoletë në drejtim të Artan, Kujtim dhe Nertil Allushit.
Strukturat e hetimit të krimit në Policinë e kryeqytetit kanë vënë në dispozicion të atyre që disponojnë informacion edhe numrin e telefonit 0694111021. Autori që është shpallur në kërkim nga uniformat blu, akuzohet për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese" dhe armëmbajtjes pa leje.