E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Fasha 300 kilovatorë nuk na shërben për të varfrit

Tarifimi me dy nivele i konsumit të energjisë elektrike nga familjet sipas skemës aktuale duket se është një mekanizëm i pavlefshëm. Ky është mendimi i Entit Rregullator të Energjisë. Enti kreu së fundmi një studim të detajuar mbi konsumin familjar të energjisë elektrike në Shqipëri dhe del në konkluzionin se familjet e varfra nuk kanë mundësi të konsumojnë më shumë se 210 kilovat energji në muaj dhe se për pasojë, fasha aktuale prej 300 kWh përbën jo vetëm subvencion për të varfrit, por edhe subvencion për të pasurit. Studimi i detajuar analizon barrën që fatura e energjisë elektrike përbën për shqiptarët. ERE përdor të dhënat e Institutit të Statistikave për të treguar se fatura e energjisë elektrike përbën 7 për qind të shpenzimeve familjare për të varfrit ndërsa për konsumatorët e tjerë përbën rreth 5.3 për qind të shpenzimeve. Studimi është kryer në bazë të punës për të përcaktuar tarifat e energjisë elektrike për vitin 2010.

"ERE e vlerëson procesin e tarifimit të energjisë elektrike me blloqe si një proces mjaft kompleks dhe marrja e vendimit për çmimet dhe tarifat e vitit 2010 do t‘i nënshtrohet një analize shumë të kujdesshme duke marrë në shqyrtim disa variante tarifimi. ERE do të reflektojë politikat qeveritare për mbrojtjen e shtresave në nevojë duke eliminuar në maksimum mundësitë e ndërsubvencionimit ndërmjet kategorive të ndryshme të konsumatorëve", thuhet në konkluzionin e studimit.

Tarifimi aktual

Shumë vite më parë, në Shqipëri filloi zbatimi i tarifimit të energjisë elektrike me dy nivele. Sot konsumi familjar deri në 300 kWh kushton 7 lekë për kilovatorë, ndërsa mbi 300 kWh në muaj, kushton 12 lekë. (Çmimet janë pa TVSH). Tarifimi me dy nivele, synonte nga njëra anë të detyronte familjet të përdorin më pak energji elektrike për ngrohje dhe gatim dhe ta zëvendësojnë atë me gazin, i cili është burim më i lirë energjie dhe nga ana tjetër, të mbronte të varfrit nga rritja e çmimit. Por sipas ERE-s, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare, rreth 76 për qind, kanë konsum mujor më të ulët se 300 kWh në muaj, ndërkohë që analiza e saj vëren se për të mbuluar nevojat bazë për ndriçim, ujë të ngrohtë, frigorifer e lavatriçe, një familje normale ka nevojë për jo më shumë se 200 kWh në muaj. Për pasojë, buxheti i shtetit, i cili shpenzon 50-100 milionë euro në vit për të mbuluar humbjet e sektorit të energjisë elektrike, po subvencionon jo vetëm në varfrit, por edhe të pasurit. Për më tepër, ERE vlerëson se të varfrit e paguajnë më rregullisht energjinë që konsumojnë.

"Nga të dhënat e OSSH-së rezulton se kategoria e familjeve me të ardhura të pakta që përfiton nga ndihma ekonomike, përfaqëson një kategori konsumatorësh korrektë, të cilët e paguajnë rregullisht faturën e energjisë elektrike të konsumuar", thuhet në raport.

Ndihma për të varfrit

Qeveria shqiptare është përballur vazhdimisht me kërkesat e Bankës Botërore, (kredidhënësi më i madh i KESH) dhe FMN-së, që mbikëqyr politikat publike, për heqjen e subvencionimeve për sektorin e energjisë dhe ndihmesën e të varfërve për faturat e dritave. Edhe për integrimin europian është kusht që çmimet e energjisë elektrike të mbulojnë kostot. Por në Shqipëri, kjo gjë nuk ndodh, sepse qeveritë kanë frikë të përballen me realitetin. Kostoja e energjisë në vendin tonë vlerësohet në rreth 12 lekë për kah, ndërkohë që aktualisht është vetëm 8.5 lekë.

Por ndërkombëtarët kanë sugjeruar gjithashtu që familjet e varfra të ndihmohen nga fondet e buxhetit për të paguar faturën e dritave. Kjo ndihmë është e detyruar edhe nga fakti se nëse çmimet rriten shpejt, atëherë më shumë familje nuk e paguajnë energjinë e konsumuar. Por pavarësisht se qeveria ka rëndë dakord në parim të ndihmojë të varfrit, ajo ka qenë e paaftë të identifikojë se kush janë familjet e varfra dhe sa duhet të jetë fatura e energjisë. Megjithëse një fond subvencionimi është vënë në dispozicion, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk ka qenë e aftë ta shpërndajë atë tërësisht.

Situata pritet të bëhet më shqetësuese aktualisht për shkak të kërkesës së OSSH-së për të rritur çmimet e energjisë për të gjithë konsumatorët në vitin 2010. Ndonëse as ERE dhe as OSSH nuk e kanë bërë publike se sa është rritja e kërkuar e çmimit, Banka Botërore ka kërkuar sakaq nga qeveria të monitorojë më me imtësi pasojat e rritjes së çmimit te familjet e varfra.

"Duke krahasuar të dhënat e përftuara nga regjistri i faturimeve të OSSH-së vihet re se në kategorinë e konsumatorëve me konsum mujor deri në 250 kWh/Muaj, bëjnë pjesë 392 mijë konsumatorë familjarë, ose 55.2% e numrit të përgjithshëm të konsumatorëve familjarë prej 852 mijë konsumatorë", thotë ERE në studim.

Sipas lëvizjes "MJAFT!", e cila u referohet të dhënave informale, propozimi i OSSH është që të hiqet tarifimi dynivelor dhe të përcaktohet një tarifë për të gjithë konsumin prej 9.15 lekë për kWh. Në këtë rast, konsumatorët e varfër do të përballen me një rritje çmimi prej mbi 30 për qind duke filluar nga viti i ardhshëm. Propozimi i OSSH-së po diskutohet aktualisht nga Enti Rregullator dhe nuk është miratuar ende.

Gj. E

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›