Lamtumirë Ali Podrimja! Poeti përcillet për në banesën e fundit
Kosovë- Familjarë, kolegë, dashamirës dhe miq të një jetë i dhanë sot lamtumirën e fundit poetit të shquar shqiptar Ali Prodrimja, i cili ndërroi jetë fundjavën e shkuar në Lode të Francës.
Mediat kosovare raportojnë se sot paradite mbërriti trupi i pajetë i poetit Podrimja dhe në orën 12:00 deri në 14:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë u zhvilluan homazhet për nder të princit të letrave shqipe. Teksa në orën 14:00 trupi i Podrimjes u përcoll për në banesën e fundit.
‘Bota Sot’ shkruan se kompozitori Rauf Dhomi tha se poeti i ndjerë Podrimja kishte shprehur dëshirën që varrimi i tij të shoqërohej me muzikë. Ka kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne si kemi besuar. Më pati thënë ‘kur të vdes unë më përcillni me tinguj të orkestrës- tha Dhomi.
Gjatë dy orëve të homazheve dy poetë kosovarë lexuan poezi nga vepra më e njohur e Podrimjes Lum Lumi teksa ceremonia kulmoi me interpretimin e këngës Lamtumirë nga Kori i Burrave të Gjakovës.
Autoritetet franceze konfirmuan të martën se poeti Ali Podrimja vdiq për shkaqe natyrale. Rezultatet e raportit mjekoligjor që janë kryer në Francë i janë dorëzuar Ambasadës së Kosovës atje.
Trupi i pajetë i Ali Podrimjes u gjet në 21 korrikut, në një pyll afër qytetit Lodeve të Francës, prej ku kishte humbur kontaktet tre ditë më parë. Një tjetër raport në detaje për vdekjen e poetit do të jetë gati tek pas 15 ditësh. Atë po e kryen Klinika e Mjekësisë Ligjore në Montpellier, ku ishte dërguar trupi i pajetë i poetit.
Podrimja kishte udhëtuar për në Francë të hënën e 16 korrikut, për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë Zërat e Mesdheut.
Poeti i shquar Ali Podrimja, i cili u gjet i pajetë këtë të shtunë në një pyll të Francës, ka vdekur nga dehidratimi. Ky është rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore të autoriteteve franceze sipas së cilave Podrimja nuk është dhunuar dhe as vetëvrarë.
Ndërkohë Express nga burimet e saj ka mësuar se raporti mjeko-ligjor nuk pritet të mbërrijë në Kosovë para dy javësh, për shkak të procedurave ligjore që duhen zbatuar.
Ali Podrimja, poeti i njohur kosovar është gjetur dje i pajetë në fundjavë pasi u shpall i zhdukur në Lode të Francës. Lajmi u konfirmua nga ministra e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila është njoftuar nga autoritetet franceze. Poeti Podrimja kishte shkuar në festivalin e poezisë Vox de la Mediterranii në qytetin Lodeve në Francë, por nuk është kthyer më tek të njohurit.
/IDEA/