E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme kushtojnë 9.6 milion lekë

 TIRANË- Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjesshme vendore të akredituara me 15 Nëntor parashikohet të jetë rreth 9.606.746 lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi paraditen e sotme strukturën e shpenzimeve buxhetore për këtë proces zgjedhor që do të mbahet në pesë njësi vendore në disa qarqe të vendit.
Sipas vendimit, totali i shpenzimeve i detajuar sipas zërave parashikon shpenzimet për pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numurimit të Votave.
Gjithashtu, në këtë buxhet përfshihen dhe shpenzime për materiale specifike, si për prodhimin e fletëve të votimit, të materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime, dieta etj.
Zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit do të mbahen në pesë njësi vendore të vendit, pas mbetjes vakante të postit të kryetarit të këtyre njësive, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit.
PS ka deklaruar se do të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›