Gripi i derrit, shënohet një tjetër rast i infektuar me virus
Emanuela Sako
Gripi i derrit ka prekur sërish vendin tonë. Një tjetër rast është verifikuar i prekur me gripin pandemik në Spitalin Infektiv të Tiranës. Çka bën që numri i personave të prekur me virusin AH1N1, të shkojë në 35 persona. Rasti i fundit i prekur nga virusi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë çdo rreziku për jetën. Mjeku Pëllumb Pipero është shprehur se megjithëse situata e përhapjes së virusit kohët e fundit ka qenë e qetë, spitalet duhet të qëndrojnë në gatishmëri. Prandaj, Spitali Infektiv ka marrë masat për vendosjen e një pavijoni në gatishmëri për pritjen dhe diagnostikimin e pacientëve të prekur nga virusi i gripit. Madje, ky spital ka marrë masa për hapjen e ambienteve të tjera në këtë pavijon. Në rast se numri i pacientëve do të rritej, atëherë i gjithë spitali do të vendoset në funksion të pacientëve të prekur nga virusi.
Situata
Momentalisht pranë Spitalit Infektiv nuk ndodhet asnjë i shtruar nga gripi i derrit. Të gjithë personat e dyshuar me virus janë diagnostikuar dhe u janë marrë mostrat, të cilat janë dorëzuar në ISHP për kryerjen e analizave paraprake. Specialistët kanë kërkuar që situata të jetë e njëjtë në të gjithë spitalet e vendit, ku të mos ketë neglizhencë në marrjen e mostrave, pasi me rastet e përkeqësimit të gjendjes në disa vende të Europës, situata mund të jetë fatale edhe në vendin tonë. Kohët e fundit, ISHP-ja ka bërë të ditur se spitalet kanë ulur vigjilencën dhe për këtë arsye ka kërkuar rritjen e volumit të punës dhe të merren sa më shumë mostra për personat e dyshuar. Të gjitha rastet e prekura nga virusi, deri tani kanë rezultuar të shëruar plotësisht dhe nuk kanë shfaqur probleme të mëdha shëndetësore gjatë periudhës së prekjes. Por, specialistët bëjnë të ditur se virusi është më i rrezikshëm sidomos tek ata persona që kanë patologji të tjera dhe duke u bashkuar me virusin gripal vënë në rrezik jetën e pacientit.
Vaksina
Pacientët janë duke pritur ardhjen e vaksinës antigrip, e cila dy ditë më parë, u premtua nga Ministri i Shëndetësisë se do të vijë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili bëri të ditur se vaksina kundër gripit të derrit vjen në muajin dhjetor. Po në këtë periudhë do të bëhet edhe vaksinimi i popullatës, sipas kategorive të përcaktuara. Ata që do të përfitojnë të parët shërbimin dot jenë kategoritë e rrezikuara, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personeli shëndetësor, të moshuarit etj. Ndërkohë që Europa dhe vende të tjera të botës janë përfshirë nga paniku i përhapjes së virusit dhe nga një valë pacientësh që kanë humbur jetën Ministri Vasili është shprehur se në vendin tonë situata është e qetë dhe kjo falë masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, të zbatuara nga spitalet e vendit.
Gripi AH1N1, përhapja e virusit në Europë
Virusi i gripit të derrit ka gjetur një përhapje të gjerë në Europë, ku dhe ka shënuar një numër të madh viktimash. Mjaft persona kanë humbur jetën edhe në vendet fqinje me vendin tonë si Italia dhe Greqia. Gripi AH1N1 në Itali ka shënuar viktimën e radhës, ku bëhet fjalë për një grua 45-vjeçare nga Napoli, e cila ndodhej nën kujdesin e mjekëve prej më shumë se 10 ditësh. Shteti fqinj është përfshirë nga një gjendje paniku që pas vdekjes së një vajze 11-vjeçare pak ditë më parë. Vajza e prekur me virus, thuhet se krahas infektimit me gripin A, vajza kishte probleme me zemrën. Vetëm në këto ditët e fundit, numri i fëmijëve që janë dërguar në emergjencë ka shënuar një rritje me gati 80 %. Sipas autoriteteve në vend, në gjendje të rëndë janë edhe një vajzë tjetër 12-vjeçare dhe një burrë 79-vjeçar. Ndërkaq, qeveria në Ukrainë ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për ndalimin e përhapjes së gripit A H1N1. Qeveria ka blerë në mënyrë urgjente nga Zvicra 300 mijë doza Tamiflu për të nisur menjëherë kurimin e personave të infektuar. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri tani, gripi A ka shkaktuar 53 viktima. Bëhet fjalë për 185 mijë të prekur, 7400 nga të cilët janë kuruar në spital. Numri i rasteve të konfirmuara e po kështu pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në krahinat lindore të Ukrainës. Pak ditë më parë, qeveria vendosi të mbyllte shkollat, kopshtet dhe gjithë institucionet në pjesën perëndimore të vendit, dhe hapjen e karantinave në 9 zona, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Në një situatë gati emergjente paraqitet Rumania. Mësohet se në një hotel malor të Sinaia, 40 nga 260 studentë rumunë e të huaj janë infektuar me virusin A h1n1. Studentët e infektuar janë izoluar. Por Rumania është vetëm një ndër vendet në Europë që po përballet me një përhapje të shpejtë të gripit A. Autoritetet në Bullgari bëhen gati të shpallin epideminë, për shkak se numri i të infektuarve në muajt që vijnë mund të arrijë në 2 milionë, në një kohë që Polonia e Sllovakia kanë bërë blerje të mëdha të Tamiflusë.
4 Nentor 2009