Përgjimet e “transplantit”, përfshihen zyrtarë serbë
Arrestimi i agjentëve serbë që kërkonin me çdo kusht të siguronin dëshmi të rreme për “transplantet e organeve nga UÇK” gjatë kohës së luftës, ka bërë shumë bujë pas publikimit të fakteve nga gazeta “Express”. Faktet e manipulimit të serbëve janë marrë në përgjimet e bisedave të tyre nga ndërmjetësi (i policisë së Kosovës). Agjentët kanë pohuar (në biseda para arrestimit) se sigurimi i dëshmive të rreme është esencial për sukses, pasi ata s’kanë dëshmi për Shtëpinë e Verdhë në Kukës. Personi që kishte inskenuar se gjoja gjatë kohës së luftës atij i ishte marrë veshka në Shtëpinë e Verdhë në Kukës, takohet me Igorin (një prej agjentëve të arrestuar) dhe ndërmjetësuesin, takimi i fundit i tyre përpara se në Kosovë të vinte një delegacion i BIA-s që do të bënin pazarin final me shqiptarin, në mënyrë që ky të pranojë të dëshmojë se gjoja gjatë luftës atij i është marrë veshka. Shqiptari, i cili gjatë gjithë kohës ka negociuar për çmimin e dëshmisë së rreme, ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Policor të Kosovës. “Kam dëshirë të bisedoj me kryesorin tuaj”, ka thënë shqiptari në një takim të incizuar. Dhe Igor i është përgjigjur se “unë e di problemin që ke pasur ti më herët. Mua nuk ma ndjen për asgjë. Ti ke luftuar për këtë shtet, ti ke dhënë shumë për shtetin tënd, mirëpo ata ty nuk të kanë dhënë asgjë. Domethënë se tash ne të njohim si patriot, unë dhe ky. Unë po kam dëshirë të të ndihmoj. Të gjithë së bashku ta kryejmë një punë të mirë. A po kupton? Kjo do të jetë një e vërtetë si ka qenë. Ti do të jesh dëshmitar i mbrojtur dhe do të takohesh me shokun tim pa problem”, janë fjalët e regjistruara të agjentit serb. Ai vazhdimisht ka kërkuar të shmangë takimin me “kryesorin” në territorin e Kosovës, duke i ofruar Mitrovicën veriore, por edhe Tiranën si variant takimi dëshmitarit shqiptar. Por ndërsa shqiptari ka insistuar të takohen në Reçan, serbi ka pohuar se kanë të bëjnë me profesionistë. “Nuk besoj se do të vinin këtu, sepse ata frikësohen. Ata janë profesionistë. Ata frikësohen”, thotë agjenti serb. Shqiptari e ka pyetur se kush i ofron paratë dhe serbi i është përgjigjur se “paratë i jep shteti, e ata njerëzit t’i japin ty... Shiko, njeriu punon në gjyqësor”. Regjistrimet tregojnë përfshirjen e shërbimeve sekrete të shtetit serb në çështjen e “trafikut të organeve”, duke krijuar interes edhe për procesin që ka nisur të shqyrtohet nga EULEX dhe duke krijuar rrethana mjaft pozitive për reputacionin e Kosovës te ndërkombëtarët.
Kosovë, ORA kërkon vëzhgues ndërkombëtarë për zgjedhjet
Partia opozitare ORA në Kosovë kërkoi dje që zgjedhjet e ardhshme lokale të monitorohen edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë e jo vetëm ata vendorë. ORA ftoi qytetarët që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e 15 nëntorit dhe me votën e tyre të marrin përgjegjësinë për gjendjen në Kosovë. “Urojmë që zgjedhjet të jenë të lira, demokratike, të ndershme dhe transparente”, thanë zyrtarët e ORA-s në konferencën e sotme për media.