E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Thaci: Serbia po provokon një konflikt

PRISHTINË- Paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në territorin e Kosovës paraqet konflikt të hapur, ndaj të cilit Kosova do të kundërpërgjigjet, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri kosovar gjatë mbledhjes së qeverisë shprehu qëndrimin kundër pretendimit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovës, duke nënvizuar se ato janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Fillimisht në emër të Qeverisë shpreh edhe njëherë qëndrimin e shtetit të Kosovës të institucioneve të Kosovës rreth pretendimit dhe tendencës së Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale apo të përgjithshme në territorin e Republikës së Kosovës. Ne vazhdojmë të theksojmë fuqishëm se ky pretendim është në kundërshtim të plotë me ligjet e Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por gjithashtu në kundërshtim të plotë me rezolutë dhe normat tjera ndërkombëtarë mbi të cilat është shpallur pavarësia”, deklaroi Thaçi.

Thaci u shpreh se qeveria e respekton parimin e dyshtetësisë për të gjithë qytetarët duke përfshirë këtu edhe qytetarët serbë.

Ndërkohë, opozita kërkon nga Qeveria që të mos sillet si organizatë joqeveritare, por të veprojë dhe të parandalojë me të gjitha mjetet dhe masat ligjore, mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›