E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në Sarajevë, shumë zyrtarë ndërkombëtarë

Sipas shumë analistëve, Bosnja ndodhet në prag të një konflikti civil për shkak të thellimit të krizës institucionale që shkakton edhe kolapsin e sistemit politik. Ky është edhe paralajmërimi që kanë bërë së fundi liderët e vendit. Shqetësimet e tyre kryesohen nga liderët e serbëve të Bosnjës që kanë paraqitur sërish kërkesat e tyre për pavarësi, duke paralajmëruar të gjithë se në kushtet aktuale situata nuk mund të quhet e qëndrueshme.
Ndarjet etnike dhe divergjencat gjithnjë e në rritje mes tyre kanë bërë që shumëkujt t‘u vijnë ndër mend kohët e vështira të konfliktit etnik që zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995 dhe prej të cilit humbën jetën 110.000 persona. Zyrtarë të lartë europianë kanë bërë thirrje për organizimin e një takimi në Sarajevë, në mënyrë që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje e qëndrueshme që do ta evitojë konfliktin. Kriza ka të bëjë me tentativat për të rishikuar gjithë Kushtetutën që iu imponua vendit në vitin 1995 menjëherë pas përfundimit të luftës. Që nga ajo kohë, Bosnja është shndërruar në një shtet që përbëhet nga njësi gjysmë të pavarura, Republika Serbska, e serbëve dhe Federata Kroato-Myslimane. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën përmes disa institucioneve shumë të dobëta qendrore, funksionimi i mirë i të cilave shumë shpesh dëmtohet nga rivalitetet dhe zënkat mes etnive që e përbëjnë. Grupi i serbëve pretendon se të gjitha përpjekjet për të ndryshuar sistemin qeverisës kanë të bëjnë me qëllimin e minimit të pozicionit të tyre dhe absorbimin e tyre në një shtet të centralizuar. Milorad Dodik, Kryeministri i serbëve të Bosnjës i ka konsideruar ndryshimet kushtetuese si "të panevojshme dhe të papranueshme". "Bosnja është një vend që nuk njeh stabilitet, që është qeverisur gjithmonë nga komuniteti ndërkombëtar dhe kjo është më se e qartë tani", ka deklaruar ai. Dodik ka bërë thirrje edhe për organizmin e një referendumi në lidhje me vetëvendosjen, që duhet të jetë një opsion i qartë i ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, ky referendum do t‘i hapë rrugë Republika Serbska që të fitojë pavarësinë e saj nga Bosnja. Sulejman Tihic, lider i Partisë më të madhe Myslimane të Bosnjës, Partia Myslimane, tha se ai ka frikë që në këtë moment situata mund të përkeqësohet dhe mund të plasë një konflikt mes palëve. "Nëse do të vazhdojë në këtë mënyrë nuk ka asnjë dyshim që konflikti është i pashmangshëm. E tërë çështja shtrohet se çfarë lloj konflikti do të jetë dhe se kur do të nisë", ka thënë lideri i partisë. Ndërkohë, sot në Sarajevë do të mbërrijë edhe zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, ministri i Jashtëm i Suedisë, si dhe komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oli Rehn, të cilët do të këmbëngulin në një zgjidhje të shpejtë dhe jokonfliktuale të kontradiktave mes liderëve të Bosnjës. Ky vend ende nuk e ka marrë veten nga pasojat e një lufte që mori jetë njerëzish, shkatërroi ekonominë dhe mbi të gjitha la të traumatizuar të gjithë popullsinë serbe, myslimane, apo kroate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›