Shtohen akuzat ndaj kryebashkiakut Edi Rama, gjysma e shkollave të Tiranës pa ngrohje
Zyrtari i LSI-së Luan Rama kërkon marrjen e masave ndaj atyre që kanë abuzuar me fondet
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se ka lënë gjysmën e shkollave të kryeqytetit, 9-vjeçare dhe të mesme pa sistem të ngrohjes qendrore. Në këto ditë të ftohta dimri, Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Luan Rama, shprehu shqetësimin e kësaj force për mungesën e përgjegjshmërisë në reagimin ndaj situatës tejet të vështirë të krijuar për shkak të kushteve të rënda dhe të vështira atmosferike, të cilat jo vetëm nuk janë të papritura, por dëshmojnë edhe një herë se institucionet shtetërore që e kanë për detyrë të përballojnë situata të tilla dhe t’i menaxhojnë ato, nuk janë në lartësinë e detyrës duke shigjetuar m,ë tepër kreun e Bashkisë së Tiranës.
“Në mënyrë të veçantë dua të theksoj gjendjen tejet të rëndë dhe skandaloze në të cilën gjenden shkollat, pothuaj në të gjithë territorin e vendit, të cilat të gjendura në mungesën e kushteve të ngrohjes, e bëjnë pothuaj të pamundur zhvillimin normal të mësimit në parametrat optimalë që të mundësojë edhe efektivitetin e angazhimit të nxënësve, të studentëve, të mësuesve dhe të pedagogëve. Kjo situatë tejet e rëndë nxjerr edhe një herë në pah jo vetëm mungesën e angazhimit dhe të përgjegjshmërisë në investimet e kryera, por ç’është më e keqja, evidenton atë që është sëmundja më e rëndë që përjeton sot i gjithë sistemi shtetëror në Shqipëri, pra evidenton korrupsionin në investimet e kryera dhe nxjerr edhe një herë zbuluar demagogjinë dhe deklarata emfatike me të cilat shoqërohen inaugurimet e shkollave nga Tirana dhe në të gjithë territorin e vendit”, deklaroi Rama.
Sipas tij disa kohë më parë, ndonëse Kryeministri Sali Berisha pati deklaruar se do të çonte përpara përgjegjësisë penale të gjithë ata që nuk do të plotësojnë detyrimin për të garantuar ngrohjen dhe kushtet optimale në të gjitha shkollat e Shqipërisë, kjo nuk është realizuar.
“E kujtojmë këtë angazhim apo deklaratë të Kryeministrit, për ta vënë atë përballë këtij realiteti dhe për të risjellë në vëmendjen e shqiptarëve se ata nuk kanë nevojë më për demagogji, por kanë nevojë për veprim konkret në zbatim të ligjit, kanë nevojë për veprim konkret dhe efektivitet të lartë të qeverisë në garantimin e kushteve. Ju ftoj edhe nga pozita e kolegut ta vëzhgoni me më shumë vëmendje dhe më nga afër situatën në shkollat e vendit, në shkollat e Tiranës, por jo vetëm aty, në të gjithë territorin e vendit, ku do të gjeni kushtet e mjeruara në të cilat zhvillohet mësimi, mungesën totale të ngrohjes në këtë sezon të ftohtë, dhe ku do të dëgjoni realitetin dhe akuzat që bëjnë nxënësit dhe mësuesit kundrejt atyre që kanë investuar në mënyrë të mangët dhe korruptive”, tha Rama.