E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Maji debat ne Studio e Hapur. Kushtet e opozites

Pavarësisht regjistrimit për procesin zgjedhor të 8 majit, opozita e bashkuar nuk do të jetë pjesmarrëse nëse nuk merr garanci që ato të mbahen sipas standarteve. Ky qendrim u shpreh në “Studio e Hapur” nga përfaqësuesit e opozitës së bashkuar Paskal Milo dhe Petro Koci, ndërsa  përfaqësuesit e maxhorancës Enkelejd Alibeaj dhe Vangjel Tavo thanë se ka një synim të Edi Ramës për të dëmtuar zgjedhjet e 8 majit.

“Kemi shprehur vullnet për të marrë pjesë në zgjedhje dhe tashmë sipari është hapur. Kjo fushatë elektorale e opozitës në fakt do të jetë një fushatë elektorale proteste kundër keqqeverisjes” tha kreu i PDS, Milo.

“Administrata zgjedhore është një nga kushtet e zgjedhjeve. Me sa duket me kushtet e zgjedhjeve do të ketë akoma problematikë në vijim dhe antyrisht opozita nuk mund të shkojë në zgjedhje si cjapi tek kasapi” tha kreu i PSV91 Koci.
“Unë besoj se ka një plan tjetër, shpresoj të mos realizohet. Dëshira për t’i bërë pis zgjedhjet dhe zgjedhjet bëhen pis jo duke qëndruar jashtë. Zgjedhjet bëhen pis duke qëndruar brenda”tha deputeti demokrat Alibeaj.

 “Zoti Rama gjithë këto veprime, gjithë këtë taktike që ka përdorur prej disa muajsh deri më sot edhe gjatë fushatës elektorale, e përdor vetëm e vetëm për të ripërdorur alibinë e votës së vjedhur për të justifikuar një humbje të mundshme në datën 9 maj” tha deputeti Tavo.

Ndërkaq Paskal Milo deklaron se nëse opozita fiton më 8 maj një ditë më pas do të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Në qoftë se opozita i fiton zgjedhjet, ditën tjetër do kërkojë zgjedhje të parakohshme politike” tha Milo.

Partia Socialiste ende nuk ka dërguar komisionerët në komisionet zgjedhore, ndërkohë që kushtet e saj të debatuara edhe në “Studio e Hapur” kanë të bëjnë me listat, kartat e identitetit si dhe me administrimin e procesit sidomos atë të numërimit.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›