E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Garantim i rendit dhe klimë e qetë në zgjedhjet e 8 majit”

04-05-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u takua dje me drejtuesit e strukturave policore në Durrës dhe Elbasan. Policia masa për tubimet përmbyllëse të fushatave

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani verifikoi dje masat e marra nga strukturat policore të qarkut Durrës dhe qarkut Elbasan, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit.
Edhe në këto dy qarqe strukturat policore kanë kryer të gjitha trajnimet e parashikuara si dhe kanë hartuar plan veprimet përkatëse.
“Nëse do të zbatojmë me korrektesë kuadrin ligjor mbi zgjedhjet dhe do të vëmë në funksionim të plotë mekanizmat ligjore, padyshim do të kemi sukses në përmbushjen e rolit dhe detyrave të Policisë së Shtetit për këtë proces zgjedhor”, u shpreh Ministri Nishani.
Aspekti më i rëndësishëm në të cilin Ministri Bujar Nishani u ndal në mesazhet e tij ishte garantimi i ambientit normal për sigurinë dhe qetësinë publike.
“Masat që keni planifikuar të zbatoni duhet të garantojnë një klimë të qetë e të sigurt për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës nga qytetarët duke mos lejuar të ndodhin incidente që cenojnë këtë të drejtë. Detyrat tuaja në këtë proces duhet t’i kryeni me angazhim dhe përkushtim maksimal, si në një aspekt të veçantë, por njëkohësisht normal dhe të zakonshëm të veprimtarisë tuaj. Nuk ka asnjë arsye që punonjësit e policisë të jenë të ngarkuar nga pikëpamja psikologjike për kryerjen e detyrave të tyre gjatë këtij procesi, sepse tashmë kanë një përvojë shumë pozitive në këtë drejtim”, theksoi Ministri Nishani.
Në takimet e zhvilluara në Durrës dhe Elbasan, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerësoi treguesit pozitivë të luftës kundër kriminalitetit dhe zbulueshmërisë së krimeve të rënda, e po kështu përmirësimin e vazhdueshëm të transparencës dhe etikës së komunikimit me publikun. Në kuadër të sezonit turistik që po afron, Ministri Nishani udhëzoi që të gjitha strukturat policore, të rendit publik, të hetimit, të kufirit, të qarkullimit rrugor etj, të funksionojnë si një organizëm i vetëm për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e pushuesve. Në të dy takimet, Ministri Nishani porositi drejtuesit e strukturave policore të mbështesin dhe promovojnë rritjen e integritetit moral dhe profesional të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Policia masa për tubimet përmbyllëse të fushatave
Në prag të zgjedhjeve vendore  të 8 majit, vetëm pesë ditë para ditës së kur shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur kandidatët e tyre të preferuar për drejtimin e bashkive, minibashkive si dhe komunave në rang vendit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, partitë politike kanë depozituar kërkesat zyrtare për zhvillimin e  tubimeve përmbylljes të aktiviteteve për fushatën zgjedhore.
Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit bënë të ditur dje për mediat se “Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar për zhvillimin e tubimit përmbyllës në Sheshin ‘Nënë Tereza’, Tiranë, në 6 maj 2011, duke filluar nga ora 19.00 deri në 21.00, ndërkohë që një ditë më parë, në 5 maj, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka njoftuar mbajtjen e tubimit të saj nga  ora 18.00 deri më 20.00,  në të njëjtin shesh ku do të zhvillohet edhe ai i PD-së”.
Për të garantuar zhvillimin normal të tubimeve të çdo force politike, bazuar në ligjin për  “Tubimet”, Policia njofton se ka marrë të gjitha  masat për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, ndërsa i kujton të gjithë drejtuesit e automjeteve, që në oraret e përcaktuara në këto data, do të ndalohet qarkullimi, si dhe parkimi i automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura e Dajtit deri në Sheshin “Nënë Tereza” Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›