Zgjedhjet, Sami Gjergji: Formula për mandatin e dytë
Në një intervistë për “standard”, deputeti i PD-së, Sami Gjergji, flet për të metat më të nxehta politike si dhe kryeçështjen e vitit, zgjedhjet parlamentare. Deputeti Gjergji shprehet se e djathta ka kryer një mandat qeverisës ku mbi të gjitha ka ofruar besimin. Ai thotë se ka besim te lidershipi aktual për mënyrën se si e djathta do të paraqitet para qytetarëve për të kërkuar mandatin e dytë. Ai thotë se është ende herët për të folur për një rikonfigurim të së djathtës. Deputeti Sami Gjergji mbetet optimist për një mandat të dytë që sipas tij, kjo buron nga suksesi i mandatit të parë. Në këtë intervistë, Gjergji komenton edhe ligjin e dosjeve, si dhe heshtjen kushtetuese të Presidentit Bamir Topi.
Zoti Gjergji, a kemi të bëjmë me një tjetër “fërkim” politik midis Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi, me rastin e të ashtuquajturit “hezitim” të këtij të fundit për ligjin e dosjeve ose lustracionit?
Para se t’i hyja politikës në mënyrë aktive (para se të bëja politikë), gjithnjë më është dashur të mendoj dhe të shprehem si një qytetar i zakonshëm, “i lirë” nga vullneti politik. Këto vite të përvojës sime të pjekurisë politike gjatë pjesëmarrjes në Kuvendin e Shqipërisë, në përpjekjet për të mbajtur fjalën e dhënë zgjedhësve se do të shpreh gjithnjë dëshirën dhe vullnetin e tyre, mësova diçka që nuk do ta harroj kurrë: të ndjek me kujdes zhvillimet politike në vend, shkallëzimin e tyre në rrethin e Durrësit, prirjet e çastit dhe prirjet perspektive në raport me interesat e çastit dhe ato të së ardhmes, për të përfaqësuar interesat e përkohshme dhe të përhershme kombëtare të zgjedhësve. Në këtë kontekst, ose në këtë sfond politik, do të desha t’i përgjigjem më së pari dhe më së shumti thelbit të pyetjes, mbështetur në fjalët “fërkim” dhe “hezitim”. Politika është arti i menaxhimit dhe përshtatjes së interesave të individit, grupeve të interesave dhe aleancave politike, të cilat janë gjithnjë në lëvizje dhe zhvillim. Në këtë kuptim do parë dhe analizuar qëndrimi politik i Presidentit Topi si përfaqësues i unitetit të popullit (ose i qëndrimit të paanshëm në raport me qëndrimet e forcave politike dhe aleancave të tyre) çka shprehet qartë në Kushtetutë dhe, veçanërisht, në betimin e Presidentit. Në këtë kuptim dhe në raport me qëndrimin politik të Presidentit Topi, qëndrimi politik i Kryeministrit Berisha (qëndrim kushtetues që përfaqëson interesat e PD-së dhe aleatëve të saj në pushtet) krijon perceptime të tilla që ju i pasqyroni me fjalët “fërkim” dhe “hezitim”. Por edhe pse shumë njerëz “merren” me politikë, harrojnë se fjalët “demokraci” dhe “ndarje pushtetesh” përfaqësojnë pikërisht mbrojtjen e interesave të pakicës nga “diktatura e duarve të votave të shumicës”, sikundër shkruan një analist i shquar amerikan për periudhën e demokracisë amerikane që përfshin presidentët Uashington, Xheferson e kështu me radhë deri te Xhekson, pikërisht atë periudhë kur në SHBA u vendosën standardet e demokracisë moderne. Pa dashur të akuzoj cilindo, për mua personalisht fjalët “fërkim” dhe “hezitim” më duken sikur vijnë nga konteksti atavik (tashmë i lënë pas në kohë) i luftës së klasave (o me ne, o kundër nesh). Në rast se e pranojmë një opsion të tillë pa kundërshtime, atëherë mund të them se si Presidenti Topi, ashtu dhe Kryeministri Berisha respektojnë detyrimet e tyre kushtetuese, përndryshe nënkuptohet se nuk kemi ndryshuar qëndrim politik nga ai i unanimitetit marksist-leninist “Parti – Popull, një dhe të pandarë”.
A është i saktë qëndrimi i Presidentit të Republikës për të kaluar në heshtje ligjin e hapjes së dosjeve apo duhej të sugjeronte rishikimin e tij?
Pyetja e mësipërme, e vendosur përballë fushës së veprimit kushtetues të Presidentit të Republikës (ligji zbatohet ashtu siç shkruhet dhe lexohet), nuk qëndron, sepse e kufizon të drejtën kushtetuese të Presidentit (jo Presidentit Bamir Topi, por Presidentit si institucion kushtetues). Në këtë kuadër të zbatimit ligjor të praktikave kushtetuese, qëndrimi i Presidentit Topi meriton shprehjen: “Zbatoi Kushtetutën”. Të gjitha komentet që më shtyjnë të perceptoj se si është nxitur kjo pyetje justifikohen nga e drejta për ta pare qëndrimin e Presidentit Topi nga këndvështrime të ndryshme të interesit politik të individëve, grupeve të interesit dhe opinionit publik. Tek e fundit ajo që nuk është e paligjshme, merret me mend që është një e drejtë e ligjshme, në rastin konkret një e drejtë kushtetuese e Presidentit, por po aq sa edhe e të tjerëve për ta diskutuar atë në bazë të lirisë së fjalës dhe mendimit që përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që ratifikon Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Sipas jush, a e përjashton ligji i dosjeve Partinë e Punës nga përgjegjësitë apo ai merret me funksionarë të dorës së dytë apo të tretë?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, së pari, do të sillja si argument faktin që ky ligj merr në konsideratë vetëm ato kategori profesionesh, që gjatë periudhës së regjimit komunist, me vullnet dhe pa hezitim, kanë kryer krime kundër njerëzve të ndryshëm. Si dëshmi për këtë argument do të sillja në kujtesën e opinionit mbarëshqiptar qëndrimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Manol Konomi, që refuzoi urdhrin e Enver Hoxhës për të dënuar pa gjyq “armiqtë e Popullit”. Së dyti, do të desha të vë në dukje që nëse ligji do të përfshinte të gjithë anëtarët e Partisë së Punës, atëherë nuk do të ngelej gjë tjetër veçse ta çojë politikën shqiptare drejt kolapsit, sepse dihet që jo të gjithë anëtarët e PPSH-së ka qenë përgjegjës për veprimtarinë kriminale të diktaturës; po ashtu ishte pjesa më e ndërgjegjshme e saj që ngriti zërin për ndryshime (mjafton vetëm një lexim i thjeshtë i historisë së PPSH-së dhe “armiqve” të tillë në gjirin e saj si Sejfulla Malëshova, grupi i Konferencës së Partisë së Tiranës më 1956 etj.) për të kuptuar se pati zëra që nuk e kishin harruar idealin e vërtetë të lirisë dhe demokracisë për të cilat shumë dhanë edhe jetën pa ditur se një ditë komunistët do t’i harronin këto ideale në qoshet e errëta të historisë. Pothuajse 18 vjet përpjekje për vendosjen e një demokracie dhe lirie të vërtetë në një ekonomi tregu, nuk mund të fshihen “me një të rënë të lapsit”. Historia është fat dhe duhet marrë ashtu siç ndodh.
A mund ta zgjidhë në mënyrë të plotë lustracionin ligji i ri për dosjet apo ka nevojë për thellim?
Nuk ka dyshim se asnjë ligj nuk mund t’i zgjidhë plotësisht problemet e së kaluarës historike. Ligje të kësaj natyre përpiqen që të shmangin ndodhitë e së kaluarës në kushtet e reja politike, shoqërore dhe ekonomike, duke ua hequr të drejtën atyre njerëzve që në të kaluarën kanë gabuar me ndërgjegje ose nën presionin e mohimit të privilegjeve që siguronte regjimi komunist. Zhvillimet e mëtejshme politike, shoqërore dhe ekonomike do të nxisin ndryshimet e duhura në raport me kërkesat e kohës. E vërteta do të shfaqet me anë të kohës, pikërisht me pranimin e Shqipërisë në gjirin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Integrimi është dhe do të jetë i vetmi tregues i demokratizimit të jetës politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Në këtë kuptim, “profecitë” përfshi këtu edhe ato të organizmave ndërkombëtare, ndryshojnë në raport me kohën, vendin dhe ngjarjet. Vetëm rasti i pavarësisë së Kosovës më ka bindur dhe ende më bind për një perspektivë të tillë të mundshme.
Ligji dhe më pas zgjedhjet e reja të 28 qershorit, besoni se do ta spastrojnë politikën nga ish-sigurimsat?
Çdo përgjigje me “po” ose “jo”, ose edhe e përzier, do të ishte e gabuar, sepse politika udhëhiqet nga logjika filozofike dhe jo nga logjika matematike 1 + 1 = 2.
Besoni se ish-sigurimsa ka dhe brenda vetë PD-së?
Pyetja në përmbajtje është me vend, por në kuptimin e qëllimit dhe përmbajtjes së ligjit më shumë do t’u shërbente thashethemeve tipike të kafeneve se qëndrimit modern të një politikani që vjen nga radhët e biznesit ku çdo gjë shihet dhe vlerësohet në raportin kosto/përfitim, ose më saktë sa harxhohet dhe sa fitohet. Kujt i duhet dhe i shërben një përfitim i vogël me një kosto të madhe ose e thënë më thjesht: me humbje?!
A ka nevojë e djathta për një rikonfigurim të saj me qëllim fitoren e një mandati të ri qeverisës dhe cila do të ishte formula më efikase për të?
Kjo pyetje më kujton një thënie nga humori popullor i krahinës nga vij: “U fry si gjeldeti, por kishte vetëm një grusht mish”. Nuk e mendoj veten tek ata që bëjnë politikën e madhe në PD, por tek ata që përpiqen t’i ndihmojnë atyre që bëjnë politikën e madhe. Me këtë rast do të desha të them, se bazuar në atë që ka theksuar, thekson dhe do të theksojë lidershipi politik, unë do të përshtat taktikat që u përgjigjen interesave të zgjedhësve në favor me interesat politike të PD-së. Të deklarohem para kohe, më duket sikur të isha bishti e jo sqepari.
Ligji i ri zgjedhor sa e favorizon PD-në në Durrës dhe ju personalisht?
Me keqardhjen më të madhe, deklaroj se përgjigje për një pyetje të tillë nuk gjej, ndoshta, për shkak të asaj se asgjë në karrierën time politike nuk e kam konceptuar dhe nuk do ta konceptoj vetëm si një vendimmarrje personale, por si diçka që varet nga interesa më të mëdha të cilat i respektoj në çdo hap.
Mendoni se PD-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit duhet të angazhojë në listat e deputetëve më shumë biznesmenë?
Biznesmenët janë ajo kategori njerëzish që shquhen për shpirtin e tyre të nismës dhe të sipërmarrjes, por edhe të dështimit dhe të suksesit. Kjo është një e vërtetë njerëzore që ndeshet kudo: në sport, në art dhe… natyrisht, edhe në politikë. Në këtë rrjedhë logjike nuk mund të ketë “receta”. Politika është një fushë veprimi për çdo individ qe e ndien se ka për t’i dhënë shoqërisë ku jeton. E vetmja përparësi e biznesmenit është paraja, por edhe ajo nuk është gjithçka, ndryshe të gjithë biznesmenët do të ishin politikanë dhe anasjelltas. Bazuar te përvoja personale, nuk besoj se më lind e drejta e përgjithësimit. Do të ishte një vetëkënaqësi dhe një dështim politik për mua në qoftë se do të udhëhiqesha nga koncepte të tilla.
Çfarë e bën të besueshme të djathtën për të riqeverisur sërish pas 28 qershorit?
Personalisht, bindem nga opinioni dhe besimi i deritanishëm i zgjedhësve të zonës, që me pak ndryshime, mendoj se karakterizon të gjithë zgjedhësit shqiptarë. Besimi i tyre tek e djathta është rezultat i përftimit real të fryteve nga qeverisja e mirë gjatë këtyre viteve, duke nisur që nga mijëra km rrugë të asfaltuara, qindra shkolla të reja dhe të ristrukturuara, qindra qendra shëndetësore të reja, rritja e konsiderueshme e pensioneve dhe pagave, zvogëlimi i shkallës së korrupsionit e deri tek uniformizimi i ekonomisë në tërësi. Duke shtuar këtu edhe reformat në të gjithë sektorët krijohet siguria që në samitin e ardhshëm në prill 2009, do të jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe së shpejti edhe anëtarë në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto më japin besimin se e djathta e meriton dhe duhet të riqeverisë sërish pas 28 qershorit 2009.