Turi, Rama takim me të rinjtë në Lazarat
Të rinjtë i kanë kërkuar kryesocialistit anëtarësimin e tyre në forcën politike që ai drejton
GJIROKASTËR- Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, kryetari i partisë më të madhe të spektrit të majtë, shkel në bastionin e së djathtës, në fshatin problematik të Lazaratit. Në një vizitë të pa lajmëruar dhe larg vëmendjes së medias, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Vangjel Tavo si dhe anëtarët e asamblesë, Arben Ahmetaj dhe Auron Tare, pasditen e djeshme ka ndalur "Dialogun meShqipërinë" në Lazarat, ku dhe ka zhvilluar një sere takimesh të rastit. Fillimisht Rama është ndalur në shtëpinë e Fiqiri Rabajt, të cilin e ka ngushëlluar për një fatkeqësi familjare të ndodhur kohë më parë. Më pas është ndalur në njërin prej lokaleve në qendërtë fshatit, ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Lazaratit. Megjithëse në këtë takim kanë munguar mediat, burime pranë kryesocialistit Edi Rama kanë bërë të ditur se në qendër të bashkëbisedimit është vendosur bërja aktive e këtij komuniteti në politikën e re të Partisë Socialiste. "Sot Shqipëria ka nevojë për një klasë politike të re, që të jetë instrument në duart e qytetarëve për zgjidhjen e problemeve më akute që e shqetësojnë dhe jo të bëhen medoemos të verbër përballë një politike që ka 17 vjet që është e pranishme me format e saja arkaike", mësohet të jetë shprehur kryetari i PS-së, Edi Rama. Kryesocialisti ka dëgjuar dhe shqetësimet që të rinjtë e këtij fshati kanë shprehur në lidhje me mungesën e perspektivës së jetës dhe persekutimin e vazhdueshëm që ky fshat ka pësuar për shkak të disa ngjarjeve të ndodhura më parë, që në të vërtetë nuk përfaqësojnë me domosdoshmëri banorët e kësaj zone. Ata i kanë bërë të qartë kryesocialistit se Lazarati, ashtu si çdo vend tjetër në Shqipëri, kërkon që të ketë më shumë mirëqenie, më shumë punë dhe burime më të mëdha ekonomike. Mësohet gjithashtu se të rinjtë nuk kanë ngurruar t'i kërkojnë kryesocialistit anëtarësimin e tyre në forcën politike që ai drejton. Takimi i zhvilluar dje në Lazarat vjen si rrjedhim i kontaktit që Rama kishte marrë po me studentë nga ky komunitet në vizitën e zhvilluar disa kohë më parë në Gjirokastër. Më tej ai është ndalur në një takim me qytetarë e anëtarë të Partisë Socialiste në qytetin e Gjirokastrës, ku natyrisht nuk ka lënë pa komentuar dhe situatën më të fundit politike të krijuar brenda koalicionit të majtë, duke deklaruar qëndrimin e tij kundër asaj që e ka cilësuar si "politika e mllefit". "Sa për koalicionin, nuk është koha e asaj gruas në Berat që tha e shkreta: "Nuk kërkojmë asgjë, vetëm ju të mos ziheni", se nuk është koha që një popull i tërë të shohë me zemër të dridhur nëse pajtohen apo jo politikanët. Ne mendojmë se duhet t'i japim fund politikës së sherrit, pasi nuk jam këtu si kryetar i Partisë Socialiste për të bërë sherr, por për të bërë të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar atdheun tonë", është shprehur kreu i PS-së, Edi Rama. Ai ka deklaruar gjithashtu se është koha e bashkimit të të gjithë shqiptarëve për t'i dhënë jetë politikës së re të zhvillimit dhe integrimit evropian.