E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredi me interes zero për 5 mijë të pastrehë

Autori i Lajmit: red.
Qeveria ka vendosur t u japë kredi pa interes rreth 5 mijë të pastrehëve në të gjithë vendin. Ky është udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Financave, i cili shfuqizon një tjetër vendim, sipas të cilit të pastrehët do të përfitonin kredi të buta, me rreth 3 për qind.
Sipas këtij udhëzimi të pastrehët do të paguajnë vetëm shumën e kredisë, ndërsa interesat e tjera do të paguhen nga shteti. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, kosto financiare për zbatimin e këtij udhëzimi llogaritet rreth 300 milionë lekë. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ajo e Financave nisën zbatimin e projektit për strehimin e familjeve, kontigjent i cilësuar si të pastreha. Komisioni i Vlerësimit, pranë MPPTT-së ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare për menaxhimin e projektit të kredisë së strehimit.
Kërkesat për Tiranën
Tre janë programet sociale të parashikuara në ligj. Nga këto janë 3 419 aplikues që kërkojnë banesë me kosto të ulët, ndërsa banesë sociale me qira kërkojnë 491 aplikues dhe për tokë të pajisur me infrastrukturë janë 94 aplikues. Nga këta, 842 familje kanë më pak se 100 mijë lekë të ardhura në muaj. Të dhënat janë për 11 njësitë bashkiake të Tiranës, ndërsa Drejtoria e Politikave të Strehimit ka klasifikuar edhe kategoritë e familjeve që kërkojnë shtëpi sipas të ardhurave. Sipas të dhënave të Drejtorisë të Strehimit, janë rreth 922 familje me të ardhura nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj. Gjithsesi, vërtetësia e deklarimit të të ardhurave lë shumë për të dëshiruar. Ky është një problem që është ngritur shpesh nga specialistët e kësaj drejtorie. Këtë argument e përforcon edhe fakti se numri i aplikantëve me të ardhura mbi 50 mijë lekë në muaj është i lartë, rreth 640 familje.
Çmimi i apartamenteve
Ministria e Punëve Publike ka përcaktuar edhe çmimin e blerjes së apartamentit në tregun e lirë. Qytetari nuk mund të gjejë një banesë me çmim më të lartë se ai i përcaktuar. “Parametrat e tjerë janë në vartësi të strukturës dhe sipërfaqeve korresponduese të apartamentit që do të gjejë familja në treg”, - theksojnë ekspertët. Në rast se familja gjen një apartament me një strukturë më të vogël nga ajo që i takon, vlera korresponduese e kredisë i referohet vlerës faktike të apartamentit që gjen familja. Nëse apartamenti që gjen qytetari në treg ka një vlerë prej 3 500 000 lekë, kredia që merr ajo familje është prej 2 250 000 lekë. Në këtë mënyrë familja ka mundësi që të vërë në hipotekë apartamentin dhe të përfitojë një kredi prej 2 250 000 lekë. Nga ana tjetër familja ka mundësi që të vërë në hipotekë një pasuri tjetër, që mund të jetë apartamenti i prindërve dhe që ka një vlerë më të lartë. Kështu mund të përfitojë një kredi në masën prej 3 milionë lekë. Kjo familje, sipas specialistëve, nuk mund të pretendojë për një kredi në masën që do t i takonte sikur të blinte një apartament me strukturë 2+1. “Në të gjitha rastet masa e kredisë llogaritet si përqindje ndaj vlerës faktikë të apartamentit të blerë në treg”, - shpjegojnë ekspertët. Niveli minimal i të ardhurave mujore të familjes është në vartësi të shumës së kredisë dhe kushteve specifike me të cilën negociohet me bankën.

DOKUMENTET E NEVOJSHME TË APLIKIMIT PËR KREDI PËR BLERJE SHTËPIE

1. Dokumentet e aplikantit:

1. Dokument identifikimi

Fotokopje e pasaportës ose

Certifikatë Personale e muajit të fundit për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale) ose

Fotokopje të kartës së identitetit ose të letërnjoftimit

2. Certifikatë familjare për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale)

3. Vërtetim nga Prokuroria dhe gjykata ku specifikohet që aplikanti nuk është në ndjekje penale pranë këtyre autoriteteve (origjinale).

4. Vërtetim nga zyra e qendrës civile mbi adresën e aplikantit dhe dorëzanësit

5. Dokumentacioni mbi të ardhurat (Vërtetim page dhe të tjera sipas rastit).

6. Kontratë shitblerje, Kontratë Porosie ose Kontratë Sipërmarrjeje (sipas rastit, të noterizuara)

2. Dokumentet e kolateralit:

1. Vërtetim Hipotekor ose Certifikatë Pronësie

2. Kartelë Pasurie së Paluajtshme

3. Harta Treguese e Regjistrimit të Pasurisë

4. Origjina e fitimit të pronësisë

5. Raport vlerësimi i kolateralit (Klienti udhëzohet nga banka për plotësimin e këtij dokumenti, pas paraqitjes së dokumenteve të mësipërme në bankë nga ana e klientit).

3. Të tjera

Deklarata për vërtetësinë e kushteve që mbështesin nevojën për strehim të sigluar nga bashkia ose KM

4. Kriteret minimale që duhet të plotësojë aplikanti

1. Masa e subvencionit nuk mund të jetë më e madhe se vlera e banesës

2. Të jetë i klasifikuar në listat e Përfituesve.

3. Të plotësojë kushtet dhe kriteret e bankës për këtë lloj kreditimi.

4. Të ketë të ardhura mesatare minimumi 8.000 Lek për person në muaj dhe kësti i kredisë të mos kalojë 30% të totalit të të ardhurave

Kushtet e kreditimit:

Monedha e kreditimit; Lek

Afati maksimal i kredisë; 30 vjet

Norma e interesit: Bono Thesari 12 Mujore + 2.2% (nga të cilat, qytetari paguan vetëm 3%)

Komisioni i angazhimit: 1%

Mbulimi me kolateral: 140%
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›