E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i buxhetit, Rama: Të motivohemi për këtë situatë të jashtëzakonshme



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, pranon situatën e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet kjo bashki, por nuk pranon të ndryshojë asnjë nen të buxhetit. Pas rrëzimit të buxhetit të vitit 2009 me votat e PD-LSI-së në Këshillin Bashkiak, Rama u detyrua që në një takim të jashtëzakonshëm, larg përmasave të mbledhjeve të zakonshme, të flasë për buxhetin e këtij viti me qytetarët e Tiranës. Rama ka ftuar në Pallatin e Kongreseve banorët e qytetit, por edhe punonjësit e bashkisë. Kreu i bashkisë akuzoi Kryeministrin Berisha dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, vota e të cilëve rrëzoi investimet e Tiranës. Duke pranuar se situata është e vështirë, Rama u kërkoi punonjësve të bashkisë që të vihen më shumë se kurrë në shërbim të qytetarëve. Ai i konsideroi ata shërbëtorë, ndërsa veten kryeshërbëtor të kryeqytetasve. Sa për akuzat politike, Rama tha se buxhetin e rrëzuan veset e një politike të marrë peng prej 18 vjetësh. “Buxhetin e rrëzoi mekanizmi i vjetër i një lufte politike që nuk ka të bëjë me vullnetin e qytetarëve, por me interesat e politikanëve. Buxheti është i qytetit, jo i politikës, i interesave të qytetarëve dhe jo i synimeve të politikanëve, prandaj jam sot këtu bashke me ju për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme, sepse kemi një fuqi të jashtëzakonshme për këtë qytet të jashtëzakonshëm, qytetarët e të cilit nuk mund të rrezikojnë të mbeten peng, sepse fëmijët e këtij qyteti nuk do t’i lëmë peng të interesave që rrëzuan buxhetin e tyre”, - u shpreh Rama. Më tej, ai shtoi se të gjitha strukturat e bashkisë duhet të motivohen edhe më shumë për të bërë të pamundurën për të përballuar këtë situatë. “Duhet të jemi tërësisht të motivuar për këtë situatë të jashtëzakonshme që ka krijuar politika e politikanëve në një qytet që është i qytetarëve. Dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes të secilit prej jush, energjive tuaja, çdo strukture të bashkisë që të angazhohet si asnjëherë më parë për të bërë më të mirën, sepse si asnjëherë më parë, qytetarët e Tiranës kanë nevojë për ne, në mënyrë që rrugët të jenë të pastra dhe të mirëmbajtura, në mënyrë që në të gjitha ato fusha ku u detyrohemi atyre, shërbimi të jetë i plotë dhe cilësor”, - nënvizoi Rama.

Më tej, ai shpalosi zëra të buxhetit për sa u përket investimeve në rrugë, shkolla, etj., ndërsa la të nënkuptohej se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij për të mos marrë parasysh asnjë prej kërkesave të grupit të këshilltarëve të LSI-së. Buxheti u rrëzua qysh javën e shkuar dhe pritet që shumë shpejt të zhvillohet mbledhja e radhës për ta kaluar në votim. Nëse ai rrëzohet, Këshilli Bashkiak rrezikon të shkrihet dhe qytetarët e Tiranës u duhet të shprehen me votë për këshillin e ri. Ndërsa nuk kanë munguar replikat e ashpra mes Ramës e Metës për buxhetin, nga ana tjetër, Kryeministri Berisha i ka kërkuar Ramës dorëheqjen, sepse i është rrëzuar buxheti. Ndërsa krerët e minibashkive që kundërshtojnë buxhetin e 2009-ës, e akuzuan të premten e shkuar se nuk e ka konsultuar buxhetin me qytetarët, madje nuk ka bërë as takime me ta për këtë çështje. Ata kërkuan që Rama të jepte dorëheqjen, ndërsa shprehën rezervat e tyre për disa elementë të buxhetit të bashkisë.

Rama, njoftim me mail për punonjësit

Të gjithë punonjësit e bashkisë, pasditen e së shtunës kanë marrë një njoftim nga ana e kryebashkiakut ku njoftoheshin se duhet të ishin dje paradite në 10:30 tek Pallati i Kongreseve. Njoftimi është bërë përmes rrugëve elektronike, me mail dhe nuk thuhej arsyeja e këtij takimi. Edhe pse në një ditë pushimi punonjësit ishin të detyruar të shkonin në këtë dëgjesë të beftë të shefit të tyre, pa e ditur se ata do të ishin objekt i kësaj dëgjese. Dje, Rama kërkoi më shumë punë prej tyre në shërbim të qytetarëve.

Refuzimi i buxhetit, histori që përsëritet për Ramën

Në tri mandate të tij si kryetar bashkie, Edi Rama është përballur dy herë me rrëzimin e buxhetit nga Këshilli Bashkiak në votimin e parë. Rasti i parë është 8 vjet më parë, kur Rama i sapozgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës, u përball sërish me votat kundër të këshilltarëve të djathtë që nuk lejuan miratimin e dokumentit kryesor ekonomik. Sekretari i pushtetit lokal në PDK dhe ish-anëtari i Këshillit Bashkiak në atë kohë, Kujtim Gjuzi, shpjegoi dje se si buxheti atëherë u kalua jo me votë të drejtpërdrejtë, por me një vendim qarkullues i cili parashikonte që shumica e këshilltarëve të shpreheshin për buxhetin me firmat e tyre. “Rama e pati zgjidhur këtë me një vendim qarkullues, ndërkohë që sikurse sot edhe atëherë mazhorancën e ka pasur PS-ja me kryetar Leonidha Toskën në vitin 2001, pra u bë një vendim qarkullues pas propozimit të kryetarit të bashkisë. Këshilltarët nuk votonin sipas të drejtës me votim të hapur, pra me kartonin pro, abstenim apo kundër, por merrej firma në tavolinë. Unë në atë kohë nuk e kam dhënë firmën time për atë buxhet. Absolutisht që është bërë kalimi “underground” mund ta quajmë se duke thirrur këshilltarët një nga një dhe duke firmosur do të thotë që nuk është miratuar sipas të gjitha rregullave”, - tha sekretar i pushtetit lokal në PDK.

Gjuzi shpjegoi se nisma në fjalë është vetëm në të drejtën e kryetarit të Këshillit Bashkiak që në 2001 ishte përfaqësues i Partisë Socialiste dhe një gjë e tillë mund të bëhet edhe në ditët e sotme. Por duke i hedhur një shikim përbërjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, në ditët e sotme ai drejtohet nga përfaqësuesi i LSI-së, Sokol Dervishi, forcë e cila është shprehur kategorikisht kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës, madje edhe me votë, pasi sipas saj, ky dokument financiar nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.

Buxheti, LSI-ja nuk tërhiqet, do votojë kundër

Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të mos lëkundet në qëndrimin e saj për të mos e votuar buxhetin e bashkisë për 2009-ën. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, i kujtoi sërish Ramës bashkëpunimin e tij me PD-në për të ndryshuar Kushtetutën në këmbim të Kodit Zgjedhor si dhe ligjit për Prokurorinë. “Edi Rama, në qoftë se do vota për të vazhduar vjedhjen e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, fare mirë këto vota mund t’i marrë atje ku i ka marrë dhe në 21 prill për të bërë Kushtetutën, pra tek PD-ja, atje ku i mori, i ndau dhe i shkëmbeu për të shkatërruar Prokurorinë, Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor”, - tha ai. Edhe një herë ai rikonfirmoi se LSI-ja nuk do të jetë kurrë në mbështetje të buxhet- rrumpallave të paargumentuara, të paprovuara dhe nuk do të motivojë e nuk do të mbështesë me votën e saj asnjë qindarkë të qytetarëve të Tiranës, e cila vidhet dhe shpërdorohet. Ai komentoi deklaratat e djeshme të Ramës të bëra në Pallatin e Kongreseve. “Mendoj që ky hipokrit i pandreqshëm ka vendosur që të zëvendësojë përfundimisht popullin e Tiranës me nëpunësit e tij, ka vendosur që në mënyrë të papërgjegjshme dhe me dëgjesa të sajuara bashkiake të zëvendësojë interesat e mijëra e mijëra qytetarëve. Në vend që të shpjegojë, të reflektojë dhe të argumentojë buxhetin e Bashkisë së Tiranës atje, me të zgjedhurit e kësaj bashkie nga qytetarët, me këshilltarët bashkiakë që kanë dhe autoritetin për ta miratuar atë, ka vendosur që si qëmoti të bëjë fjalime dhe patetizma të karakterit qesharak neodiktatorial”, - tha Vasili

Shalsi: Meta e Berisha, bashkë për qëllime personale

Ashtu si kryetari i bashkisë, edhe numri dy i saj nuk ka mbetur pas në daljet publike për të akuzuar Berishën dhe Metën se për interesa personale rrëzuan buxhetin e Bashkisë së Tiranës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, tha se Berisha dhe Meta kanë vënë interesat e tyre personale mbi nevojat e qytetarëve. Reagimi i tij erdhi si rezultat i deklarimeve të Partisë Demokratike dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me buxhetin e Tiranës. “Deklarimet e Berishës dhe Metës së ditës së sotme tregojnë edhe një herë se Berisha dhe Meta kanë vënë interesat personale mbi nevojat e qytetarëve, luftën për pushtet mbi shërbimet për qytetin”, - u shpreh nënkryetari Shalsi. Më tej, Shalsi theksoi duke thënë se Berisha dhe Meta janë të verbuar nga lufta për pushtet. “Ilir Metën dhe Sali Berishën i ka bashkuar verbëria për të parë qytetin, shurdhëria për të dëgjuar njerëzit, mungesa e ndjeshmërisë për hallet dhe problemet e qytetarëve. Me sa duket, Ilir Metën dhe Saili Berishën i bashkon i njëjti hall, lufta për pushtet”, - përfundoi Shalsi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›