Balla: Topalli, hajdute dietash. Kryetarja: Shpife, je i përjashtuar
Tension dhe akuza mes maxhorancës dhe opozitës. Topalli përjashton nga seanca deputetin e PS-së, Balla, për shpifje
Deputeti i PS-së, Taulant Balla u përjashtua nga seanca e djeshme prej Kryetares, Topalli, për shpifje. Debati lindi pikërisht gjatë diskutimit të ndryshimeve të paraqitura për miratim në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”, të cilat parashikojnë të vendosin rregulla më të forta, sidomos për transaksionet e mëdha bankare, kontrollin e pasurive të politikanëve të huaj, si dhe vendosjen e një mandati të drejtorit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Duke përfituar nga diskutimi i këtij projektligji, deputeti i PS-së Taulant Balla ka nisur të denoncojë ato që ai i konsideron si pasuri të pista të deputetëve të djathtë, ministrave dhe familjarëve të tyre. “E thënë troç, kryetari i qeverisë së hajdutëve, vrasësve, kryetari i qeverisë së parave dhe pasurive të pista, do të emërojnë personin që duhet të parandalojë pastrimin e tyre”, - tha Balla. Më tej, ai duke iu drejtuar deklaratën e pasurisë së djalit të Berishës, tha se “Shkëlzen Berisha: Të ardhura neto nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme. - 200.000 euro. Në fakt ligji të detyron që të deklarosh përmes një përshkrimi të hollësishëm: emërtimin e kompanisë – aktivitetit, adresën, numrin e regjistrit publik, statusin, objektin e veprimtarisë, funksionin, natyrën e angazhimit. Djali i Kryeministrit ka deklaruar se ka fituar si ndërmjetës (sekser) në fushën e pasurive të paluajtshme 200.000 euro. A janë këto para të pista, apo të pastra? Më thoni kush shqiptar e beson këtë projekt-përrallë që keni sjellë këtu sot”. Më tej, Balla theksoi se pastrimi i parave ka përfshirë dhe politikanë të tjerë, si Luzim Bashën dhe Ilir Metën. “Lulzim Xhelat Basha, i padënuar në fakt i kërkuar nga drejtësia, qoftë për një vjedhje, qoftë për vrasje, plot 200 mijë euro u ka vjedhur ai me një dorë”. “Meta të gjithë e pamë, 700 mijë euro, të pastra?", deklaroi Balla, duke treguar një fotografi që sipas tij, ishte vila e padeklaruar në bregdet e Ilir Metës. Kur ka kaluar në pasuritë e ministrave Bregu dhe Imami, Balla u ndërpre nga Topalli. Më poshtë debati i plotë mes të dyve:
Topalli: Zoti Balla, në bazë të nenit 73, të Kushtetutës, keni 10 minuta që po shpifni dhe për këtë unë ju tërheq vëmendje dhe ju jap vërejtje.
Balla: Meqenëse unë po shpif, po them se kam një deklaratë të zotit Ruli...
Topalli: Në bazë të nenit 65, pika 2, ju po shpifni dhe mund të përfundoni në Gjykatë. Unë po të tregoj rregulloren. Byroja do marrë masat e veta.
Balla: Do më lësh të tregoj ca fakte..
Topalli: Të tregova Rregulloren
Balla: Neni 73 i Rregullores thotë: deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për ato që thonë. Dhe t’i zonjë, mëso Kushtetutën.
Topalli: Neni 73 i Kushtetutës thotë se deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e dhëna dhe votën e shprehur. Kjo dispozitë nuk zbatohet për rastet e shpifjes. Je në rastet e shpifjes.
Balla: (Tregon vilat e ministrave për të cilët po fliste) Më fal moj zonjë, kjo që sheh këtu, të duket shpifje.
Topalli: Ato që fole janë shpifje, ato janë të deklaruara. Janë transparente prej 1 viti.
Balla: Meqenëse më thua se po shpif, kam këtu dhe deklaratën tënde të pasurisë, moj hajdute dietash.
Topalli: Atëherë, ky zotëria këtu është i përjashtuar që nga ky moment nga seanca plenare, dhe Byroja do të marrë masat. Ky është i përjashtuar. Në bazë të Rregullores, unë përjashtoj zotërinë nga seanca e sotme dhe më pas Byroja merr masat e saj.
Jam Kryetarja e Kuvendit dhe kam të drejtë për ta përjashtuar
Tahiri: Vendimin e merr Byroja moj, a je në terezi ti?
Topalli: Unë do mbledh Byronë më pas
Tahiri: Ti po e përjashton që tani, ca Byroje na thua
Topalli: Po Byroja do mblidhet
Dokle: Rregullores po i referohesh gabim. Nuk jeni ju si drejtuese e seancës, të thoni nëse është shpifje ose jo. Është Byroja, ajo që vendos për përjashtimin, jo ti.
Topalli: Po Byroja do marrë vendimin, në bazë të nenit 64, pika 5, “kur deputeti pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare, nëpërmjet zaptimit të foltores dhe mos lejimit të deputetit të radhës të marrë fjalën, për më shumë se dy minuta, atëherë kryetari i Kuvendit i tërheq vërejtje siç e bëra, e paralajmëron për masën e përjashtimit, siç e bëra. Në rast se deputeti vazhdon të mbajë foltoren, edhe pas paralajmërimit, atëherë përjashtohet nga seanca plenare dhe nga komisioni, në maksimumin e kohës së parashikuar nga Rregullorja. Dakord, do mbledh Byronë. Pika 1 thotë se kur deputeti përdor fjalë fyese ose cenon personalitetin e drejtuesit të seancës, ose vazhdon të kryejë shkeljen e rregullores, me urdhër të drejtuesit të seancës përjashtohet nga seanca plenare për atë ditë. Kaq kam unë si kryetare, pjesën tjetër e ka byroja. Do ndërpres seancën për dy minuta dhe zoti Balla, respekto Rregulloren.
Braçe: Kë pengoi ai në foltore, na thuaj kë pengoi? Ai kishte fjalën moj dhe ti e ndërpreve dhe i thua po shpif, kush je ti?
Ahmetaj: Më thuaj çfarë shkeli, që po e përjashton?
Topalli: Meqenëse zoti Balla nuk ka respektuar vendimin tim, atëherë i sugjeroj Byrosë ta marrë këtë fakt parasysh.
Dokle: Zonja Topalli. ju po interpretoni gabim Rregulloren. Unë po i referohem Kushtetutës, ku thuhet se deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë, me përjashtim të shpifjes. Në rastin e Ballës, ju nuk mund të na thoni nëse janë shpifje ato fotografi që na pruri ai këtu. Ju nuk jeni as prokurore, as gjyqtare, që të përcaktoni nëse është shpifje. Prandaj, ju, në zbatim të Kushtetutës dhe Rregullores, nuk keni të drejtë t’i prisni fjalën deputetit dhe as përjashtimin e tij nga seanca
Topalli: Kushtetuta flet për mendimet e deputetit dhe votën e tij. Në rastin e shpifjes, kjo nuk zbatohet.
Nishani: Do t’i drejtohesha z.Balla se ka një vit e gjysmë që na drejtohet në mënyrë të shpeshtë me termat hajdut, vrasës etj. Sesa hajdut jemi ne, apo sa është z. Balla, këtë e dinë ata që na njohin të dy palët. Sesa trafikantë është z.Balla dhe sa ne, këtë e dinë ata që na njohin.
Balla: Kjo nuk është shpifje, moj zonjë?
Nishani: Ju arritët deri aty sa të krijonit një video dhe të ndryshonit shiritin e videos dhe të akuzonit pjesëtarët e qeverisë.
Tahiri: O zotëri, për këtë po heton Prokuroria dhe ti si ministër Drejtësie nuk mund të flasësh kështu.