“Përpjekje brutale për ti mbyllur gojën medias”
TIRANË - Deklaratë e Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë dhe e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë:
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dënon me forcë dhunën e shëmtuar ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze dhe shpreh zemërim dhe indinjatë të thellë për këtë akt. Akti brutal ndaj gazetarit Baze dëshmon për rreziqet reale me të cilat përballen gazetarët që investigojnë dhe denoncojnë publikisht aferat, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga segmente që qëndrojnë mbi ligjin. Dhunimi i Bazes është një përpjekje mjerane e atyre personave që mundohen përmes grushteve t’i qepin gojën jo vetëm medias, por edhe ndërgjegjes qytetare. “Leksioni” që u përpoqën të japin njerëzit e lidhur me mijëra fije me pushtetin e aferave korruptive në Shqipëri shpreh krizën reale jo vetëm të qeverisjes, e cila është tashmë e kapur nga njerëz me pushtet ekstraligjor dhe kriminal, por edhe përpjekjen brutale për t’i mbyllur gojën medias.
Është qesharak qëndrimi i Ministrisë së Brendshme, e cila deklaron se ka arrestuar dy truprojat dhe ka shpallur në kërkim policor shtetasin Rezart Taçi. Këto deklarata duken aq absurde, njësoj sikur për një veprim të caktuar të kryer nga ministri, t’i ndalohen truprojat dhe ta shpallin vetë ministrin në kërkim. Shqipëria është kthyer në një vend ku gazetarët dhunohen vazhdimisht nga politika, e cila ka zgjedhur si formë të re përdorimin biznesmenëve të pasuruar prej saj për të dhunuar e mbajtur nën presion median. Ballafaqimi i opinioneve, kritikave për qeverisjen dhe hetimi mediatik i aferave korruptive të qeverisë me biznesmenët e saj po merr përgjigje ndëshkuese, brutale dhe publike. Dhuna ndaj gazetarit Baze është dëshmia më e qartë e humbjes së toruas së shtetit dhe të qeverisë, e cila nuk ka lëvizur asnjë milimetër për të hetuar qoftë dhe formalisht të gjitha faktet e publikuara në media për korrupsion dhe përdorimin e qeverisjes për pasurimin e një rrethi të ngushtë personash afër qeverisë. Me të drejtë Shqipëria renditet në vendet e fundit sa i përket lirisë së medias. Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë i kërkon autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi dhe të venë përpara përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në dhunimin e gazetarit Mero Baze. Drejtësia nuk duhet të impresionohet nga lidhjet e botës kriminale të biznesit me qeverinë në këtë hetim. Nga ana tjetër, i kërkojmë qeverisë që të heqë presionin mbi median, presion i cili po përshkallëzohet çdo ditë, herë në mënyrë të kamufluar e herë të drejtpërdrejtë, duke degjeneruar deri dhe në dhunë publike ndaj gazetarëve.
Reagimet
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta:
“Akt i vërtetë kriminal, të zbatohet ligji ndaj autorëve”
Në radhë të parë do të doja të dënoja aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze, të raportuar mbrëmë, dhe të kërkoja nga Prokuroria, nga Policia dhe nga gjitha organet e tjera, të zbatojnë ligjin ndaj autorëve për këtë akt vërtet kriminal. Njëkohësisht shpreh solidaritetin jo vetëm me gazetarin Mero Baze, por me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e mediave në vendin tonë. Gjithashtu ne kërkojmë nga organet e ligjit jo vetëm të zbatojnë atë me përpikëri, por njëkohësisht u bëj thirrje të gjithëve që të distancohen nga akte të tilla, sepse dhuna ndaj gazetarëve dhe dhuna ndaj medias na largojnë nga ato standarde europiane që ne duam të arrijmë.
Deklarata e qeverisë
Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen e Bazes
Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë. Kryeministri Berisha u kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Sikundër kryeministri Berisha thekson edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë.
Deklarata e Presidentit
Presidenti: “Dënoj me ashpërsi aktin vandal”
Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, dënon me ashpërsi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze duke kërkuar nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara Drejtësisë autorët e vërtetë. Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë.
Deklarata e Ambasadës Amerikane
“U skandalizuam nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor. Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit. Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari. Ambasada do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri.
Deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
“Presion dhe dhunë ndaj fjalës së lirë”
... KSHH, atë që ndodhi mbrëmjen e datës 2 nëntor 2009, e konsideron gjithashtu presion dhe dhunë ndaj fjalës së lirë. KSHH, duke u mbështetur në të dhënat paraprake, mendon se gazetari Mero Baze u godit lidhur me detyrën, me funksionin e tij si gazetar dhe analist, si drejtues i emisionit investigativ “Faktori plus”. Në një vend demokratik, roli i medias është i pazëvendësueshëm. Të tentosh t’i mbyllësh gojën një gazetari do të thotë të godasësh fjalën e lirë, pa të cilën nuk mund të konceptohet demokracia, nuk mund të ketë shtet të së drejtës. Është kjo arsyeja që KSHH u sugjeron organeve të ndjekjes ku është bërë kallëzim, që çështja e mësipërme të trajtohet me përparësi dhe me objektivitet. Fajtori ose fajtorët nuk duhet të ngelen pa u ndëshkuar.
Deklaratë e lëvizjes “Mjaft!”: “Të ndiqen ligjërisht autorët”
Lëvizja “Mjaft!” shpreh tronditjen dhe indinjatën e thellë ndaj dhunimit brutal të gazetarit Mero Baze. “Mjaft”-i beson se kjo ngjarje u rrëfen edhe njëherë të gjithë shqiptarëve se sa të cenueshëm e të pambrojtur janë përballë personave të veshur me pushtet ekstraligjor.
Rrahja e z. Baze është dëshmia e radhës mbi rreziqet reale që u kanosen atyre që rreshtohen në vijën e parë të përballjes me korrupsionin dhe shpërdorimin e pronës fizike e morale të këtij kombi. Të gjithë ata që guxojnë të ngrenë zërin ndaj padrejtësive të të mëdhenjve mbi të vegjlit, ndaj abuzimeve të shtypësve mbi të shtypurit, kanë marrë një paralajmërim të shkruar me gjuhën e grushteve. Sot po na thuhet qartë se nuk mund të guxojmë t’u kundërvihemi zengjinëve të rinj e Berluskonëve tanë në miniaturë; se nuk mund të ngremë zërin ndaj biznesmenëve të transaksioneve politike, ndaj bosëve të naftës, apo afaristëve të trafiqeve. Po na thonë edhe njëherë të mbyllim sytë, veshët e gojën përballë të gjitha poshtërsive që luhen në kurrizin tonë, sepse sovrani i vërtetë nuk është shumica, por një elitë kriminale që ka marrë përsipër të kontrollojë shumëçka.
Deklaratë e PDK-së
Ndoka: “Dhuna ndaj Bazes, atentat për fjalën e lirë”
Partia Demokristiane e Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, botues i gazetës “Tema” dhe drejtues i emisionit “Faktori plus”. Dhuna e ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze nga një biznesmen i afërt me qeverinë dhe truprojat e tij është një atentat tjetër që i bëhet fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Partia Demokristiane dënon me ashpërsi këtë akt të shëmtuar dhe u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucional. Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues.
Deklaratë e kryetarit të PS-së:
“Akuzoj personalisht Sali Berishën”
Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze. Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin e gjejnë fuqinë te mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, te paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t’u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit. Qytetarët e këtij vendi kanë mbetur pa shtet, kanë mbetur pa gjykata, kanë mbetur pa prokurori. Shqipëria sot nuk qeveriset nga ligjet dhe barazia para ligjit nuk ekziston. Shqipëria sot qeveriset nga interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t’u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Dhe mbrëmë, njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave të ushqyer nga familja gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare. Sali Berisha nuk mund ta dënojë me një deklaratë bajate nëpërmjet zëdhënëses këtë krim të shëmtuar, që nuk është vepër banale e një të dehuri të larguar në drejtim të paditur, por akt kriminal i një të mirënjohuri botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha, për të cilin pak ditë më parë Policia e Shtetit u fut në konflikt me organet tatimore te dera e ARMO-s dhe të cilit Sali Berisha i bën favore të paligjshme në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Por, Sali Berisha jo vetëm nuk del vetë t’i shoh drejt e në sy shqiptarët dhe t’i sigurojë se ai është në krahun e gazetarit, jo në krahun e dhunuesit të njeriut të shtypit. Por, nga njëra anë ai nxjerr deklaratën boshe të gjoja dënimit të ashpër të dhunës ndaj gazetarit, ndërsa nga ana tjetër i jep mbrojtjen e heshtur të shtetit një personi me të cilin e bashkojnë interesat e fitimet e paligjshme. Lulzim Basha, ministri i Punëve të Brendshme të familjes Berisha, që e ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të Sali Berishës, duhet të ndalonte vetë autorin që udhëhoqi sulmin gjakatar ndaj gazetarit, jo thjesht dy nga gorillat që e bënë për spital njeriun e shtypit. Por, ky kryeshërbëtor i Familjes në pushtet, që ka grabitur për llogari të Sali Berishës fondet e veprës madhore të rrugës së kombit, është çuar në Ministrinë e Brendshme jo për të udhëhequr shtetin në luftën kundër shkelësve të rendit ligjor, por që ta kthejë Policinë e Shtetit në një shërbim të pushtetit të Familjes, për të implementuar në terren zaptimet e tjetërsimet e dhunshme që Sali Berisha u bën me letra pronave të shtetit apo të pronarëve të pambrojtur, për të mbrojtur nga ligji klientët e këtij pushteti, si në rastin e ARMO-s, apo edhe si në rastin e sotëm, shkurt për punët e brendshme të Familjes që po plaçkit përditë Shqipërinë përmes pushtetit të votave të vjedhura në 28 qershor. Vetë Presidenti i Republikës, duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit, për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni. Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushtetit i një familjeje po i bën kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediat në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi. Dua të them në fund, fare sinqerisht, se për mua s’ka asgjë të papritur në këto zhvillime dëshpëruese për vendin dhe shoqërinë tonë. Vota e vjedhur e 28 qershorit e ka futur këtë pushtet në rrugën pa kthim të një zullumi që do të trashet përditë rreth qafës së Shqipërisë. Një pushtet që nuk buron nga vullneti i lirë i popullit është i dënuar të sillet keq e më keq. Ky është një mësim që na e ka dhënë historia e gjatë e demokracisë, por edhe historia e jonë e shkurtër në demokraci, por është një mësim që më shumë se të tjerët duhet të mos e harronte personalisht Sali Berisha, të cilit sot i them: Dil dhe dënoje vetë, me zë e me figurë krimin e mbrëmshëm, që të gjithë ta shohin se përgjakja e dhunshme e Mero Bazes nuk ka spërkatur fytyrën tënde!
Deklaratë e LSI-së:
Haxhinasto: “Dënoj aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze”
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dënoj aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. Çdo akt dhune ndaj çdo qytetari është jocivil, i dënueshëm, dhe i papranueshëm për shoqërinë tonë. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjithë konfliktet, midis individëve dhe institucioneve duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët. U bëjmë thirrje dhe mbështesim organet e Prokurorisë të hetojnë këtë akt dhe të vënë para drejtësisë fajtorët.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
“Institucionet të reagojnë në mënyrë të menjëhershme”
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar në orën 23:00 të mbrëmjes së datës 2 nëntor 2009 nga biznesmeni i njohur Rezart Taçi dhe shoqëruesit e tij në një nga lokalet e kryeqytetit. Fyerjet dhe dhuna fizike e ushtruar mbi gazetarin e njohur, në prezencë të qytetarëve të pranishëm në lokal si dhe të kolegëve Andi Bushati dhe Arban Hasani, pasojnë akte dhune dhe kërcënimi në rrethana dhe prej personash të tjerë, mbi gazetarin politik dhe investigativ Mero Baze....
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon këtë akt dhe u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucional. Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë, të kryhen pa shmangie veprimet procedurale. Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të Drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues.....
Shoqatat e gazetarëve:
“10 mijë euro për gjetjen e Rezart Taçit
TIRANË - Shoqatat e gazetarëve, në një reagim pas deklaratës së Rezart Taçit, shprehen se ofrojnë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion mbi vendndodhjen e Rezart Taçit, i cili është shpallur nga policia si person në kërkim. “Shoqatat ndihmojnë kështu forcat e rendit që ky kriminel të vihet sa më shpejt përpara Drejtësisë, në një kohë kur Rezart Taçi shpërndan, përmes zëdhënësit të tij, deklarata false duke e mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze”, - thuhet në deklaratën e shoqatave të gazetarëve shqiptarë.
Më tej në të theksohet se “ndërsa i shpalluri në kërkim, Rezart Taçi, dërgon komunikata për median, Prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje as zëdhënësin e tij, për të mësuar vendin se ku ndodhet biznesmeni i akuzuar”.
Shoqatat e gazetarëve u bëjnë thirrje, gjithashtu, të gjithë qytetarëve të angazhuar të dalin në një protestë paqësore të mërkurën, në ora 12:00, përpara godinës së Kryeministrisë. “Duke qenë se ujditë midis familjes në pushtet dhe biznesmenit që goditi gazetarinë janë të ditura publikisht, ne e konsiderojmë kryeministrin Berisha si njeriun përgjegjës për klimën e mbrapshtë të frikës që po krijohet ndaj mediave dhe shoqërisë duke nxitur në heshtje dhunën ndaj gazetarëve”, - thuhet në deklaratë.
“Kjo klimë mbyllje goje, frikë dhune dhe censure mediatike, janë shenjat e pagabueshme të një totalitarizmi të llojit mafioz. Ky skandal i përsëritur i armikut të vjetër të fjalës së lirë, zjarrvënësit të gazetave, Sali Berisha, kërkon reagimin energjik të të gjithë qytetarëve. Ky është sistemi ku mediat dhe njerëzit e saj ose blihen, ose rrihen; ky është sistemi që kërkon t'i mbajë shqiptarët në verbëri dhe të shurdhuar. Ajo që po përjetojmë është Shqipëria që po ndryshon për keq nën zgjedhjen e familjes së Sali Berishës”, - përfundon deklarata e shoqatave të gazetarëve të Shqipërisë.
Deklaratë e biznesmenit Rezart Taçi:
“Akuzat, synim për tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë time”
Në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze në lidhje me ngjarjen në lokalin “C......”, ku përflitet papërgjegjshmërisht se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze. Gjatë gjithë karrierës time profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta, pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo medie edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mia. Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Opinioni publik është tashmë i mirinformuar për këtë strategji, e cila ka shumë kohë që është gatuar kundër personit tim. Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara Drejtësisë së vendit tim.
Deklarata e stafit të Vizion Plusit
“Kërkojmë arrestimin e Rezart Taçit”
Stafi i Vizion Plusit dënon me indinjatë aktin kriminal të Rezart Taçit, që sulmoi mbrëmë së bashku me shoqëruesit e tij, gazetarin Mero Baze. Ky sulm, i ndërmarrë për shkak të detyrës në mes të kryeqytetit, në një lokal publik, na shqetëson seriozisht në lidhje me ushtrimin e profesionit dhe kërkimit të së vërtetës. Vizion Plus kërkon në mënyrë të qartë nga autoritetet shtetërore arrestimin e Rezart Taçit, vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore, për agresionin kriminal ndaj gazetarit Mero Baze, si shenjë të parë të distancimit të qeverisë nga ky bandit që abuzon nën emrin e pushtetit politik. Ne nuk mund të mjaftohemi vetëm me deklarata përgjithësuese nga qeveria shqiptare, por kërkojmë aksione konkrete, që të provojnë se jetojmë në një vend të denjë, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Europian. Vizion Plus falënderon të gjithë kolegët e mediave vendase dhe ndërkombëtare, shoqatat e gazetarëve, shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, që janë solidarizuar me ne në këtë moment thelbësor për lirinë e medias dhe raportit me të vërtetën, të cilën tentoi ta cenojë Rezart Taçi me shoqëruesit dhe frymëzuesit e tij. Nga ana tjetër, Vizion Plus u bën thirrje dhe atyre kolegëve që nën presionin e Taçit, apo frymëzuesve të tij, përpiqen ta ndajnë opinionin për ta zhveshur këtë bandit nga përgjegjësia e tij kriminale. Vizion Plus garanton të gjithë opinion publik se ne do të vazhdojmë të kryejmë misionin tone për të vërtetën, pavarësisht presioneve dhe ndërhyrjeve kriminale apo politike.
4 Nentor 2009