E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet ne Europe dhe pasigurite e tregjeve

Pas zgjedhjeve elektorale në Greqi dhe Francë, bursat europiane dhe aziatike kanë pësuar një rënie të fortë në këtë ditë të parë të javës. Tregjet e bonove sovrane gjenden nën presion ndërkohë që monedha europiane ka shkuar në nivele minimale kryesisht ndaj dollarit. Frika e investitorëve lidhet me fitoren e socialistit Francois Hollande në krye të presidencës franceze dhe votat e ulëta të partive pro- masave shtrënguese në Greqi. Këto rezultate kanë shfaqur një pasiguri për të ardhmen e Eurozonës si dhe në aftësitë për të mbajtur  politikën e fuqizimit të llogarive publike, që shihet si thelbësore nga tregjet për zgjidhjen e krizës së borxheve sovrane.
Bursa e Athinës ka shkuar në negativ me gati 10% e ndikuar nga pasiguria mbi situatën politike pas dështimit të objektivit për të arritur një mazhorancë parlamentare të dy partive të mëdha greke, Demokracia e re dhe Pasok. Ndërkohë që edhe bursat e Londrës, Frankfurtit, Parisit dhe Madridit kanë reaguar negativisht. Ndërkaq qeveria japoneze ndjek me vëmendje tregjet valutore për shkak të lëvizjeve spekulative që mund të krijohen nga pasiguria politike në Eurozonë. Ministri i fianncave japoneze shprehet se ka mundësi që rezultatet elektorale mund të shtojnë faktorët destabilizues që do ta shtyjnë  bursën aksionere në rënie dhe jenin më lartë mbi dollarin dhe euron.
Gjithsesi ministri japonez ka garantuar se do ta monitorojë me kujdes situatën për të mos krijuar gjendje të papërshtatshme. Ndërkohë që bursa e Tokios është mbyllur në negativ. Zgjedhjet në Francë dhe Greqi kanë kushtëzuar tregun e shkëmbimeve europiane me monedhën euro në kufirin minimal ndaj dollarit që nga fillimi i muajit shkurt.
Agjencia e vlerësimit të kreditit S&P ka raportuar se fitorja e Hollande në Francë nuk do të ketë një impakt të menjëhershëm  mbi aftësitë e qeverisë për të paguar borxhet sovrane. Mendojmë ende se ekziston mundësia për një ulje  të mëtejshme të notave të vlerësimit mbi Francën këtë vit apo në 2013-ën. Paavrësisht se S&P ka thënë se nuk mban pozicione politike ka qartësuar në raportin e saj të së hënës se klasifikimi i kredititmit lidhet me politikat që një qeveri miraton. Gjithsesi agjencia thekson se do ta analizojë zgjedhjet e presidentit të ri francez  dhe qeverisë së tij pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.  Ndërkohë që nga Gjermania  këshilltarët ekonomik të kancelares Angela Merkel flasin për një izolim të Eurozonës nga zhvillimet në Greqi. Sipas tyre rezultatet elektorale greke me një mungesë të qartë mazhorance nuk duhet të krijojë probleme në Eurozonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›