Zgjedhjet në Kukës, Asambleja e PS miraton kandidaturën për garën elektorale

Asambleja e Partisë Socialiste ka miratuar kandidaturën e Albert Halilajt për garën elektorale në Bashkinë e Kukësit.
Vendimin e njoftoi drejtuesi politik i qarkut të Kukësit, Pandeli Majko, nëpërmjet një statusi në Facebook.
“Sot, asambleja e Partisë Socialiste miratoi kandidaturën e Albert Halilaj! Shtabi elektoral bëri mbledhjen e parë! Vështirësia është sfidë dhe jo pengesë për familjen tonë! Do ja dalim!” shkruan zoti Majko.
Me profesion ekonomist, Albert Halilaj prej 19 korrikut të këtij viti mban postin e prefektit në Qarkun Kukës.
Ndërkaq edhe Partia Demokratike (zyrtare) ka bërë me dije se Arif Rexhmati e ka pranuar propozimin që i është bërë nga strukturat partiake.
Nga ana tjetër, grupimi i Rithemelimit të PD ka propozuar 10 kandidatura. Kryesia vendosi që primaret për zgjedhjen e kandidatit të mbahen të dielën më 27 gusht.
Zgjedhjet parakohshme për kreun e Bashkisë së Kukësit do të mbahen më 24 shtator.
Fituesi i zgjedhjeve të mbajtura më 14 maj, Safet Gjici i PS-së u detyrua të japë dorëheqjen pas përfshirjes në një ngjarje të pahijshme. Ai ndodhet në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor.
/ rtsh /