E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, arrestohet 37-vjeçari për vjedhje të kromit

BULQIZË - Një 37-vjeçar u arrestua nga policia vendore nën akuzën e vjedhjes së mineralit të kromit. Duket se sherri i vazhdueshëm ka qenë zona D e minierës në Bulqizë ku janë shënuar jo pak incidente dhe konfliktime mes personave që kanë firmat me licencë dhe të tjerëve të paligjshëm, konflikte që me raste kanë shkuar deri në përdorimin e armëve.


Ndërkohë që gjatë një kontrolli, policia ndaloi 37-vjeçarin A.Peti për veprën penale të vjedhjes së kromit. Krahas prangosjes së tij, policia konfirmoi procedimin edhe të katër personave të tjerë si bashkëpunëtorë në vjedhjen e mineralit të kromit.
Kështu nga aksioni i kryer, policia e qarkut Dibër arriti të sekuestrojë 400 tonë krom dhe 10 makina që e transportonin atë.


Por kromi është rikthyer në karrierat e mineralit, ashtu si dhe makinat që e transportonin sepse policia nuk ka një shesh ku ta vendosë materialin e tillë, ashtu si dhe mjetet e tonazhit të rëndë.


Qytetarët janë të shqetësuar në këtë rajon për përplasjet që ndodhin në atë zone, madje para disa ditësh galerisë së një firme të licencuar i është vënë tritol tek hyrja, duke e shembur dhe duke rrezikuar jetën e minatorëve.


Pronari i ligjshëm i kësaj galerie, Edmond Isaku, tha se është i bindur se një veprim i tillë është kryer pikërisht nga persona që bëjnë tregti të paligjshme, duke vjedhur krom në zonën D të minierës, krejt të pacënuar nga reagimi i policisë. Ai ka kërkuar vendosjen e menjehershme të rregullit në këtë minierë dhe zbatimin e ligjit për këdo.

Makina bie në Shkumbin, s'dihet numri i viktimave


PEQIN - Një person mendohet se ka humbur jetën kur një mjet doli nga rruga dhe përfundoi në ujërat e lumit Shkumbin.


Aksidenti i rëndë ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Tunelet e Paprrit në afërsi të fshatit Murras. Automjeti tip "Ford" me targë DR 6305 E ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin. Ende nuk ka një bilanc të qartë për numrin e viktimave, pasi nuk dihet se sa persona kanë qenë në makinë.


Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30. Sipas të dhënave të policisë rrugore, automjeti në pronësi të shtetasit Roland Sado me banim në lagjen 17 të qytetit të Durrësit ka tentuar të parakalojë një kamion të tonazhit të rëndë. Por më pas drejtuesi ka humbur kontrollin dhe makina ka rënë në lumë.


Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë policia rrugore, zjarrfikëse, autoambulanca më synimin për të nxjerrë automjetin nga uji e për të shpëtuar jetë njerëzish. Operacioni ka qenë tepër i vështirë dhe me shumë mund makina është nxjerrë deri në breg, por s'mundi të dalë prej andej për shkak të pozicionit mjaft të vështirë.


Brenda saj nuk është gjendur asnjë person, çka lë të nënkuptohet se aksidenti ka qenë me pasojë vdekjen. Ende nuk dihet se sa persona kanë qenë në automjet. Policia po punon për të identifikuar viktimat. Deri më tani është përcaktuar se pronar i automjetit rezulton shtetasi Roland Sado.


Pukë


Në orën 16:15, në aksin rrugor Pukë-Qerret, kamioni tip "Benz" me targa TR 6779 L me drejtues Artur Demuçaj nga Puka ka aksidentuar me vdekje shtetasin Afrim Tafilaku, 30 vjeç nga Qerreti. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat.


Korçë


Një kamion ka përplasur një 62-vjeçar, banor të fshatit Bulgarec në rrethin e Korçës. Aksidenti ka ndodhur në segmentin nacional Korçë-Pogradec në afërsi të Maliqit gjatë mbrëmjes së të hënës. Kamioni me targa KO 1182 B drejtohej nga shtetasi Festim Myrtollari dhe ka qenë duke ecur me shpejtësi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›