E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonezët marrin "kanalizimin e Tiranës" për 9.9 milionë euro

Pas Unazës së Madhe, qeveria merr edhe projektin e "kanalizimeve", duke paralajmëruar një tjetër konflikt me Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për projektin e financuar nga qeveria japoneze, me të cilën kishte negociuar Bashkia e Tiranës, por që paratë do të kalonin përmes garancisë që do të jepte qeveria, sikurse e parashikon ligji për buxhetin. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, prezantoi projektin "Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe", financuar me 9.9 milionë euro nga japonezët.

"Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe zëvendëspresidenti i firmës "Tokjo Engineering Consultants" Co. LTD firmosën sot (dje) kontratën e shërbimit të konsulencës për projektin "Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe", me afat 12-mujor", bëri të ditur Ministria e Punëve Publike.

Vlera e kësaj kontrate është rreth 9.9 milionë euro, ku parashikohet të realizohen projekti dhe supervizimi për fazën e parë, si dhe studimi i fizibilitetit për fazën e dytë.

Afati i kësaj kontrate është 12 muaj dhe u paraprin punimeve reale të ndërtimit me një vlerë prej 106 milionë euro financim i siguruar nga qeveria japoneze nëpërmjet JICA.

Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi falënderoi qeverinë japoneze për mbështetje që i ka dhënë këtij projekti, si dhe shprehu bindjen se me përfundimin e këtij projekti do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i kanalizimeve në qytetin e Tiranës. Ministri garantoi se lumi i Lanës nuk do të përdoret më për derdhjen e ujërave të zeza, pasi projekti i ri synon përmirësimin e sistemit aktual të kanalizimeve dhe lidhje të forta.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›