E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë për turistët, dy në pranga

Autori i Lajmit: red.
Ndryshon destinacioni i drogës së Lazaratit. Në sezonin e verës hashashi kthehet në “tregun” vendas dhe klientët më të rregullt janë turistët. Policia ka vënë në pranga dje dy djem romë. Arrestimi është realizuar nga policia e Gjirokastës, e cila sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, tre kilogramë lëndë narkotike. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se të arrestuarit janë Aqif Garo, 25 vjeç dhe Denis Tahiri, 20 vjeç, që të dy, me banim në fshatin Çukë të rrethit Sarandë. Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër pohuan se arrestimi i tyre u bë në orën 13.00, në vendin e quajtur Ura e Lumit, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë. Gjithçka erdhi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga specialistët e Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet”, sqaroi policia. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dy bashkëpunëtorët u arrestuan në flagrancë pasi u kapën me një çantë, brenda së cilës kishte tri pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me marijuanë, gjithsej tre kilogramë. Nga veprimet hetimore dhe deklarimet e tyre rezultoi se dy djemtë, lëndën narkotike e kishin blerë në fshatin Lazarat dhe do ta transportonin për në Sarandë. Burime zyrtare nga policia cituan se “këta shtetas ishin me këmbë dhe ishin në pritje të ndonjë automjeti për të udhëtuar drejt Sarandës në momentin kur u rrethuan nga agjentët antidrogë”. Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se droga e blerë nga trafikantë të fshatit Lazarat, i njohur për “lumë” droge në kultivim dhe shitje, do të tregtohej më pas në Sarandë tek turistë të cilët kanë nisur të mbushin hotelet e bregdetit.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›