E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme, KQZ: Kemi nisur punën për infrastrukturën e nevojshme

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar maksimalisht për të garantuar zhvillimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen më 23 Qershor. 

"Presidenti i Republikës caktoi dje datën e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme, për kryetarin e bashkisë Bulqizë, qarku Dibër, Kryetarin e komunës Thumanë, qarku Durrës, si dhe Kryetarin e Njësisë Bashkiake nr.1, qarku Tiranë, më datë 23 Qershor 2013", thuhet në një deklaratë për shtyp të zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj. 

Zëdhënësja e KQZ-së,Hoxhaj sqaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të emërojë me short për çdo parti politike ekspertë kontabël të licensuar, të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2012.

Ajo njoftoi se janë 123 parti politike të regjistruara në regjistrin e partive pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilat duhet të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin 2012 nga ekspertët kontabël të licensuar. 

"Gjithashtu, ju bëjmë me dije se në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, ‘Për Partitë Politike” i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të emërojë me short për çdo parti politike, ekspertë kontabël të liçensuar, të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partite politike për vitin kalendarik 2012. Janë 123 Parti Politike të regjistruara në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të cilat duhet të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin 2012 nga ekspertët kontabël të Licensuar.
Instituti i Ekspertëve të Autorizuar ka sjellë pranë KQZ-së listën e përbërë nga 106 ekspertë kontabël të Licensuar të cilët plotësonin kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, 19 prej të cilëve kanë depozituar pranë KQZ kërkesë për pjesëmarrje në short. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe ekspertët kontabël të garantojnë pjesëmarrjen e tyre në hedhjen e këtij shorti në mbledhjen e datës 03 qershor 2013", theksoi zedhenesja e KQZ. 
(e.m./BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›