“Zgjedhjet e këtij viti do të rikonfirmojnë fitoren e PD-së dhe të aleatëve të saj”
Flet Astrit Patozi, kreu u grupit parlamentar demokrat, për reformat dhe imunitetet
Mazhoranca pret konsensusin e opozitës për heqjen e imunitetit dhe thellimin e reformës në drejtësi. Parlamenti do të përfundojë nismën për kufizimin e imunitetit
TIRANE - Partia Demokratike do të rikonfirmohet fituese në garën parlamentare në qershor të këtij viti. Ai theksoi se partia më e madhe në vend ka nisur riorganizimin e degëve të saj në rrethe.
Duke iu referuar sesionit të fundit parlamentar gjatë të cilit u miratuan ligje shumë të rëndësishme siç ishte dhe kodi elektoral si dhe ligji për prokurorinë, Astrit Patozi theksoi se të gjithë forcat politike duhet të gjejnë vullnetin për të bashkëpunuar në konsolidimin e mëtejshëm të reformave të cilat shkojnë në interes të kombit. Kreu i grupit parlamentar të PD-s, rikonfirmoi edhe gatishmërinë e PD-ës, për heqjen e imuniteteve të deputetëve
Zgjedhjet dhe PD-ja
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u shpreh dje i sigurt se forcimi i strukturave të PD-së do të sigurojë një tjetër mandat qeverisës.
“PD është në një fazë zgjedhjesh, gjë që do të sjellë dhe forcim të strukturave të saj, për të siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës”, është shprehur kreu i grupit të PD përmes një deklarate për shtyp.
Në këtë kontekst, Patozi nisur nga fakti se sesioni i ri parlamentar është dhe i fundit për këtë legjislaturë, tha se demokratët do të rikonfirmohen fitues në këtë garë parlamentare. Ndër të tjera, kreu i grupit të PD-së ka theksuar se një ndër detyrat parësore të parlamentit në këtë sesion të ri parlamentar do të jetë ngritja e Komisionit Qendror Zgjedhor. “Rikompozimi i KQZ-së sipas formulës së Kodit të ri Zgjedhor do të jetë prioritet i axhendës parlamentare, në fillim të sesionit të ri. Rikompozimi i institucionit zgjedhor besoj se do të jetë një çështje, të cilën parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij”, vijoi më tej Patozi.
Në këtë kuadër, ai theksoi rikonfirmimin e vullnetit të mazhorancës që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të lira, demokratike dhe konform standardeve. Lidhur me këtë aspekt, Patozi shprehu bindjen se kjo qeveri do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të përmbushë të gjitha kriteret në realizimin e zgjedhjeve sipas të gjitha standardeve evropiane.
“Në rast se ne do të kemi parasysh vetëm sesionin e fundit të kësaj legjislature sigurisht që kryesfida e mazhorancës por edhe e gjithë politikës mbetet mbajtja dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne kemi bindje absolute se kjo do të ndodhë për shkak se kemi përshkruar shumicën e rrugës me shumë sukses dhe ka një vullnet të palëkundur të të gjitha strukturave për t`i garantuar zgjedhjet të zhvillohen të lira dhe të ndershme në qershor të këtij viti”, konfirmoi Patozi në vijim.
Ndër të tjera kreu i grupit të mazhorancës tha se Partia Demokratike është e angazhuar për mbylljen e reformave në drejtësi.
Reformat dhe imuniteti
Partia Demokratike ka rishprehur edhe njëherë vullnetin e saj për të shqyrtuar e miratuar sa më shpejt ligjin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke i bërë thirrje opozitës që të mbështesë këtë nismë, kreu i grupit parlamentar të mazhorancës Astrit Patozi deklaroi dje se heqja e imunitetit fillimisht nga deputetët e më pas nga të gjithë zyrtarët e tjerë të lartë që e gëzojnë atë do të sjellë barazi para ligjit.
“Unë mendoj se një sfidë që do t`i bënte nder Parlamentit do të ishte edhe përfundimi i nismës për kufizimin e imunitetit e cila pavarësisht se ka nisur nga mazhoranca e sotme besoj se nuk ka sot kundërshtarë publik por është një nismë që mirëpritet nga publiku shqiptar por edhe nga faktorët ndërkombëtarë”, vijoi kreu i grupit të PD.
Patozi theksoi se imuniteti nuk duhet të shërbejë si mbrojtje për një kategori personash qofshin funksionarë të lartë duke i bërë ata jo me të drejta të njëjta me qytetarët e thjeshtë.
“Besoj se parlamenti ka kohën dhe mundësinë për ta çuar deri në fund këtë nismë e cila do të fillojë me kufizimin e imunitetit të deputetëve por do të vazhdojë edhe imunitarët e tjerë të cilët në mënyrë krejt të panevojshme kanë një koracë e cila i distancon ata nga qytetarët e tjerë të këtij vendi”, u shpreh më tej Patozi.
Njëkohësisht kryetari i grupit Kuvendor të Partisë Demokratike ka kërkuar dje angazhimin e të gjitha forcave politike për të intensifikuar më tej punën në konsolidimin e të gjitha reformave. Patozi theksoi se afrimi i zgjedhjeve parlamentare si dhe i fushatës elektorale nuk duhet të shërbejë si pengesë për parlamentin me vijimësinë e tij në kuadrin e realizimit të reformave.
“Do të thosha se pavarësisht kohës së kufizuar që kemi në dispozicion, e cila nuk premton shumë dhe pavarësisht temperaturës në ngritje që mund të shkaktojë afrimi i zgjedhjeve dhe i fushatës elektorale Parlamenti ka mundësi të avancojë më tej me reformat e ndërmarra”, është shprehur kreu i grupit parlamentar të shumicës.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te reforma në drejtësi, Patozi ka theksuar se kjo reformë vjen si një domosdoshmëri për konsolidimin e sistemit ligjor në vend si dhe njëkohësisht sjell dhe konsolidimin e pavarësisë së institucioneve.
“Parlamenti duhet të gjejë kohë sidomos për reformën në drejtësi për shkak se së pari ajo nuk është një reformë si qëllim në vetvete, por është një nevojë në kuadrin ligjor të vendit por edhe përsosja e institucioneve”, vijoi më tej Patozi.