Zgjedhjet në Kosovë, Serbia respekton UNMIK-un
Qeveria serbe ende nuk e ka marrë vendimin zyrtar për heqjen dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, mirëpo një përfaqësues i saj për herë të parë ka pranuar se ky shtet do ta respektojë qëndrimin e UNMIK-ut se Rezoluta 1244 nuk e lejon një gjë të tillë
Shefi i delegacionit serb në dialogun Prishtinë-Beograd, Borislav Stefanoviç, ka thënë se qeveria në Beograd e respekton këtë qëndrim pasi misioni i përkohshëm i OKB-së në Kosovë është i vetmi që mund ta interpretojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“UNMIK-u është mbikëqyrësi i vetëm politik i Rezolutës 1244. Ky mision nuk është më aq i rëndësishëm, por ata janë të vetmit që e mbikëqyrin atë. Ne i pyetëm ata (UNMIK-un) për zgjedhjet dhe ata na thanë se nuk mund të lejojnë zgjedhje lokale në Kosovë dhe ne e respektojmë atë përgjigje”, ka thënë Stefanoviç për “Zërin” .
Qeveria serbe, megjithatë, nuk thotë se kjo nënkupton vendim final të shtetit fqinj të Kosovës për zgjedhjet. Beogradi jozyrtarisht e pranon se nuk ekziston asnjë formulë tjetër që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në territorin e Kosovës.