Zgjedhjet e 8 Majit, ODIHR me raport final javën e ardhshme
Pritet që javën e ardhshme ODIHR të publikojë raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të mbajtura në 8 maj. Ndonëse ende KQZ nuk ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, i cili për shkak të ankimimeve dhe të përsëritjes së zgjedhjeve në disa komuna mund të dalë vetëm pas disa javesh, zëdhënësi i ODIHR Jens –Hagen Eschenbaecher ka sqaruar se raporti perfundimtar do të publikohet në fillim të javës së ardhshme, edhe pse sipas tij data e saktë ende nuk është përcaktuar.
Publikimi i raportit të ODIHR për zgjedhjet vendore është më i rëndësishmi për këtë proces elektoral, pasi do të përcaktojë cilësinë e zgjedhjeve të radhës në Shqipëri, por do të jetë edhe dokumenti baze i referimit për të gjithë faktorin ndërkombëtar, Bashkimin Europian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deri tani raporti paraprak i OSBE ODIHR-it, referuar dhe deklaratës së misionit të vëzhguesve dy ditë pas zgjedhjeve, ka shprehur befasi për qetësine që karakterizoi diten e votimit, ndërsa e cilësoi procesin si transparent dhe konkurrues.
Sugurisht që në kapitullin e fundit të raportit, ODIHR do të publikoje dhe rekomandimet e radhes për reformen zgjedhore. Ato do t’u shtohen 31 rekomandimeve të 2009-ës, te cilat nuk u përfshinë në ligjin e zgjedhjeve për shkak të mungesës së dialogut politik.
Mes këtyre rekomandimeve dhe vetë raportit pritet të jepet dhe qëndrimi për numërimin e votave në Tiranë, ku pas një gare të ngushtë, u numëruan nga KQZ edhe votat per kryetarin e bashkisë së Tiranës që nuk u hodhën në kutinë respektive, pasi kodi zgjedhor nuk kishte asnjë element që t’i cilësonte ato të pavlefshme.
Opozita sulmoi këtë numërim, duke agravuar qëndrimin e saj deri në kërcënim për trupën e Kolegjit Zgjedhor, gjykatë që sipas kreut të mazhorancës dha një kontribut cilesor në pasurimim e doktrinës zgjedhore në Shqipëri. /abcnews/