Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja alternativë që mbetet
Sovrani duhet të rivendosë në vend parametrat e demokracisë përfaqësuese. Në këtë konkluzion del deputeti Taulant Balla në intervistën e tij për gazetën “Shqip”. Në vlerësimin e tij, Parlamenti nuk do të ushtrojë dot të drejtën e vet kushtetuese për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit përmes një komisioni hetimor parlamentar të mirëfilltë. Balla shpreh bindjen se Parlamenti Europian do ta unifikojë qëndrimin lidhur me krizën në Shqipëri, sepse transparenca, siç thotë ai, është një parim themelor europian i demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe një kriter parësor në listën e kritereve për anëtarësim, që një vend aspirant duhet të përmbushë përpara se të anëtarësohet. Në atë çka thonë socialistët, një unifikim i tillë i qëndrimit do të konvergojë pikërisht në domosdoshmërinë për transparencën e votës. Duke u ndalur në kongresin e pritshëm të Partisë Socialiste, deputeti Balla thotë se përmirësimet statutore që do t’i propozohen këtij forumi të lartë nuk e prekin thelbin e parimeve bazë dhe formës së organizimit të partisë. Sipas tij, këto ndryshime e përshtatin sa më mirë formën organizative të partisë përkundrejt sistemit zgjedhor proporcional rajonal.
Zoti Balla, Partia Socialiste ka prezantuar së fundmi qëllimin e vet për zgjedhje të parakohshme përmes protestave dhe marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin. Si mendoni ju se mund të arrihet ky qëllim, kur 8 muajt e shkuar provuan të kundërtën?
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë qëllim, por alternativa e vetme që mbetet për rivendosjen e demokracisë. Sot në Shqipëri kemi një Parlament që nuk ushtron dot të drejtën e vet kushtetuese për transparencë, që nuk i lejohet të verifikojë zbatimin e ligjeve që vetë ka miratuar dhe mbi gjithçka nuk provon dot legjitimitetin e vet. Nuk mund të ketë një demokraci funksionale në një vend ku nuk ka Parlament legjitim dhe normal, ku pushteti ekzekutiv ushtron presion mbi legjislativin, jo vetëm duke i cenuar pavarësinë, por mbi të gjitha duke e detyruar atë të shkelë hapur dhe në mënyrë flagrante ligjet, rregullat dhe Kushtetutën. Për aq kohë sa Parlamenti nuk do të ushtrojë dot të drejtën e vet kushtetuese, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit përmes një komisioni hetimor parlamentar të mirëfilltë e jo si ajo farsë që pamë të votohej seancën e ditës së premte, atëherë i takon sovranit të rivendosë në vend parametrat e demokracisë përfaqësuese. Partia Socialiste dhe deputetët e saj po bëjnë të gjitha përpjekjet brenda Parlamentit për ta çliruar legjislativin nga kontrolli i ekzekutivit (ekzekutivi = Sali Berisha), për të garantuar transparencën dhe për të verifikuar legjitimitetin e këtij Parlamenti. Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë betejë në Parlament, por tashmë në betejën për transparencë do të bashkohen edhe të gjitha hallet dhe problemet që shqiptarët vuajnë për shkak të keqqeverisjes. Varfëria, rritja pafund e çmimeve të ushqimeve, mallrave bazë dhe energjisë elektrike, papunësia, korrupsioni i berishëve, shkatërrimi i rrugëve elektorale, statusi i minatorëve, ish-ushtarakëve, mësuesit dhe punonjësit e administratës të flakur në rrugë janë lista e motiveve që do të zgjerojnë betejën për transparencë në çdo cep të Shqipërisë deri në largimin e kësaj qeverie.
Një pyetje e rëndësishme që lidhet me krizën e tanishme politike është qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, i cili nuk ka ndërhyrë shumë. Duke qenë se përpjekja e fundit në Kuvend nuk pati sukses, a do të ketë përpjekje konkrete të PS-së për të kërkuar edhe një ndërmjetësim ndërkombëtar?
Unë do të doja të ndalesha dhe të risillja në vëmendje të gjitha deklarimet e bëra nga partnerët tanë kryesorë politikë dhe institucionalë në mbështetje të betejës sonë për transparencën e votës. Kështu, në tetor 2009 Internacionalja Socialiste u shpreh se në Shqipëri duhet të rivendoset demokracia dhe kërkesat e Partisë Socialiste në lidhje me të gjitha dhunimet dhe parregullsitë e zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të pranohen. Në dhjetor 2009, në Kongresin e Partisë Socialiste Europiane, ku socialistët shqiptarë u bënë anëtarë të familjes së socialistëve evropianë, u theksua qartësisht se beteja për transparencën e votës është betejë për parimet e përbashkëta europiane: demokracinë, drejtësinë sociale dhe shtetin ligjor. Në janar 2010, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Rezolutën e posaçme për “Funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri” i kërkoi qeverisë shqiptare të ngrejë, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në shkurt dhe mars 2010, hapja e kutive u kthye në një çështje të Parlamentit Europian, ku socialistët, demokratët dhe liberalët kërkuan si domosdoshmëri për zgjidhjen e krizës në Shqipëri ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshi hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Edhe qeveria europiane, pra Komisioni Europian, përmes komisionerit për Zgjerimin, ka theksuar disa herë impaktin negativ që kriza politike ka mbi procesin e integrimit europian, duke nënvizuar domosdoshmërinë e transparencës. Partia Socialiste bëri një hap shumë të rëndësishëm më 25 shkurt, duke paraqitur dy propozime për zgjidhjen e krizës, por këto propozime u refuzuan turpësisht më 19 mars. Ky refuzim u kritikua ashpër nga ambasadori amerikan dhe nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, si një veprim që e thelloi më tej krizën. Ne i kemi bërë thirrje për reflektim mazhorancës lidhur me gjithçka ndodhi më 19 mars dhe sigurisht edhe partnerët tanë ndërkombëtarë po luajnë një rol të rëndësishëm në drejtim të reflektimit nga ana e mazhorancës.
Si një deputet i angazhuar edhe me çështjet e marrëdhënieve me jashtë në PS, mendoni se ka një qasje ndryshe të PE-së ndaj qëndrimeve të selisë rozë apo ndarja mes të djathtëve dhe të majtëve pritet të mbetet konstante?
Unë u shpreha pak më parë se spektri politik socialist, demokrat dhe liberal në Parlamentin Europian ka theksuar si domosdoshmëri për zgjidhjen e krizës në Shqipëri ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshi hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në deklaratën më të fundit të drejtuesve të grupit të socialistëve dhe demokratëve u shpreh gatishmëria për një bashkëveprim edhe me grupin e Partisë Popullore Europiane në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për krizën. Unë jam i bindur se Parlamenti Europian do ta unifikojë qëndrimin lidhur me krizën në Shqipëri, sepse transparenca është një parim themelor europian i demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe një kriter parësor në listën e kritereve për anëtarësim, që një vend aspirant duhet të përmbushë përpara se të anëtarësohet. Unifikimi i qëndrimit do të konvergojë pikërisht në domosdoshmërinë për transparencën e votës.
ç’do të thotë në fakt marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin, një prezencë vetëm për çështje jashtë rendit të ditës, apo një pjesëmarrje në seanca të veçanta? çfarë synohet që të arrihet me këtë qëndrim, që sidoqoftë aplikohet për herë të parë nga një forcë politike në Shqipëri?
Marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin është shprehje morali politik për forcën tonë politike dhe një detyrim i panegociueshëm i deputetëve të Partisë Socialiste përkundrejt të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve që na kanë votuar më 28 qershor. Ne kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me një Parlament jonormal, pa legjitimitet dhe të kontrolluar nga ekzekutivi. Për aq kohë sa Parlamenti nuk do të ushtrojë dot të drejtën e vet kushtetuese, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit ne deputetët e Partisë Socialiste do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë Parlament. Ne nuk jemi në Parlament për çështje jashtë rendit të ditës, ne jemi në Parlament për çështjen e vetme të rendit të ditës së këtij Parlamenti: transparencën e votës. Ne do të vazhdojmë të jemi në Parlament për t’i garantuar këtij institucioni të drejtën kushtetuese për hetim dhe transparencë.
Në mesin e muajit prill PS-ja ka thirrur kongresin e vet, ku pritet të miratohen disa ndryshime edhe në statut. Ku konsistojnë kryesisht këto ndërhyrje dhe a pasqyrojnë ato një veprim që flet për analizën edhe të gabimeve të kryera para 29 qershorit?
Më datë 18 prill, Partia Socialiste e Shqipërisë ka thirrur në Tiranë autoritetin e saj më të lartë vendimmarrës, kongresin. Edhe në kongres ne do të diskutojmë për krizën politike, për krizën e thellë ekonomike dhe sociale në vend dhe do të vendosim për veprimin e mëtejshëm politik të partisë sonë. Meqenëse ky kongres është një kongres i zakonshëm, i radhës, sikurse ka ndodhur gjithmonë në kongreset e Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991, gjatë punimeve të tij do të diskutohen dhe më pas do të miratohen disa ndryshime statutore. Unë dua të theksoj se në këndvështrimin tim përmirësimet statutore që do t’i propozohen kongresit nuk prekin thelbin e parimeve bazë dhe formës së organizimit të partisë. Këto ndryshime përshtatin sa më mirë formën organizative të partisë përkundrejt sistemit zgjedhor proporcional rajonal.
#