Zvërneci, fshati piktoresk që "sulmohet" nga vjedhja
REPORTAZH/ Kablli i energjisë elektrike është vjedhur katër herë në këtë zonë, ndërsa uji vijon të jetë një problem
VLORË - "Po të kishte një garim edhe në këtë fushë, do të ishte rekordmen i garantuar". Këto janë fjalët e para që të thotë një i ri nga Zvërneci për fshatin e tij, teksa në nënqeshjen e tij nuk fsheh dot dhimbjen për vendin ku jeton. "Kam pak kohë që kam ardhur nga Greqia, dhe gjatë kësaj kohe vetëm kam dëgjuar: "U vodh kablli... Mbase vendoset kablli... Katër herë vjedhje. Rekord. Kjo mund të ndodhë vetëm këtu. Hajde të kem siguri të sjell dhe gjithë familjen...". Pasi kalojmë në zbrazëtinë e rrugës që çan Zvërnecin, ndalemi në një klub.
E vetmja bisedë që bëhet është vjedhja e kabllit. Nuk mungojnë romuzet, por edhe mllefi për gjendjen e krijuar. Një nga banorët sqaron se mungesën e energjisë e kanë vuajtur disa herë me radhë, ndërsa shkaku është i njëjtë: vidhet kablli i energjisë. "Të diskutosh sot këtë duket sikur është absurditet, - thotë ai, - por ja që ndodh. Madje disa herë. Por nuk është vetëm kjo. Prej më tepër se dy muajsh këtu ka nisur edhe prerja e ujit dhe kohët e fundit ujë nuk ka fare".
Pa ujë dhe pa drita, banorëve nuk u ngelej veçse t'i gëzohen të vetmes gjë që kanë, asaj që u ka dhuruar natyra: peisazhit të zonës, pavarësisht se kjo nuk mjafton për të jetuar normalisht. Një banor i vjetër pohon se "jemi tërësisht të harruar. Nuk mjafton vetëm të jetosh në një zonë që ka interes për turizëm. Nuk mjafton të kesh vetëm pozicionimin të tillë. Jemi të bekuar nga natyra, por të harruar nga qeveria. Të jetosh sot pa ujë e pa drita, është e pamundur. Ngarkojmë kafshët për të marrë ujë, ashtu sikurse qëmoti.
Disa e kanë zgjidhur me puse, ne të tjerët duhet të lypim ujë ku të mundim. Nuk dimë ku të shkojmë, nuk dimë ku të ankohemi. Ndodhemi në një gjendje të vështirë. Unë kam dy djem në Greqi që më marrin tani se duan të vijnë në verë dhe pengohen për të ardhur vetëm sepse nuk kemi ujë e drita".
Por ndërsa nuk po gjejnë dot qetësinë me ujin, kjo e dritave duket se ka çorientuar banorët. "Nëse do kishte shtet, kjo nuk do të ndodhte. Si mund të vjedhin gjithmonë të njëjtën gjë dhe mos të merret asnjë masë? Fare mirë e kupton se shtet nuk ka. Po të funksiononte, ne nuk do të na vidhej kablli një herë në dy ditë",- thonë banorët.
Pyetur për ujin, mësohet se Zvërneci furnizohet nga ujësjellësi i Vlorës. Në lidhje me defektin, drejtori i ujësjellësit Viron Hysi pohon se nuk është defekt i kësaj ndërmarrjeje, por i mosfunksionimit të një linje të tensionit të lartë, i cili pengon pompat të vihen në punë. Përsa i përket energjisë, në një hark kohor prej dhjetë ditësh kablli i cili furnizon me energji elektrike zonën e Zvërnecit është vjedhur tre herë duke lënë pa energji elektrikë fshatin Nartë, Zvërnec, si dhe zonat përreth.
Për pasojë edhe sinjali televiziv, i cili mbulon rrethin e Vlorës ka ngelur herë pas here në terr. Herën e fundit vjedhja e kabllit u bë pranë vendit ku u bë herën e parë, në zonën e quajtur Jalli e Nartës, por dëmi ishte akoma më i madh pasi sasia e vjedhur shkonte në disa mijëra metra. Vjedhja paraardhëse rezultoi te rreth 900 metër kabëll duke lënë pa energji gjithë zonën e fshatit Zvërnec. Tashmë, në rikthimin e energjisë banorët vijojnë të shpresojnë: ishalla nuk vidhet kablli sërish!