E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk ekziston një model “Rama” i qeverisjes?



Në disa prej debateve me natyrë elektorale që janë zhvilluar në televizione të ndryshme mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, është përmendur fakti se Edi Rama ka fituar tri herë në Tiranë. Socialistët po përpiqen ta shesin këtë fakt si një indikator me ndikim, për të paralajmëruar një fitore tjetër të Edi Ramës, kësaj radhe në rang kombëtar në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Po përballë kujt ka fituar Edi Rama këto tri herë? Mazhorancës së sotme i ka munguar prej kohësh një model lokal i qeverisjes. Në të gjitha garat i është dashur të sforcohet shumë për t’i mbushur mendjen qytetarëve të Tiranës se do të prodhonte një qeverisje lokale model, dhe në fakt nuk ka pasur sukses. Kjo, jo pse qeverisja lokale e Ramës ishte një model për t’u marrë si shembull i mirë, por se kjo lloj qeverisjeje nuk kishte një instrument krahasues. Edi Rama praktikisht fitoi kundër dy modeleve të qeverisjes lokale që kishte PD-ja në Tiranë. Njëri model ishte ai i Sali Kelmendit, që ishte kryetar bashkie nga vitit 1992 deri në vitin 1996. Ky lloj modeli i kryeqytetit u mbështet në hapjen e dyerve të tij për mijëra e mijëra banorë nga e gjithë Shqipëria, duke hedhur bazat e metropolit. Kjo hapje u ndoq nga zhvillimi i shpejtë, por i pakontrolluar i urbanistikës, si dhe biznesit të vogël apo të mesëm. Me qindra kioska u ngritën në Tiranë duke e kthyer atë në një qytet punëtor, por duke mbajtur me bukë mijëra e mijëra familje, si dhe duke u hapur udhë krijimit të biznesmenëve të rinj të vendit. Ky model ofroi punë dhe mundësi, por dëmtoi urbanistikën e Tiranës dhe estetikisht cenoi fort tiparet e qytetit të parë të një vendi. Ishte i destinuar që si model të merrte fund shpejt. Edi Rama ndërtoi modelin e tij duke shembur kioskat, pra duke luftuar dhe fituar me Sali Kelmendin. Modeli tjetër i PD-së në qeverisjen e Tiranës ishte ai i Albert Brojkës, që drejtoi këtë qytet nga viti 1996 deri në vitin 2000. Përgjatë kësaj periudhe, Brojka u paralizua nga qeveria qendrore socialiste në investime dhe, me përjashtim të një rruge në “Ali Demi”, Tirana nuk pati investime të tjera. Nuk u zëvendësua sistemi i kioskave me një rregullim urban, ndërsa kryetari i atyre viteve nuk hezitoi të lëshonte leje ndërtimi, i vetmi aktivitet që mund të kryente bashkia deri në fund të 1998-s. Kur ndërroi përbërja e KRRT-së së Tiranës në favor të qeverisë, atëherë filloi edhe etapa e betonizimit të qendrës së Tiranës.

Edi Rama u financua mirë nga qeveritë e majta fill pas ardhjes në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2000 dhe në të njëjtën kohë luftoi dhe fitoi me Albert Brojkën ashtu si me Sali Kelmendin, jo vetëm në vitin 2000, por edhe në 2003, edhe në 2007. Me fasadat në Tiranë, prishjen e kioskave dhe më pas ndërtimin një infrastrukture klienteliste, Edi Rama ka ndërtuar vërtet një model që ka fituar tri herë në kryeqytet. Pra me lyerjen e pallateve në buzë të rrugëve, shtrimet e trotuareve dhe sistemin e pjesëve të brendshme të disa lagjeve në Tiranë, pa asnjë gjë të re dhe me një sistem përsëritjeje të vetvetes në të tria mandatet, ai po përpiqet të ndërtojë fituesin e zgjedhjeve parlamentare.

Ai ka të drejtë të synojë një indikator sigurie se do të qeverisë mirë nëse vjen në pushtet. Por a është i mjaftueshëm ky indikator, që po ndërtohet mbi disa qindra kilogramë bojë, disa dhjetëra kilometra trotuare dhe disa dhjetëra kilometra rrugë brenda lagjeve apo rrugëve kryesore të Tiranës, të përballet me mbi një mijë kilometra rrugë që në katër vjet ka ndërtuar qeveria e Berishës, autostradën Durrës-Kukës, nisjen e disa projekteve të mëdha energjetike, ku vetëm një pjesë e njërit prej tyre tejkalon disa herë investimin më të madh në Tiranë? A është e mjaftueshme fasada e bulevardit në Tiranë, që përfundon me një shesh kryesor gjithë gropa, për të përballuar mijëra metra katrorë fasada në qytete e fshatra të Shqipërisë që kanë ndryshuar për shkak të investimeve? Sforcimi për të ndërtuar një model socialist qeverisjeje nga një model laboratorik, pra lokal, i cili në nisje dukej mirë, por në fund përfundon i keq, hedh dyshim të fortë mbi kapacitetet e majta për të qeverisur vendin. Qeverisja “Berisha” apo modeli i tij e përmbledh disa herë atë të Ramës, duke e zvogëluar aq shumë të vetmin model të majtë që kanë nxjerrë në treg, sa nuk mund të merret as në analizë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›