E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falstaf Alqi Lepuri: Vepra hapi një epokë të re në opera

Vepra, të cilën kompozitori Xhuzepe Verdi e shkroi në moshën 80-vjeçare vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit
Falstaf, një vepër të cilën kompozitori Xhuzepe Verdi e shkroi në moshën 80-vjeçare vjen premierë në ditët e fundit të majit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E bazuar mbi veprën Gratë gazmore të Uindsonit, të Shekspirit kjo pjesë vjen në skenë në datat 24, 26, 28, 29 dhe 31 maj. Vepra vjen nën regjinë dhe skenografinë e Nikolin Gurakuqit, i cili tashmë njihte për vëniet e suksesshme në skenën e operës shqiptare. Në këtë shfaqje do të interpretojnë emra të njohur të operës si, Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari, Denis Skura. Gjithçka do të shoqërohet nga tingujt e Orkestrës Simfonike të TKOB, e cila do drejtohet nga dirigjenti Alqi Lepuri Artist i Merituar dhe italiania Gianna Fratta, e cila vjen në këtë opera, si mjeshtre koncertuese. Ndërkohë që, kostumografia i është besuar Sartoria Arrigo dhe të ftuar do të jenë Cengiz Sayin, Dobromir Tzvetanov, Sahap Cuneyt Unsal, Deniz Denozhur dhe Ergys Mita. Dirigjenti i kësaj opere tregon për punën që po bëhet për këtë vepër. Unë aktualisht jam duke punuar së bashku me artisten italiane Gianna Fratta. Shumë e rëndësishme në këtë bashkëpunim është që puna jonë të kombinohet, dhe herë pas here kemi edhe konsultime, jo vetëm për orkestrën dhe solistët, por edhe për skenën, regjinë etj. Ai vijon duke thënë se: Në stafin që po punon ka artistë shqiptarë e të huaj dhe për sa i përket këtyre të fundit ata kanë ardhur edhe më parë në vendin tonë me pjesë të ndryshme dhe në këtë mënyrë janë ambientuar me këtë bashkëpunim. Në këtë sezon artistik të TKOB bëhet e ditur se për publikun do të vijë një nga shfaqjet më të zgjedhura të literaturës botërore dhe jo të gjithë kanë mundësinë të prekin me dorë Falstafin, sepse është shumë i famshëm në gjithçka.Veprat e Verdit nuk mund t`i prekësh pasi ai çdo gjë e ka në majën e përsosmërisë, pra çdo gjë e ka të menduar dhe kjo është vepra e tij e fundit, të cilën ai e ka shkruar në moshën 80-vjeçare. Me këtë vepër ai hapi një epokë të re për operën botërore. Kjo është një opera mjaft e gjallë, që përfshin një veprim skenik, është gjithçka. Edhe pse koha nuk është shumë e gjatë që ne të përgatitemi, pasi duhet një periudhë 2 apo 3 muaj për t`u përgatitur, përsëri ne jemi duke punuar shumë dhe mendoj se do t`i dhurojmë publikut një shfaqje shumë të mirë,tha ndër të tjera dirigjenti Alqi Lepuri.
Historia e Falsatfit
Verdi 80-të vjeçar deklaronte atëherë se për më tepër së 40 vjet kish dashur të kompozonte një opera komike. Dhe ja në 1889 Arrigo Boito nis të punojë për libretin e Falstafit dhe ia dorëzon kompozitorit në fillimin e vitit që pasoi, pasi disa vështirësive të shkaktuara nga disa keqkuptime mes të dyve. Me një shpirt të ri, duke marrë parasysh dhe moshën e madhe, Verdi nisi të muzikojë operën thuajse për të kaluar kohën, pa qenë i detyruar të respektojë afate dhe krejtësisht i lirë në krijimtari. Punon në mënyrë të shkujdesur por të përpiktë njëkohësisht e në vitin 1892 i jep botuesit partiturën. Në 9 shkurt 1893, shfaqet premiera e operës Falstaff në La Scala të Milanos nën drejtimin e Edoardo Mascheroni. Publiku ishte ai i okazioneve të mëdha, një publik i veçantë ku shiheshin dhe personalitete të botës së kulturës si Carducci, Giacosa, Puccini dhe Mascagni. Falstaff është opera e fundit e kompozuar nga Giuseppe Verdi. Ju, tek ravijëzoni Falstafin a keni menduar ndonjëherë për numrin e madh të viteve të mia? Kështu nis komunikimi gjithmonë e më tërheqës, letër pas letre mes Verdit dhe Arrigo Boito-s të angazhuar në një sipërmarrje të shpejtë të kësaj vepre mbi subjektin e Shekspirit. Edhe në këtë rast, pas triumfit të Otellos në 1887, raporti i tyre u vulos nga respekti reciprok. Boito ishte gjithmonë gati të shkrinte çdo dyshim të bashkëbiseduesit të tij dhe ishte fitorja e tij kur Verdi, në vitin 17 mars 1890, i shkroi: Akti i parë mbaroi pa asnjë ndryshim të poezisë. Ishte hera e parë një kompozitori i bënte një deklaratë të tillë libretistit të tij. Dhe arsyet nuk mungonin. Kish ndër duar një bizhu të vogël, të thurur me elementë gjuhësorë preciozë në një stil perfekt dramatik. Verdit i mungonte një sukses i madh në operën komike - dhe ndërkohë kish dhënë shumë prova për aftësinë e tij ndaj operës Bufa, po të kihet parasysh ngjyrimi i shkëlqyer tek Ballo in maschera , dhe konturet që ravijëzojnë La forza del destino. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian, Falstaff ishte i realizueshëm, pa lodhje, pa dhimbje, deri tek suksesi që rrëmbeu e fundit e mrekullueshme opera e Maestros 80-të vjeçar në La Scala. Prej atij momenti opera zuri në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës, dhe u bë cavallo di battaglia për gjithë dirigjentët virtuozë si Mahler e Toscanini, Karajan e Bernstein. Me këtë vepër, Boito e Verdi përbëjnë vëllazërinë perfekte mes muzikës e dramës harmoni që nuk dukej që prej kohës së Nozze di Figaro. Dhe nuk janë të pakta ngjashmëritë mes dy kryeveprave. Në 1890, Verdi 70-të vjeçar i shkruante Gino Monaldi-it: Prej 40-të vjetësh dëshiroja të shkruaja një opera komike, dhe prej 50-të vjetësh njoh veprën Gratë gazmore të Uindsonit; madje të zakonshmit por që janë gjithandej, përpiqeshin të pengonin këtë dëshirë timen. Tashmë Boito ka shkrirë gjithçka, dhe krijoi një komedi lirike që nuk i ngjan asnjë vepre tjetër. Dhe unë argëtohem duke i kompozuar muzikën; Falstaff është një i trishtuar që kryen veprime të këqija por në formë argëtuese. Është një tip! Ka shumë tipa në fakt! Opera është krejtësisht komike..

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›