E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela-Bakalli zyrtarizojnë Partinë për Ligj dhe Drejtësi: “Do të përfaqësojmë të djathtët e zhgënjyer nga PD-ja”



Ish-deputetët e Partisë Demokratike, Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli, kanë zyrtarizuar dje krijimin e Partisë së tyre për Ligj dhe Drejtësi, duke hapur rrugën e konkurrimit të kësaj partie në zgjedhjet e 28 qershorit. Programi i paraqitur prej dyshes më të lartë drejtuese të Partisë, Ngjela-Bakalli, e pozicion Partinë për Ligj dhe Drejtësi si një parti të qendrës së djathtë. Ata janë shprehur se qëllimi i kësaj partie është respektimi i shtetit ligjor dhe përfaqësimi i interesave të të djathtëve shqiptarë, të cilët janë të zhgënjyer nga politika e ndjekur nga PD-ja. “Në Shqipëri sot funksionon vetëm 17 për qind e zbatimit të ligjit. Ne mendojmë se kemi kapur kontradiktat thelbësore, e një ndër to është mosrespektimi i ligjit”, - është shprehur Ngjela gjatë ceremonisë së zyrtarizimit publik të partisë së tij. “Ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët janë mbështetësit tanë natyralë, por edhe ajo kategori që politika i ka mbajtur larg kutive të votimit do të orientohet drejt nesh”, - u shpreh Bakalli. Avokat Ngjela, vetë ish-i burgosur politik, i pyetur për pezullimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese u shpreh se vendimet e kësaj gjykate duhen zbatuar. “Ne jemi parti e ligjit dhe e drejtësisë dhe nuk pranojmë shkeljen e Kushtetutës. Ne respektojmë institucionet nëse ato e zbatojnë ligjin”, - u shpreh Ngjela. I pyetur për të ardhmen e koalicionit të Polit të Lirisë, Ngjela konfirmoi se deri tani me demokristianët e Nard Ndokës dhe LZHK-në e Dashamir Shehit është rënë dakord vetëm në parim, por se gjithçka do të qartësohet javët e ardhshme.

KQZ-ja: Partitë, brenda 15 marsit të depozitojnë emrat e komisionerëve

Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ndarë me short komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve. Pas shortit rezultoi se PD-ja do të ketë anëtarin e 7-të në KZAZ-të me numër rendor çift, ndërsa PS-ja në KZAZ-të me numër rendor tek. Kështu, në gjysmën e 16 KZAZ-ve të Tiranës, PD-ja do të ketë një anëtar më shumë, dhe në gjysmën tjetër PS-ja do të ketë një anëtar më shumë. Në numër të barabartë ndahen komisionet zonale të Beratit, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Vlorës. Ndërsa në Lezhë e Dibër anëtari i shtatë do të jetë i PS-së, në Shkodër, Kukës, Fier ai do t’i përkasë PD-së. Gjatë mbledhjes së djeshme KQZ-ja vendosi që brenda 15 marsit subjektet politike duhet të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e komisionerëve të tyre për 66 komisionet zonale. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, së cilës nuk i përket asnjë anëtar, ka pasur vërejtje për mënyrën e monitorimit me kamera. Gjatë mbledhjes së sotme KQZ-ja pritet të miratojë udhëzimin për ngritjen e zyrave rajonale zgjedhore në 12 qarqet e vendit. Zyrat rajonale zgjedhore do të shërbejnë për të vendosur një koordinim dhe komunikim më të mirë dhe më efikas midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta. Secila zyrë për këto zgjedhje do të ketë një inspektor rajonal. Për zgjedhjen e inspektorit rajonal do të ndiqen kritere profesionale; të ketë arsim të lartë juridik, të mos ketë lidhje me kandidatët për deputetë, të mos jetë anëtar partie, si dhe të mos jetë ushtarak apo punonjës i policisë. Inspektori i Zyrës Rajonale Zgjedhore emërohet nga sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me propozim të drejtorit të Komisioneve Zgjedhore. Detyra e tij është lidhja midis KQZ-së dhe Komisioneve Zgjedhore të qarkut që ai mbulon. Sipas udhëzimit të KQZ-së, zyrat rajonale zgjedhore janë të përkohshme dhe do të funksionojnë për një periudhë gjashtëmujore, katër muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe dy muaj pas saj.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›