E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet dhe "Defiçiti demokratik"

Me termin “deficit demokratik” duhet të kuptojmë tërësinë e angazhimeve apo të një platforme premtimesh që bëhen në një fushate elektorale, e cila në permbajtje ka një mospërputhje objektive të shpërndarjes së vlerave me burimet ekzistuese. Për ta shprehur akoma më qartë ndodh, që në një fushatë zgjedhore ka parti apo grupime që premtojnë shpërndarjen e vlerave mbi mundësitë reale burimore që ka shteti dhe ekonomia e vendit në fakt. Kështu, Partia demokratike erdhi në pushtet me kartën e luftës kundër korrupsionit. E realizoi?- jo-është përgjigja e çdo shqiptari. Madje, me këtë parullë ajo kërkon të futet në zgjedhjet e reja. U ngazhua për një zbatim rigoroz të të gjitha vendimeve të gjykatës. Realizimin e këtij angazhimi e keni parë tek “Fiks Fare” dhe nuk do koment. Premtoi dyfishimin e pensioneve dhe të pagave të mesuesve. E realizoi?- Jo. Lllogaritjet e specialistëve e nxjerrin rritjen reale të pensioneve 6,5%. Legalizimet ishin një tjetër premtim. Shikoni po mbushet mandati qeverisës 4-vjeçar dhe rezultati është minimal dhe shpesh me natyrë selektive. U tha me bujë se do të shtroheshin 6000-km rrugë në fshat, deri tani është shtruar sipas qeverisë 1200- km. U fol për moshën e internetit, por sot janë rreth 300-shkolla të papërshtatshme për mësim, pa folur për rritjen e numrit të analfabetëve apo të numrit të madh të nxënësve në një klasë mësimi. Këtë gjë bëri Partia Demokratike me aleatët e saj. Dukurinë e “deficitit demokratik”po e shohim në gjithë periudhën paszgjedhore. Shumica qeverisëse nuk po i realizon dot premtimet. Jo se nuk do, se s’ka qeveri në botë që të mos ketë dëshirë të kënaqë popullin e saj, por ka arsye objektive, shqip nuk ka burime, që t’i pergjigjet premtimeve (shpërndarjes së vlerave) që bëri në fushatën elektorale. Dukuria e “deficitit demokratik” mund të sjellë rreziqe serioze për sistemin e qeverisjes. Lartësimi tej mase i shpresave popullore nëpërmjet premtimeve në fushatën zgjedhore dhe mosplotësimi i tyre pasi ke marrë pushtetin mund të çojë në rrezikimin e vetë sistemit politik, që në rastin tone është demokracia liberale. Ndërsa, rasti më i butë, në rast se mund ta quajmë kështu, është mungesa e stabilitetit politik dhe kalimi në zgjedhje të parakohshme dhe vendi (perëndimor) hyn në normalitet. Ndërsa në Shqipëri kjo mund të shoqërohet edhe me një kosto, të cilën e vuan gjithë shoqeria, që nga mungesa e investimeve dhe deri në mospranimet apo shtyrjen në organizatat ndërkombëtare siç është Bashkimi Europian etj. Kujtojmë këtu realizimin faktik të buxhetit të shtetit të vitit 2007, ku i munguan 300 milonë dollarë investime, ku peshën kryesore e zinin ato te huajat. Modeli “Shqipëria 1-euro” për të thithur investimet e huaja tashmë eshte plotësisht i dështuar për të mos thënë i diskredituar.Kosto tjetër më pasoja fatale për demokracinë është dhe kalimi në apati i shumicës së popullsisë. I bëhet shumë zhurmë kandidat-anëtarsimit në NATO. Kjo nuk është meritë e qeverisë, por e situateës gjeopolitike dhe gatishmërisë amerikane, që di të vleresojë këtë moment gjeopolitik në interes të politikës së jashtme të saj në kuadër të zgjerimit dhe forcimit të demokracisë në Ballkan. Meritë e qeverisë do të ishte po të ishim disa hapa para në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian si në procesin e anëtarsimit dhe në atë të liberalizimit të vizave. Fakt është se edhe këtu jemi shumë prapa, kur fqinjët tanë maqedonas janë më përpara në drejtim të liberalizimit të vizave. Shtrohet pyetja: ç’duhet të bëjmë që të mos kemi “deficit demokratik” në procesin e ardhshëm të fushatës zgjedhore? Mendoj se duhet të shmarrim përvojën zgjedhore angleze. Në Angli ekziston ajo që quhet “rregulli i Mandatit”, në bazë së cilit partia që fiton shumicën detyrohet të realizoje domosdoshmërisht ato reforma të cilat janë shpallur shprehimisht në fushatën elektorale. Në të kundërt, partia fituese qeverisëse detyrohet të lërë pushtetin, pra të japë dorëheqie. Ky rregull u imponon, por dhe i maturon mirë premtimet programore të subjekteve konkurruese në zgjedhjet legjislative. Në kushtet tona zbatimi i “rregullit të Mandatit” do të kufizonte në maksimum hapsirat e dukurisë së “deficitit demokratik”dhe do të disiplinonte partitë politike në fushën e premtimeve. Zgjedhjet e 3-korrikut 2005 patën dhe probleme të tjera siç është deformimi apo shmangia e votës. Domethënë del në fushate si subjekt politik i majtë dhe votuesi ta jep votën se ka besim tek program i majtë (të paktën këtë bindje ka ai) dhe pas zgjedhjeve zhgënjehet, sepse ai (votuesi) konstaton se vota e tij është shfrytëzuar për të legjitimuar një qeverisje të djathtë. Pra kemi një handikap këtu. Vota e majtë-qeverisja e djathtë. Eshtë e nevojshme gjetja e një mekanizmi në kodin zgjedhor që do të ndalonte praktika të tilla mbas përfundimit të procesit zgjedhur. Problem tjetër mbetet dhe objektiviteti në administrimin e votës, veçanërisht gjatë procesit të votimit dhe momentit të numërimit. Jemi në prag të kodit zgjedhur dhe të procesit zgjedhor. Parandalimi i këtyre problemeve dhe dukurive do të mundësonte një fushatë zgjedhorë transparente, demokratike dhe me standarde perëndimore. Vetë koha e mbarsur me mendimin e progresist demokratik do të bëjë latimin e ashpërsisë së fushatës elektorale dhe do të konsolidojë formimin e sistemit të demokracisë liberale moderne. Detyra e klasës politike dhe e shoqërisë civile (grupet e interesit dhe ato të avancuara) është që ta shkurtojnë kohën për arritjen e standardeve të botës së qytetëruar perëndimore. Dhe kjo arrihet vetëm me vullnet, me bindje të qarta dhe mendime të kristalizuara. Do ta bëjë klasa politike shqiptare këtë? Le të shpresojmë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›