E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 2009-s, “Gain Bobi” dhe LSI-ja konfirmojnë fitoren e PD-së

10/02/2009  Sondazhet e para për zgjedhjet e 28 qershorit

Zyrtarizohen sondazhet e para elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën e 28 qershorit. Kështu, sondazhet e organizuara nga “Gain Bobi” dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nxjerrin fituese Partinë Demokratike, e pasur nga ajo Socialiste. Ndërkohë këto dy sondazhe ndahen në një pikë, konkretisht për pozicionin e LSI-së në këtë zgjedhje. Sipas sondazhit të “Gain Bobi”, LSI-ja do të arrijë të marrë vetëm 6.1 për qind të votave. Ndërkohë që sipas sondazhit të LSI-së kjo rezulton e treta në renditjen e përgjithshme si subjekt politik.

Sondazhi i “Gain Bobi”

Sipas një sondazhi të realizuar nga qendra për studime humanistike “Gain Bobi”, rezulton se e djathta do të fitojë një mandat të dytë të qeverisjes me 48% të votave, ndërkohë që Partia Socialiste do të marrë vetëm 37% të votave të qytetarëve dhe LSI-ja do të arrijë të marrë vetëm 6.1%. Sipas sondazhit të “Gain Bobi”, humbëset e mëdha të këtyre zgjedhjeve do të jenë partitë e vogla, pasi përveç Partisë Republikane asnjë tjetër prej tyre nuk do të marrë më shumë se 1% të votave të shqiptarëve. Një surprizë politike rezulton nga sondazhi i realizuar nga “Gain Bobi”: Partia “G-99”, e cila, edhe pse e re, arrin të marrë 2.5% të votave. Ndërkaq, sipas sondazhit të realizuar, politikani më popullor është Presidenti i Republikës Bamir Topi me mbështetjen e 76.7% të qytetarëve. Ky sondazh është realizuar gjatë muajit dhjetor dhe janë pyetur 747 qytetarë shqiptarë. “Gain Bobi” njihet si shoqata që organizoi “Exit Pollin” e 3 korrikut të vitit 2005, sipas të cilit PD-ja kishte fituar në Tiranë dhe Durrës.

Sondazhi i LSI-së

Sondazhi i LSI-së nxjerr fitues në zgjedhjet e 28 qershorit PD-në dhe koalicionin e djathtë, ndërsa veten e ka vlerësuar të tretën në renditjen e përgjithshme si subjekt politik.

Rezultatet e sondazhit të kryer kohët e fundit nga një kompani prestigjioze e huaj në bashkëpunim me LSI-në i bëri dje publike sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Petrit Vasili. Ky i fundit ka zgjedhur qytetin e Gjirokastrën për t’iu përgjigjur sondazheve të kryera ditët e fundit, por ende të papublikuara, të cilat janë të papranueshme nga LSI-ja. “Të frikësuar nga rrjedha e madhe e elektoratit të tyre dhe braktisja nga ana e qytetarëve shqiptarë, të dyja forcat politike të vjetra dhe lidershipi i tyre po përpiqen të manipulojnë opinionin publik përmes prezantimit të paniksondazheve aspak të vërteta”, - u shpreh Vasili. Sipas tij, nga rezultatet e dala nga sondazhi i kryer nga kjo parti parashikohet se Partia Demokratike fiton në tetë qarqe të vendit, PS-ja në tre qarqe, ndërsa LSI-ja në një qark. PD-ja dhe koalicioni i djathtë fiton në Qarkun e Shkodrës me 55%, në Qarkun e Kukësit me 51%, në Qarkun e Lezhës renditet e para me 44%, në Qarkun e Dibrës me 39%, në Durrës me 41%, në Tiranë 38% dhe në Korçë me 42%. Ndërsa Partia Socialiste, sipas sekretarit të LSI-së Petrit Vasili, fiton në Qarkun e Fierit me 34%, në Vlorë me 40% dhe në Gjirokastër me 36% . Ndërkohë LSI-ja do të jetë fituese në Qarkun e Beratit me 42%. Në bazë të rezultateve të publikuara nga Vasili për Qarkun e Gjirokastrës nënkupton se PS-ja fiton 2 deputetë me 36%, ndërsa PD-ja me 28% fiton 1 deputet, LSI-ja me 17% fiton 1 deputet dhe PBDNJ-ja me 1 deputet.

Qëndrimi

“Panik- sondazhet e porositura nga Rama dhe nga Berisha, jo vetëm që nuk frenojnë dot rrjedhjen e elektoratit të tyre të zhgënjyer nga mashtrimet e tyre dhe nga keqqeverisja, por njëkohësisht nuk i shpëtojnë dot ata nga ndëshkimi, që i pret në 28 qershor lidershipet e këtyre dy forcave politike, të vjetra, që kujtojnë se mund të mbajnë elektoratin me sondazhe të manipuluara”, u shpreh Meta lidhur me sondazhin e “Gain Bobi”.

Renditja

Sondazhi i organizuar nga shoqata “Gain Bobi” nxirrte fituese të djathtën me 48% të votave, ndërkohë që Partia Socialiste do të merrte vetëm 37% të votave të qytetarëve dhe LSI arrin të marrë vetëm 6.1%. Sipas sondazhit të "Gain Bobi", humbësit e mëdha të këtyre zgjedhjeve do të jenë partitë e vogla. Një surprisë politike rezulton nga sondazhi i realizuar nga “Gain Bobi” Partia G99 e cila edhe pse e re arrin të marrë 2.5% të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›