E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Topalli: OSBE të sjellë sa më shumë vëzhgues

TIRANE- Kryetarja e Kuvendit, i ka kërkuar OSBE sjelljen e një numri të madh vëzhguesish për zgjedhjet e 8 majit. Kërkesa e zonjës Topalli është bërë sot gjatë takimit me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, deputetin austriak Wolfgang Grossruck.

Duke trajtuar zhvillimet politike, kryetarja e Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e 8 Majit të monitorohen nga një numër sa më i madh vëzhguesish të OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Ajo vlerësoi Grossruck si një "mik të ngushtë të shqiptarëve" dhe shprehu mirënjohjen për rolin e tij në zhvillimin e proçeseve demokratike dhe rritjen e imazhit të Shqipërisë në opinionin austriak e më gjerë, informon zyra e shtypit pranë Kuvendit.
Kryeparlamentarja konfirmoi gjithashtu vendosmërinë e Parlamentit dhe Qeverisë që zgjedhjet administrative të 8 Majit të jenë më të mirat.
Nga ana e tij zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së tha se "është kënaqësi e veçantë vizita në Shqipëri, e cila po përjeton zhvillime të mëdha" dhe njëkohësisht, shprehu keqardhjen për organizimin e dhunës ekstreme më 21 Janar."- thuhet në njoftimin e zyrës së medias pranë Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›