Kategoritë që përfitojnë falas sigurime shëndetësore
Emanuela Sako
ISKSH-ja ka përcaktuar një sërë kategorish që përfitojnë falas sigurimet shëndetësore, ndërsa rreth 600 mijë qytetarë derdhin kontribute sipas afateve të përcaktuara me ligj. Rritja e Tarifave në spitale dhe vendosja e sistemit të referimit ka bërë që qytetarët të marrin masa për t’u siguruar. Aktualisht, numri i qytetarëve të siguruar është i ulët, Sipas shifrës së sipërpërmendur, numri i kontribuueseve që janë në marrëdhënie pune është i ulët duke pasur parasysh numrin e popullsisë dhe personave që janë në marrëdhënie pune. Ndërkohë që, mjaft qytetarë punojnë në të zezë dhe nuk mund të paguajnë sigurime shoqërore. Këta persona mund të përfitojnë vetëm nëpërmjet sigurimeve vullnetare. Duke pasur parasysh numrin e kontribuueseve dhe kategoritë e tjera që përfitojnë falas nga shteti, Ministria e Shëndetësisë ka rritur tarifat me qëllim që edhe pjesa tjetër e mbetur jashtë skemës të kontribuojë në mënyrë vullnetare. Kjo mund të ndodhë, pasi qytetarët nuk kanë mundësi të përballojnë tarifat e reja në spitale.
Kategoritë
Në bazë të ligjit një numër i madh personash përfitojnë falas shërbimet shëndetësore të vizitave dhe marrjen e barnave, në bazë të pamundësisë së gjendjes shëndetësore, por edhe të moshës që i përkasin. Kështu, Invalidët e luftës, veteranët, Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët, të verbrit, pensionistët dhe fëmijët, janë pjesë e atyre kategorive që përfitojnë falas pa derdhur kontribute. Numri i të cilëve është tepër i lartë. Kështu, si kontribuues të drejtpërdrejtë janë vetëm 600 mijë persona, në marrëdhënie pune. Çka për MSH-në është një numër i ulët duke pasur parasysh nevojat shëndetësore dhe numrin e personave në marrëdhënie pune. Masat e fundit të marra nga MSH-ja për spitalet e vendit, është një nismë e re e saj për të detyruar qytetarët të rrisin të ardhurat në spitale, nëpërmjet kontributeve, ndërsa ata që vuajnë nga sëmundjet do të marrin shërbim falas apo me tarifa më të ulëta duke përfituar nga skema e sigurimeve shëndetësore.
Pagesa
Qytetarët që nuk kanë mundësi t’i paguajnë sigurimet shëndetësore nëpërmjet të ardhurave që kanë nga puna, mund t’i paguajnë ato vullnetarisht. Personi i siguruar në mënyrë vullnetare përfiton pa pagesë një pjesë të çmimit të barnave të listës së barnave që rimbursohen dhe shërbimin pa pagesë te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes. Që personi i siguruar në mënyrë vullnetare të përfitojë sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Më pas pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo më pak se tre muaj. Kështu, një person që kërkon të sigurohet vullnetarisht, në bazë të rregullores së sigurimit vullnetar nr. 2, datë 30.09.2003, lidh një akt-marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në të cilën përcaktohet shuma e kontributit që personi duhet të paguajë, mënyra e pagesës si edhe përfitimet nga skema. Për të bërë pagesën të gjithë qytetarët duhet të drejtohen pranë qendrave shëndetësore, ku mund të komunikojnë me punonjësit e ISKSH-së, që ndodhen pranë qendrave. Masa e kontributit është e ndryshme sipas disa kategorive që i përkasin. Për të përfituar sigurimet shëndetësore duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni përkatës. Kategoritë që mund të sigurohen në mënyrë vullnetare janë disa dhe të gjithë që bëjnë pjesë në këtë listë mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e skemës së përfitimit nga ISKSH-ja. Në këto kategori përfshihen të gjithë ata qytetarë që nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, ata që nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, ata që nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë. Pjesë e skemës mund të bëhen edhe ata qytetarë që ndodhen jashtë kufijve të vendit. Të tillë janë
studentët shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializimet jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri.
box
Numri i personave që u paguhen sigurimet shëndetësore, sipas kategorive
Persona të paaftë 43 000
Kategoria e të verbërve 10.690
Para e Tetraplegjik 3 000
Invalidë 47.309
Derdhin kontributet 600 000
Pensionistë 500 000
Poliklinikat, shtohen sportelet nga fluksi i qytetarëve
Poliklinikat e kryeqytetit kanë shtuar sportelet për shkak të numrit të madh të pacientëve që drejtohen çdo ditë për t’u vizituar. Burime nga poliklinikat bëjnë të ditur se nga një punonjës që ndodhej më parë në sportele, tani janë vendosur dy, për të bërë sqarime qytetarëve që duan të marrin shërbime në poliklinika. Ata duhet të marrin kuponin nëpërmjet tarifës përkatëse që të drejtohen tek mjeku për të kryer një vizitë.
Vera Spahiu, kryeinfermiere në Poliklinikën Numër 8, në Tiranë, shprehet se tashmë masat janë marrë për të shmangur radhët, që pas rritjes së tarifave në poliklinika dhe vendosjes së sistemit të referimit. “Gjithë pacientët që janë me librezë shëndetësore pajisen me kuponin që janë të siguruar. Ndërsa pacientët që janë të pasiguruar dhe nuk kanë librezë shëndetësore pajisen me mandat arkëtimin për faturën përkatëse. Pagesa për shërbimin e mjekut të familjes është 1ë mije lekë të reja. Pra nga 400 që ka qenë është bërë një mijë lekë të reja. Ndërsa tarifa për shërbimin e mjekut specialist është 1 mijë e 500 lekë të reja”,- shprehet Vera Spahiu. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejnë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t’i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh.
Tafaj: Pagat e arsimtarëve do të vazhdojnë të rriten
Reformimi në arsimin parauniversitar dhe të atë të lartë do të vazhdojë me ritme të shpejta edhe në mandatin e dytë qeverisës. Gjatë renditjes së objektivave të mandatit të dytë qeverisës Tafaj premtoi nga Durrësi se pagat e arsimtarëve do të vazhdojnë të rriten drejt mesatares së 6 vendeve të reja të BE-së. Strategjia e programit të ri qeverisës përfshin shtrirjen e ndjekjes së edukimit parashkollor për çdo fëmijë nën moshën 5-vjeç, subvencioni i teksteve shkollore si dhe transporti falas për të gjithë fëmijët e zonave të largëta.
4 Nentor 2009