Gjendjet gripale shtojnë rrezikun e infeksioneve të veshit
Ditët e fundit janë shtuar shumë rastet me infeksione të veshit. Gjendjet gripale që qarkullojnë, janë shkaku kryesor i shtimit të këtyre rasteve. Veç këtyre, kushtet atmosferike krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin dhe përhapjen e baktereve të ndryshme patogjene, që çojnë në shfaqjen e infeksioneve të veshit. Për këtë arsye, mjekët otorino-laringolog, shpjegojnë se si mund të parandalohen dhe çfarë duhet bërë nëse shfaqen këto probleme. Sipas mjekëve, këto ditë ankesat kryesore kanë qenë dhimbjet e veshit. I ftohti dhe virozët që qarkullojnë në këtë periudhë kanë ndikuar në shfaqjen e infeksioneve të veshit, kryesisht ato që prekin veshin e mesëm. “Fajtor” është bllokimi dhe zënia e hundëve, karakteristikë e gjendjeve gripale, gjë që krijon kushte për kalimin e infeksionit nga hunda për te veshët. Përveç kësaj, temperaturat e ambientit krijojnë kushte për zhvillimin dhe shumimin e baktereve, që shkaktojnë infeksione të ndryshme.
Temperaturat
Ulja e temperaturave ndikon negativisht tek ata persona, të cilët kanë probleme me veshët. Pra, ndryshimi i motit, dhe sidomos ftohja, presupozon edhe rishfaqjen e infeksioneve tek personat që kanë probleme. Një pjesë e infeksioneve fillojnë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kryesisht në hundë dhe kane një refleksion të ndjeshëm tek infeksionet e veshit. Infeksionet e veshëve janë të ndryshme, por më problematiku dhe ai që shfaqet më rëndom është ai i veshit të mesëm. Duke qenë se rrufet që shkaktohen nga ulja e temperaturave ulin rezistencën e organizmit dhe shtohet virolenca apo qëndrueshmëria e mikrobit bën që kjo të ndikojë në rritjen e sëmundjeve të veshit. Duke u bllokuar hundët, duke pasur sekrecione të cilat ndonjëherë edhe qelbëzohen, me ane të lidhjes që hunda ka me veshin, infeksioni penetron dhe këto mikrobe shkaktojnë infeksionin e veshit të mesëm. Në pjesën e brendshme të veshit ka një hapësirë në të cilën formohen mikrobet, të cilat shkojnë deri në qelbëzim. Fillimisht ka një dhimbje të ngadaltë dhe më pas ajo bëhet e padurueshme. Por, ndonjëherë, në gjendjet gripale, si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, ajo ka një zhvillim të vrullshëm, ku për disa orë mund të kalojë në një dhimbje të fortë, dhe deri në çarjen e daulles (membranës) së veshit. Në këto kushte, pacienti është i detyruar që të kërkojë ndihmën e mjekut, e cila konsiston në mjekimin e shkakut dhe të pasojës.
Infeksioni
Shfaqja e infeksionit të veshit varet nga mosha e pacientit. Te fëmijët dhimbja e veshit nis menjëherë, ndërsa tek të rriturit vjen më gradualisht. I sëmuri ankohet për dhimbje të forta të veshit, ndonjëherë mund të shfaqen edhe sekrecione, që rrjedhin nga veshi. Mund të shfaqet temperaturë deri në 39 gradë dhe pacienti ka ulje të dëgjimit. Personat që kanë kaluar më parë otite, pra kanë pasur episode të infeksionit në vesh, duhet që me shfaqjen e shenjave të para të gripit dhe ndjejnë sado pak shqetësim, të shkojnë të mjeku specialist, në mënyrë që t’i paraprijnë rishfaqjes. Por dhe çdo person që ndjen shqetësime, nuk duhet të neglizhojë, sepse mund të ndodhë që sëmundja të bëhet kronike. Nëse nuk kapen në kohë këto raste akute, mund të çojnë në kronicizim të sëmundjes dhe për pasojë një kohë më të gjatë trajtimi. Por mund të ndodhë, që të mbivendoset një gjendje mikrobiale, e cila kërkon trajtim më specifik.
Parandalimi
Parandalimi konsiston në mbajtjen pastër të rrugëve të frymëmarrjes, sidomos të hundës. Nëse keni rrufë, duhet të përdorni me patjetër fiziologjik, i cili është i mjaftueshëm. Mund të përdoret edhe nafazolina, por jo pa kriter. Sipas mjekëve, nëse nafazolina përdoret gjatë dhe pa kriter, mund të ndodhë që të prishë pehashin (ph) e mukozave të hundës. Prandaj nëse rrufa vazhdon më tepër se 4-5 ditë, pra nëse gjendja gripale kalon, dhe bllokimi dhe sekrecionet e hundës vazhdojnë, duhet që të drejtoheni sa më parë te specialisti, për të parë se mos është fillimi i ndonjë sinoziti, apo kërkohet trajtim më i specializuar.
Ndërsa përdorimi i mentolit sipas mjekëve, ndonjëherë mund të ndikojë deri diku në acarim, pasi është pikant dhe duke qenë se mukozat janë të acaruar, mund të mos ndihmojë në zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes. Së fundi, alkooli borik është mjaft i mirë për të qetësuar dhimbjen, për momentin, është dezinfektantë, por pacienti nuk mund të mbetet vetëm të alkooli borik. Nëse shfaqet dhimbja, duhet trajtim dhe skemë mjekimi specifike.
Problemet me aparatin e dëgjimit, shenjat e para që shfaqen
Problemi mund të fillojë me një zhurmë në vesh. Me një ndjenjë rëndese, sikur ka ujë në vesh, sikur ka shkumë sapuni. Por kjo mund të shoqërohet edhe me një bllokim të hundës apo infeksion të grykës. Ndonjëherë kjo ndjesi mbetet në këto stade, por ka raste kur shkohet në ekstreme. Por edhe kur janë këto ndjesi përsëri pacienti ka pasoja, sepse mbetet membrana pak e tërhequr, lindin probleme në vesh, të cilat gradualisht mund të sjellin edhe ulje të dëgjimit, si dhe krijojnë gjendje të papëlqyeshme, duke u shoqëruar me zhurma. Këto janë shenjat e para që mund të hasen tek personat që kanë probleme me aparatin e dëgjimit.
Sipas mjekëve, disa prej pacientëve i neglizhojnë dhe disa të tjerë kërkojnë ndihmë mjekësore. Por, në rastet kur shfaqet dhimbja e madhe, atëherë kuptohet që infeksioni ka arritur kulmin. Mjekët pohojnë se nga eksperienca ka rezultuar, se pacientët kanë pasur infeksione edhe të kockës apo të trurit. Ndërsa tani, këto raste janë shumë të pakta, pasi pacientët janë më të ndërgjegjshëm dhe drejtohen tek mjeku sapo ndiejnë një shqetësim të vogël.
Cilët janë grupmoshat, që preken më shumë nga problemet
Moshat e vogla, sidomos fëmijët janë më të prekur janë personat më të prekur nga problemet e veshit. Tubi që lidh hundën me veshin tek fëmijët është më i shkurtër dhe më i gjerë. Duke qenë se fëmijët, në të shumtën e kohës qëndrojnë shtrirë, favorizojnë këtë problem, pra që infeksioni të kalojë shumë më shpejt nga hunda në vesh. Po kështu, shpeshherë tek fëmijët gjendet edhe “mishi i huaj”, siç i themi në gjuhën popullore, që është pengesë. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme në rast infeksioni, sepse rrit volumin dhe pengon kalueshmërinë. Kurse në moshat më të mëdha hasen më shumë dëmtimet kockore, sidomos të perdes së hundës (që e ndan në dy pjesë). Kjo mund të jetë e njëanshme ose e dyanshme dhe krijon probleme sepse bllokon dhe rrit infeksionin. Pastaj janë shkaqe të tjera, të cilat nisin nga bllokimi i hundës, që vijnë nga mikrobet, pluhurat e punës apo edhe pluhurat e rrugëve. Këshillat për të “shpëtuar” veshin nga rikthimi i infeksionit janë të ngjashme me ato të një gripi. Kështu, ndër të parat do të ishte kujdesi nga viruset, të cilët kapin rrugët e frymëmarrjes, që shpesh janë shkaktarët kryesorë të një infeksioni në vesh. Gjithsecili duhet të ruhet nga i ftohti, nga ambienti ku ka grumbullime kolektive, pasi mund të qarkullojnë viruse të ndryshme. Kërkohet një higjienë e mirë. Po kështu, pacientët mund të përdorin edhe shpëlarjen e hundëve me ujë të kripur, i cili e pastron atë nga papastërtitë. Këshillohet dhe përdorimi i disa medikamenteve, të cilat lirojnë hundët. Ndërsa për rastet kur infeksioni dhe sëmundja ka përparuar, atëherë është e nevojshme që të merret këshilla e mjekut. Po kështu, është e këshillueshme që medikamentet të përdoren sipas këshillave të mjekëve. Ndërsa në praktikën e përditshme këshillohet edhe kryerja e avujve dhe e kompresave të ngrohta.
Simptomat
Zhurmë në vesh
Ndjenjë rëndese të veshit ose pjesës së kokës
Ndjenjë e bllokimit të veshit nga uji
Ndjenjë sikur veshi ka shkumë sapuni
Bllokim të hundëve
Infeksion të grykëve
Ulje të dëgjimit
Tërheqje të membranës së veshit
Këshilla
Nëse shfaqet dhimbja e veshit mund të:
Vendosni kompresa të ngrohta, të thata në vesh
Përdorni si qetësues alkool borik
Përdorni ilaç me pika për zhbllokimin e hundëve
Shmangni kontaktin e veshit me ujin, deri në shërim të plotë
Kur laheni mund të vendosni tapa veshi ose pambuk me ndonjë solucion që nuk depërton uji, për shembull vaj
Kujdes nga viruset që kapin rrugët e frymëmarrjes
Kujdes nga i ftohti
Personat e prekur duhet të largohen nga ambientet e populluara
4 Nentor 2009