Zgjedhjet në Ballagat, fiton kandidati i PD-së
Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve i komunës Ballagat, të rrethit të Lushnjes, ku dje u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e komunës, shpalli fitues kandidatin e PD-së, Sherbet Sharka, i cili mori 1065 vota, kundrejt 394 vota që kishte kandidati socialist, Neshat Sharka.
Gara elektorale për kreun e komunës Ballagat u zhvillua e qetë dhe pa probleme në tetë qendrat e votimit, ndërsa në votime morën pjesë rreth 1460 zgjedhës nga 2600 votues të regjistruar në listat zgjedhore.
Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Ballgat u zhvilluan pas shkarkimit për abuzime me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka.
Komuna Ballagat është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjes, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra. Qendra e komunës ndodhet 10 km në juglindje të qytetit të Lushnjes. Ajo ka nën administrim një territor me sipërfaqe rreth 1800 ha , ku dominojnë toka arë dhe blloqe me frutikulturë. Komuna është e pasur me rezervuare natyrore.