E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Utd, ngec Chelsea

Nga Express më 14 gusht 2011 në ora 19:15

Kampioni aktual i Premierligës, Manchester United e ka filluar sezonin e ri me fitore 2-1 në udhëtim te West Bromëich Albion, të dielën. Ekipi i Sir Alex Fergusonit edicionin e kaluar fitoi titullin e 19-të rekord në ligë ndërsa filloi sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, me tri pikë. Sulmuesi Wayne Rooney e vazhdoi aty ku e kishte lënë sezonin e kaluar, duke shënuar golin e epërsisë për Djajtë e Kuq në minutën e 13-të.

Por, WBA u kundërpërgjigj duke barazuar nëpërmjet Shane Long i cili me një diagonale mposhti portierin David de Gea. Mirëpo, kur pikët e plota dukeshin mision i komplikuar, përforcimi i ri Ashley Young depërtoi nga krahu i majtë dhe dërgoi një top para portës që u devijua në rrjetë nga mbrojtësi i WBA-s, Steven Reid.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar të dielën, Andre Villas-Boas debutoi si menaxher i ri i Chelseas në Premierligë me barazim 0-0 në Stoke në ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri. Portieri i Stoke, Asmir Begovic e dëboi topin mbi portë pas goditjes nga John Obi Mikel ndërsa ishte i kërcënuar edhe nga sulmuesi Nicolas Anelka në pjesën e dytë.

Chelsea kishte disa kërkesa të refuzuara për penallti përfshirë rastin kur Frank Lampard u rrëzua pas ndërhyrjes nga Marc Wilson. Villas-Boas u angazhua në vend të Carlo Ancelottit pasi sezoni i dytë nën drejtimin e italianit përfundoi pa asnjë titull të fituar për gjigantin londinez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›